Rindërtimi i Ukrainës është një “detyrë e përbashkët” e botës demokratike. Kështu tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të hënën gjatë fjalës së tij në konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës” në Lugano të Zvicrës.

“Rindërtimi i Ukrainës nuk është një projekt lokal. Nuk është një projekt i një kombi, por një detyrë e përbashkët e të gjithë botës demokratike, të gjitha vendeve që mund të thonë se janë të civilizuar”, tha Zelensky në fjalimin e tij virtual. Presidenti ukrainas tha gjithashtu se rindërtimi i vendit të tij do të thotë rivendosja e parimit të jetës, “rikthimi i hapësirës së jetës, rivendosja e gjithçkaje që i bën njerëzit njerëzorë”.

Ky rindërtim nënkupton gjithashtu “një mundësi për vendet tona, kompanitë tona dhe specialistët tanë për të treguar pse liria është më e fuqishme se çdo tirani,” shtoi ai.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen njoftoi të hënën se Bashkimi Evropian ka propozuar ngritjen e një platforme rindërtimi për të ndihmuar qeverinë ukrainase të rindërtojë vendin pas luftës me Rusinë. “Komisioni Evropian i ka propozuar qeverisë së Ukrainës të krijojë një platformë rindërtimi për të hartuar nevojat për investime, për të koordinuar veprimet, për të kanalizuar burimet dhe, natyrisht, në mbështetje të një axhende reformash ambicioze,” tha Von der Leyen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: