Aktorja amerikane dhe humanitarja, Angelina Jolie, ka qenë së fundmi në Pakistan për të takuar viktimat e përmbytjeve.

Si pjesë e turneut të saj, ajo vizitoi të mërkurën Qendrën Kombëtare të Koordinimit të Reagimit ndaj Përmbytjeve.

Ahsan Iqbal, i cili shërben si zëvendëskryetar i Qendrës, i uroi mirëseardhjen Jolie dhe e falënderoi për vizitën në Pakistan gjatë përmbytjeve më shkatërruese në historinë e vendit.

Humanitarja mbërriti në Pakistan të martën pasdite dhe vizitoi Dadu ku vëzhgoi dëmet nga përmbytjet dhe takoi njerëz të prekur prej tyre. Gjatë takimit të së mërkurës, ajo u informua për reagimin ndaj përmbytjeve dhe masat e marra deri më tani.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Unë, siç e përmendët ju, kam qenë shumë herë në Pakistan, kam ardhur për shkak të bujarisë që populli pakistanez i ka treguar popullit të Afganistanit ndër vite dhe si vend pritës. Shpesh janë vendet që nuk kanë aq shumë ato që japin shumë më tepër se shumë vende të tjera dhe tani, në këtë kohë, ne shohim se janë vendet që shkaktojnë më pak dëme në mjedis që tani po mbajnë peshën kryesore të katastrofës dhe dhimbje e vdekje”, tha ajo në takim.

Jolie ka vizituar më parë Pakistanin në 2010 dhe 2005 për të takuar viktimat e tërmeteve. Ajo aktualisht është duke vizituar si pjesë e operacioneve të reagimit emergjent të Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC).

“Unë jam absolutisht me ju për të nxitur komunitetin ndërkombëtar të bëjë më shumë. Më duket sikur e themi shpesh, ne flasim për apele për ndihmë, lehtësim dhe mbështetje, por kjo është diçka shumë, shumë ndryshe”.

Jolie është e dërguara speciale për komitetin e OKB-së për refugjatët, UNHCR, dhe ka shërbyer për 11 vjet si ambasadore e vullnetit të mirë për komitetin.
“Edhe si dikush që ka qenë pjesë e ndihmës humanitare prej vitesh, ne shpesh shikojmë një krizë dhe mendojmë se si ta zgjidhim atë, çfarë mund të bëjmë, çfarë të rindërtojmë apo ndihmojmë fëmijët dhe tani”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb