Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Unioni i ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë përkujtoi Masakrën e Koplikut të 71 viteve më parë, kur rregjimi komunist burgosi 57 banorë të Malësisë së Madhe, disa prej të cilëve i pushkatoi pa gjyq. Përfaqësues të Unionit bënë thirrje për gjetjen e eshtrave të 4500 të zhdukurve në Shqipëri nga rregjimi komunist. Sipas tyre, gjate 30 viteve të fundit, qeveritë shqiptare nuk kanë bërë sa duhet për dënimin e krimeve të komunizmit dhe as për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve.

Të thirrur nga Unioni ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë banorë të Malësisë së Madhe përkujtuan sot Ditën Ndërkombëtare të përsonave të zhdukur dhe Masakrën e Koplikut, të vitit 1948, kur regjimi komunist arrestoi dhe burgosi 57 banorë të malësisë, një pjesë të të cilëve i pushkatoi pa gjyq.

Studiuesi Ndue Bacaj thotë se Masakra e Koplikut është një nga ngjarjet më tragjike të periudhës së komunizmit.

“57 burra dhe gra të Malësisë së Madhe, 14 nga Reçi, arrestohen befasisht nga sigurimi i shtetit dhe, në krye të listës qendronte Taro Keqi. Si krim pa ndëshkim, edhe sot mbetet vrasja tragjike nën torturat e kriminelëve të kuq e nacionalistit Taro Keqi dhe trimit nga Kelmendi Mark Rexhaj si dhe fetarëve dhe atdhetarëve dom Aleksandër Sirdari dhe dom Pjetër Çuni. Sot, të dy këta priftërinj janë të shënjtëruar si Martirë të Kishës Katolike”.

Për drejtuesin e Unionit të ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjonin, Shqipëria ka një bilanc tragjik të të zhdukurve gjatë viteve të diktaturës komuniste. “Shqipëria, si një vend i vogël në Europë, ka një boilanc shumë tragjik, ka 4500 të pushkatuar nga rregjimi komunist, të cilët nuk kanë një varr në tokën e tyre. 4500 shqiptarë që kanë 30 vjet që kërkojnë të gjejnë eshtrat e tyre, të qetësojmë shpirtërat e familjarëve, të jemi në gjendje t’u ndezim një qiri, t’u çojmë një tufë lule dhe t’i përkujtojmë”.

Pjesëmarrësit në takimin e zhvilluar në Malësi të Madhe vlerësuan qendresën antikomuniste të malsorëve dhe bënë thirrje për dokumentimin e qendresës së tyre.

Unioni ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë prej katër vitesh vazhdon të apelojë për ndërtimin e parcelës kombtare të të zhdukurve nga rregjimi komunist. Drejtuesi Unionit, zoti Ndregjoni thotë se deri tani, asnjë prej institucioneve shtetrore nuk i është përgjigjur apelit të tyre.

“Ndërtimi i parcelës kombtare dhe gjetja e eshtrave është jo vetëm një qetësi shpirtëror për familjarët që i kanë humbur, por është edhe një vizion i paqes dhe dashurisë që duhet të kenë shqiptarët me njëri tjetrin duke luftuar krimin, duke luftuar urrejtjen dhe duke predikuar paqen çdo ditë, ashtu si kombet e tjera demokratike europiane”.

Po sot, Unioni ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë vlerësoi me çertificata mirënjohje 13 banorë të Malësisë së Madhe, të burgosur apo të vrarë nga rregjimi komunist. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb