Personi që vrau 49 njerëz në një masakër të padëgjuar prej kohësh, në dy xhami në komunitetin e Christchurch në Zelandën e Re besohet të jetë admirues i nacionalistëve të Ballkanit. Dyshimet kanë ardhur pas këqyrjes së armëve të përdorura nga ai për vrasjen e njerëzve dhe momentit të filmuar nga ai vetë ‘live’ gjatë masakrës.

Para se të hynte në xhami, 28-vjeçari që figuron shtetas australian shihej teksa në makinën e tij dëgjonte një këngë nacionaliste serbe që nderonte kriminelin e luftës, autorin e masakrave në Bosnjë Radovan Karaxhiç. Për koicidencë vendimi final për Karaxhicc të akuzuar për gjenocid dhe krime lufte pritet të jepet për pak ditë.

“Karaxhiç do drejtojë serbët, Karaxhiç drejton serbët”, dëgjohet në sfond, teksa pas disa sekondash ndodh masakra me 49 të vrarë. Në Facebook ai figuronte me emrin Brenton Tarrant ndërsa kishte publikuar në adresën e tij simbole të ndryshme nacionaliste të Ballkanit dhe një deklaratë që kritikon përfshirjen e SHBA në luftën në Kosovë.

Përpara vrasjeve, autori i ngjarjes së rëndë ka publikuar një “manifest” prej 73 faqesh, ku thekson se motivi i sulmit ishte “të krijonte frikë” duke përfshirë fjalime anti-emigrantëve si dhe duke bërë thirrje për vrasje të myslimanëve. Teksti gjithashtu përmbante një seksion rreth konfliktit në Kosovë.

“Ballkanizmi gjithashtu do të zvogëlojë aftësinë e SHBA-së për të projektuar fuqinë globale dhe në këtë mënyrë të sigurojë që kurrë më të ndodhë një situatë e tillë si përfshirja e SHBA në Kosovë (ku forcat e SHBA/ NATO-s luftuan përkrah myslimanëve kundër evropianëve të krishterë”, thekson ai.

Në armën që autori ka përdorur gjenden të gdhendura emra si ai kreut ushtarak malazez Marko Miljanov Popoviç, i cili udhëhoqi fisin e tij në luftën kundër Perandorisë Osmane. Një tjetër emër i shënuar në armë ishte ai i Novak Vujoseviç, i cili luftoi në anën e Malit të Zi në betejën kundër forcave të Perandorisë Osmane.

Armët u shënuan gjithashtu me emrin Bajo Pivljanin, një komandant i cili gjithashtu luftoi kundër Perandorisë Osmane në Bosnje dhe Mal të Zi. Gjithashtu në armën që kishte përdorur gjatë sulmit kishte shkruar emrin e Stefan Lazar, Milos Obilic, ‘Serbia ime’.

Stefan Lazar, ishte Princi serb Lazar Hrebeljanovic (1329 – 1389), që vdiq në luftë me turqit në Fushë Kosovë. Ai përdori emrin mbretëror Stefan Lazar.

Deri tani policia e Zelandës së Re ka arrestuar katër vetë në lidhje me sulmet terroriste. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, i quajti të shtënat “Dita më e errët e Zelandës së Re” dhe tha në një deklaratë të premten në mëngjes se “shumë njerëz të prekur nga ky akt i dhunës ekstreme do të jenë nga komuniteti ynë i refugjatëve dhe emigrantëve”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb