TIRANE

Pas deklaratave të Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar sërish Zëri i Amerikës. Përmes një shkrimi drejtuar Gjonajt, Zëri i Amerikës thekson se i qëndron investigimit mbi ndikimin e politikës për emërimet në administratë.

SHKRIMI I PLOTË
Ministrja e Drejtësisë në Shqipëri Etilda Gjonaj përmes një prononcimi për mediat të martën në Tiranë, vuri në dyshim dhe kërkoi përgjënjeshtrimin e kronikës së botuar një ditë më parë nga Zëri i Amerikës lidhur me ndikimet e politikës për emërimet në administratë.

Zëri i Amerikës i qëndron raportimit të tij, i cili është i bazuar mbi faktet që burojnë nga një dosje hetimore me përgjime të një ish zyrtari të lartë të shtetit, aktualisht nën hetime për korrupsion. Në komunikimet e tij me funksionarë shtetërorë dhe deputetë, ish-drejtori i burgjeve, u përgjigjet kërkesave dhe interesimit të tyre për të marrë në punë persona të caktuar, apo për të sistemuar të tjerë në vende të tjera pune.

Zëri i Amerikës, ka konfirmuar kryerjen e bisedave edhe me zyrtarët që dalin në përgjime. Ndonëse në përgjigjet e tyre ata e justifikojnë arsyen e marrjes në telefon të drejtorit të burgjeve, kushdo mund t’i shohë e t’i lexojë përgjimet dhe të nxjerrë konkluzonet përkatëse nga konteksti i tyre, nëse bëhet fjalë për një proces etik, professional dhe të rregullt të marrjes në punë, apo nëse ato janë vetëm një provë e asaj që besohet gjerësisht se në Shqipëri ngritja e një administrate profesioniste është ende një sfidë e vështirë, për shkak edhe të ndërhyrjeve të tepruara të politikës.

Në vetë daljen e saj, zonja Gjonaj konfirmon ato që janë thënë në bisedat e përgjuara, se Kryeministri e kishte bllokuar përkohësisht listën. Fakti, që siç u shpreh zonja Gjonaj, Kryeministri ka bllokuar “jo listën e konkurrimeve, por listën e ndërhyrjeve”, provon pikërisht problemin që ngre raporti i Zërit të Amerikës, ekzistencën e ndërhyrjeve të shumta.

Siç vihet në dukje në kronikë, në mars të vitit 2018, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në raportin që i dorëzoi Kuvendit, një e treta e punësimeve në administratë bëhen me urdhër titullari dhe jashtë procedurave të ligjit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb