Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se bota e sheh atë që Rusia po bën në qytetet ukrainase dhe ushtria e saj ka “përgjegjësi për krimet e luftës”.

“Përgjegjësia për krimet e luftës të ushtrisë ruse është e pashmangshme,” tha Zelensky gjatë një fjalimi video në Telegram. “Përgjegjësia për një katastrofë të qëllimshme humanitare në qytetet ukrainase është e pashmangshme.”

Rusia, tha ai, do të duhet të përgjigjet për ndërprerjen e korridoreve të evakuimit dhe për veprimet e saj në “Mariupol, Kharkiv, Chernihiv, Sumy, Okhtyrka,  Hostomel, Irpin. Në të gjitha qytetet tona.”

Zelensky tha se 3,806 ukrainas u evakuuan nga rajonet e Kievit dhe Luhansk të hënën.

Por një kolonë humanitare që sillte ndihma të nevojshme në qytetin e rrethuar të Mariupolit u bllokua.

“Për tre ditë tashmë. Por ne do të përpiqemi. Do të bëjmë gjithçka për të siguruar që banorët e Mariupolit të marrin ushqim, ujë dhe ilaçe,” tha ai.

Zelensky tha se Ukraina po punon me “partnerët” për kufizime të reja që do të zbatohen kundër shtetit rus.

“Të gjithë ata që janë përgjegjës për luftën. Të gjithë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e demokracisë. Të gjithë ata që janë përgjegjës për represionin ndaj njerëzve. Të gjithë do të marrin një përgjigje. Përgjigja e botës. Dhe ky është vetëm fillimi,” tha ai. .

“Çdo veprim agresiv i pushtuesve vetëm sa e shtyn botën drejt sanksioneve të reja”.

Presidenti tha se negociatat po vazhdojnë me Rusinë pas përfundimit të raundit të katërt të bisedimeve të hënën.

“Delegacioni ynë ka punuar për këtë edhe në negociatat me palën ruse. Shumë mirë, siç më thanë. Por le të shohim. Ato do të vazhdojnë edhe nesër”, tha ai.

Të hënën, negociatori ukrainas Mykhailo Podoliak tha në Twitter se kishte një “pauzë teknike” në bisedimet, por ato do të vazhdojnë sot.

Pauza ishte “për punë shtesë në nëngrupet e punës dhe sqarimin e përcaktimeve individuale. Negociatat vazhdojnë,” tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb