Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirje për bllokadë të plotë të bankave ruse nga sistemi bankar ndërkombëtar.

Në fjalimin e tij të postuar në mediat sociale, të mërkurën mbrëma, Zelensky tha se paketa e re e sanksioneve e prezantuar nga vendet perëndimore ndaj Rusisë nuk është në përpjesëtim me mizoritë e kryera nga Rusia në Bucha dhe që vazhdojnë në Mariupol dhe Kharkiv.

“Kjo paketë duket efektive, por nuk është e mjaftueshme”, tha ai.

Zelensky tha se duket sikur qëndrimi ndaj shtetit modern rus po ndryshon pas asaj që bota pa në Bucha dhe tha, “qëndrimi ndaj Rusisë është i thjeshtë: ose ju mbështesni një kërkim për paqe ose po mbështesni vrasjet masive”.

Ai tha se udhëheqja ruse ka frikë nga ajo që bota ka parë në Bucha dhe se forcat ruse nuk do të kenë sukses të fshehin provat e asaj që bënë në Bucha.

“Ka përpjekje të reja nga Rusia për të filluar një sulm të ri të përgjakshëm në Donbas,” tha ai.

“Ne do të vazhdojmë të insistojmë në një format të embargos ndaj eksporteve ruse të naftës. Është një nga themelet e agresionit rus”, tha presidenti ukrainas.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb