Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi të enjten në mesditë 13 tetorin si datën e re për zgjedhjet vendore. Zoti Meta theksoi në konferencën për shtyp ky shfaqi edhe dekretin, se shpresonte që zgjedhjet e tetorit do të jenë gjithëpërfshirëse. Ai e mori këtë vendim pas një serie takimesh me partitë politike, deri sot në mëngjes me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama nuk shkoi në takimin e ftuar nga presidenti.

“Kam qenë gjithnjë i gatshëm për takime me zotin Rama, por nuk jam në këtë detyrë të plotësojë as tekat e opozitës. Data e re është një mundësi për të zhvilluar zgjedhje me standarte demokratike në një kohë me vendimet e pritshme të BE-së për të nisur negociatat me Shqipërinë për anëtarësim të plotë” – tha zoti Meta. Ai i kërkoi kryeministrit të reflektojë në këto kushte, kur zgjedhjet më 30 qershor janë anulluar ligjërisht, ndërsa zgjedhjet e 13 tetorit duhen bërë të rregullta, sepse vitin tjetër Shqipëria merr kryesimin e radhës të OSBE-së, dhe duhet të jetë shembull për vendet e tjera.

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë për vendimin e presidentit në të njëjtën kohë me konferencën e shtypit. Ai shkroi në rrjetet sociale se data 30 qershor është e vetmja datë për zgjedhje vendore. Partia Socialiste po vazhdon fushatën zgjedhore, megjithë anullimin e tyre nga presidenti i Republikës, ndërsa KQZ po vazhdon të përgatitë këto zgjedhje dhe po shpërndan fletët e votimit, ku mungojnë emrat e kandidatëve të opozitës.

Opozita po kundërshton me një seri protestash këto zgjedhje, ndërsa bashkitë e drejtuara nga të zgjedhurit e saj kanë refuzuar të organizojnë zgjedhjet vendore pas anullimit të tyre nga presidenti. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb