Policia e Dibrës njoftoi se ka filluar procedimin penal ndaj kandidatit për deputet të Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, pas thirrjeve të tij publike për “armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit” – deklaroi kandidati Mziu para qytetarëve. Ai u referua kështu konfliktit të dy ditëve më parë mes përkrahësve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, i cili përfundoi me një të vrarë dhe 4 të plagosur.

Më pas ai kërkoi falje dhe shprehu pendesë për këtë shprehje, duke e quajtur “koment të panevojshëm, për shkak të emocioneve të forta të momentit” dhe duke deklaruar se është kundër dhunës dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, reagoi për ndjesën e kandidatit Mziu.
“Më vjen mirë që shoh një ndjesë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë copën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – një e kaluar e shëmtuar që të gjithë duhet ta refuzojmë. Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta drejtojnë Shqipërinë drejt një të ardhme më të mire dhe larg nga e kaluara”, – shkroi ambasadorja Kim.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se ndjesa “nuk vlen asnjë qindarkë nga një subjekt i vetëdeklaruar i drejtësisë penale”.
“Populli duhet t’u tregojë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kthehen më mbrapsht” – tha ai.

Ndërkaq policia nisi menjëherë procedimin penal.
“Kandidati Mziu bëri kërcënime dhe thirrje gjatë një tubimi të fushatës në bashkinë e Dibrës për të nxitur dhunë, duke njoftuar ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës” – njoftuan forcat e rendit.

Policia e Shtetit theksoi se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë detyrat e saj, dhe se për këtë do të ushtrojë kontrolle të imta në territor, duke kërkuar bashkëpunimin e komunitetit për të zbuluar dhe ndëshkuar struktura të paligjshme, që cënojnë të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.

Forcat e rendit po në Dibër arrestuan në flagrancë dy persona për korrupsion aktiv në zgjedhje, pasi u gjetën në Maqellarë me 5 milionë lekë (afro 5 mijë dollarë), përkrahës të Partisë Socialiste njëri prej të cilëve është juristi i bashkisë.

Krahas “korrupsionit aktiv në zgjedhje” në bashkëpunim ata akuzohen dhe për “përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, pasi policia sekuestroi në automjetin e tyre një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Policia procedoi penalisht edhe dy shtetas, që kapën dy nëpunësit me para në makinë, duke i akuzuar për “pengim të qarkullimit të automjeteve”, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb