Papa Françesku ka mohuar zërat se ai synon të japë dorëheqjen në një moment të afërt. Ai e bëri këtë në një intervistë ekskluzive për “Reuters” në rezidencën e tij në Vatikan. Papa shfrytëzoi rastin për të sqaruar gjendjen e tij shëndetësore, duke mohuar se kishte kancer dhe duke e cilësuar lajmin si thashetheme.

“Mjekët nuk më thanë asgjë për këtë”, tha ai me shaka. Ati i Shenjtë, megjithatë, përsëriti se nëse një ditë kushtet e tij shëndetësore ia bëjnë të pamundur menaxhimin e Kishës, ai mund të konsiderojë dorëheqjen.

Kur u pyet se kur mund të ndodhë kjo, ai u përgjigj: “Nuk e dimë. Zoti do ta tregojë”.

Deklarata e Papës vjen pasi në media qarkulluan thashetheme për një vazhdimësi ngjarjesh në fund të gushtit, duke përfshirë takime me kardinalët nga e gjithë bota për të diskutuar një kushtetutë të re të Vatikanit, një ceremoni për emërimin e kardinalëve të rinj dhe një vizitë në L’Aquila, ku mund të njoftohej dorëheqja.

Nga ana tjetër, L’Aquila lidhet me Papa Celestine V, i cili dha dorëheqjen nga papati në 1294, ndërsa Papa Benedikti XVI vizitoi qytetin katër vjet përpara se të jepte dorëheqjen në 2013.

Por Françesku e çmontoi këtë skenar. “Të gjitha këto rastësi i bënë disa të mendojnë se do të bëhet e njëjta liturgji, por nuk më ka shkuar në mendje të jap dorëheqjen. Për momentin jo. Vërtet!”, tha ai.

Duke folur për situatën në Ukrainë, më në fund, Françesku tha se ka pasur kontakte midis Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në lidhje me një udhëtim të mundshëm në Moskë.

Asnjë papë nuk e ka vizituar kurrë kryeqytetin dhe Papa e ka dënuar vazhdimisht pushtimin rus të Ukrainës.

“Do të doja të shkoja (në Ukrainë) dhe së pari doja të shkoja në Moskë. Ne shkëmbyem mesazhe për këtë sepse mendova se nëse presidenti rus do të më kishte dhënë një dritare të vogël për t’i shërbyer kauzës së paqes… Dhe tani është e mundur, pas kthimit nga Kanadaja, është e mundur të mund të shkojë në Ukrainë. Gjëja e parë është të shkoj në Rusi për të ndihmuar në një farë mënyre, por unë do të doja të shkoja në të dy kryeqytetet”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: