Presidenti Volodymyr Zelensky tha të hënën se Ukraina nuk do të lejojë që Rusia të përvetësojë fitoren në Luftën e Dytë Botërore, duke folur në përvjetorin e humbjes së Gjermanisë naziste nga Bashkimi Sovjetik.

“Sot ne festojmë Ditën e Fitores mbi Nazizmin. Jemi krenarë për paraardhësit tanë që së bashku me kombet e tjera në koalicionin anti-Hitler mposhtën nazizmin. Dhe ne nuk do të lejojmë askënd ta aneksojë këtë fitore. Ne nuk do të lejojmë që ajo të përvetësohet.” tha lideri ukrainas.

Zelensky renditi disa qytete ukrainase aktualisht nën kontrollin e forcave pushtuese ruse, duke thënë se ukrainasit gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin dëbuar forcat e Gjermanisë naziste nga këto rajone.

“Emrat e këtyre qyteteve na frymëzojnë sot. Ata na japin besim se ne do t’i dëbojmë pushtuesit nga toka jonë,” tha Zelensky, duke renditur Mariupol, Kherson dhe gadishullin e Krimesë me emër.

“Ne fituam atëherë. Ne do të fitojmë tani,” shtoi presidenti ukrainas.

Ukraina u pushtua nga Rusia në fund të shkurtit dhe Moska pretendoi se operacioni i saj ishte pjesërisht për të “de-nazifizuar” vendin.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia i kanë krahasuar veprimet e ushtrisë së palës tjetër me ato të Gjermanisë naziste, humbja e së cilës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1945 festohet në vendet ish-sovjetike më 9 maj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb