Nga: Prof. Dr. PAJTIM RIBAJ*

LANÇ është një nga luftërat më të mëdha, më të organizuara, “një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Shqipërisë”. Si asnjëherë tjetër më parë, populli Shqiptar kapërceu ndarjet krahinore, kulturore e fetare dhe u bashkua i tëri, nga veriu në jug, në një betejë, që ishte betejë e përbotshme, duke u vendosur në krahun e duhur të historisë. Si asnjëherë tjetër më parë gruaja u bë pjesë e historisë, duke iu bashkuar në mënyrë masive radhëve të luftëtarëve të lirisë. Si asnjëherë tjetër më parë, shqiptarët u bënë zot të fateve të tyre, duke siguruar ata vetë lirinë, pavarësinë e integritetin e vendit. Rreshtimi i Shqipërisë në koalicionin e madh antifashist i detyrohet Luftës Antifashiste të popullit shqiptar. Pa të, historia do të kishte rrjedhur ndryshe dhe arritjet e realizuara në vite e shekuj, do rrezikonin të zhdukeshin. Në qëndresën e tyre të armatosur kundër pushtuesve italianë, shqiptarët u vunë në krye të rezistencës antifashiste në Europën e pushtuar nga fashizmi. Organizmin e saj në nivel kombëtar e mori përsipër Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, një organizatë me përbërje pluraliste e gjithëpërfshirëse e themeluar në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, si reflektim i parë antifashist në Shqipëri në përputhje me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara të janarit 1942. Programi i Frontit parashikonte organizimin dhe zhvillimin e kryengritjes së armatosur për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, vendosjen e një rendi demokratik në Shqipëri, të drejtën e popullit shqiptar për të përcaktuar, pas çlirimit, me vullnetin e tij, formën e regjimit politik. Pjellë e kësaj konference ishte e gjithë qëndresa antifashiste që pati jehonë dhe mbështetje prej kombeve antifashiste e sidomos prej fuqive të mëdha aleate: Anglisë, BRSS dhe SHBA, qeveritë e të cilave në dhjetor 1942, me deklaratë zyrtare, njohën kontributin e popullit shqiptar në luftën e përbashkët kundër fashizmit. E nisur me forma të thjeshta, me veprimet e grupeve atdhetare e njësiteve guerile, çetave e batalioneve, me krijimin e UNÇSH, ajo u shndërrua në një ushtri të rregullt, që numëronte dhjetëra-mijëra luftëtarë. Rezistenca Shqiptare i detyroi të angazhonte në territoret e vendit tonë forca të mëdha ushtarake dhe i shkaktoi atij humbje të konsiderueshme. –”Në Shqipëri, shkruan historiani gjerman Michail Shmidt Neke- kishte një rezistencë të qartë ndaj pushtuesve, e cila duke e krahasuar me popullsinë e asaj kohe të Shqipërisë prej 1.000.000 banorë mund të quhet një rezistencë jashtëzakonisht e madhe… duke kontribuar kështu jo vetëm në çlirimin e vendit të tyre, por edhe popujve të tjerë”. Sipas historianit Roderick Bailey, vetë fakti që në harkun e disa muajve, ushtria gjermane e pushtimit organizoi dy operacione masive kundër UNÇL, flet më së miri për forcën e madhe sulmuese të kësaj të fundit. UNÇSH ishte e vetmja forcë e armatosur në Evropë që e çliroi vendin me forcat e veta. Nisur nga momenti historik, për nga detyrat që shtroheshin, pjesëmarrja, karakteri dhe së fundi nga rezultati, LANÇ mbetet një luftë çlirimtare me karakter popullor, e cila solli në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore, çlirimin e atdheut nga zgjedha e huaj, si dhe ripohoi pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Vetëm në raste të tilla cilido motivohet të pajtohet me filozofin Hegel, që besonte se “Lufta ruan shëndetin etik të kombeve”, e deri me mendimin e H. von Treischke, i cili e konsideronte luftën si “Të vetmin shërim të kombeve që vuajnë, pasi lufta është një nga kushtet për progres, fshikullim me kamxhik, që pengon një komb të bjerë në gjumë, duke e detyruar mediokritetin e kënaqur t’i largohet apatisë së vet”.
“Në një kah Lufta Antifashiste risjell epopenë e jashtëzakonshme të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut që “i vuri themele të çelikta kombësisë Shqiptare” dhe e bëri atë të përballojë pa u asgjësuar kompresorin 500 -vjeçar osman. Ajo na risjell të gjallë madhështinë e Kuvendit të Vlorës, si kurorëzim i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe i kryengritjeve të mëdha çlirimtare, kuvend që i dha popullit Shqiptar “rezultatin më të madh që njeh historia e njerëzimit, Shtetin Kombëtar”(K. Frashëri). Kur flasim për Luftën Antifashiste e humbjet e shqiptarëve, sigurisht, duhet të kuptojmë që Lufta Antifashiste nuk qe vetëm epopeja e luftëtarëve e formacioneve partizane. Ajo hapet e shtrihet në formacionet territoriale apo komandat e vendit, me kontributet e formacioneve jashtë Frontit Nacionalçlirimtar, grupeve nacionaliste në luftën kundër nazifashistëve, në rezistencën e guximshme të të burgosurve dhe internuarve nga fashistët italianë e në kampet e përqendrimit gjerman, me viktimat e shumta të pushkatuara e masakruara nga agresorët, angazhimet e ushtarakëve të ushtrisë ish-mbretërore në qëndresën antifashiste, madje dhe të pjesëtarëve nga ushtria e rregullt e ringritur nga okupatorët, që dhanë ndihmesë në frontin e madh të luftës kundër fashistëve në luftën italo-greke e më pas.
Në formacionet partizane u rreshtuan dhe disa qindra ushtarë italianë e të kombësive të tjera, që së bashku me partizanët shqiptarë shpesh u shquan për veprime të guximshme dhe shpirt heroizmi. Në luftën e përbashkët kundër bishës nazifashiste, luftëtarët shqiptarë ndjenë nga afër praninë dhe ndihmën e misioneve aleate anglo-amerikane, të cilët ndanë me ta zjarrin e betejave dhe gëzimin e fitoreve. Kontributi, sakrificat dhe të rënët edhe nga radhët e të huajve, që luftuan kundër nazifashizmit në tokën shqiptare, janë pjesë e pandashme e kontributeve sakrificave dhe e të rënëve të popullit shqiptar që sollën fitoren mbi pushtuesit. Kur përkujtojmë 70-vjetorin e LANÇ-it, mendja të shkon tek ajo plejadë e shkëlqyer idealistësh atdhetarë, që e krijuan dhe e formësuan UNÇSH dhe që e rreshtuan në koalicionin e lavdishëm antifashist, te heronjtë e martirët e vërtetë, te drejtuesit, mjeshtër të fjalës e të veprimit, emrat e nderuar që kanë ndriçuar rininë progresive e rrugën e tyre për emancipim, liri e demokraci. Këto personalitete të shkëlqyera nuk lakmonin asgjë nga jeta materiale, përveçse një investimi te populli liridashës, me përpjekje të qarta, dimension njerëzor, dinjitet dhe sfidën për liri. Ata e bënë detyrën e tyre. Misionarë fisnikë dhe pena të ndritura bindshëm kanë vlerësuar se UNÇSH ishte një forcë e fuqishme goditëse, e organizuar dhe shumë e disiplinuar, se “partizanët janë shumë të ndershëm… shumë seriozë në përpjekjet e tyre”. Edhe në kushtet më të vështira, kur iniciativa strategjike ishte në duart e gjermanëve dhe saktësia e goditjes së tyre mund të çonte në shfarosje, “feniksi partizan mbijetonte”, edhe pse shpesh në mjaft situata, individë e nënreparte partizane ishin të zbathur e të rreckosur, me mungesa serioze për ushqim, “fryma e tyre luftarake dukej e shkëlqyer”; “shpirti për të jetuar në vështirësi të rënda, që mund të idealizohej si shpirt spartanësh me shfaqjet e veta trimërore”.
Përvjetorët e çlirimit janë kujtesë për peshën e lirisë përballë sfidave të njerëzimit, ndoshta është një ditë për atë gjithçka fisnike që bënë heronjtë e martirët e vërtetë. Dhe “… një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyre, jo vetëm në faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtue mbas shembullit të MËDHANJËVE të vet” (Luigj Gurakuqi).
Fashizmi si lëvizje apo formë qeverisje thellësisht reaksionare nuk i përket vetëm së kaluarës. Sepse “barku që nxori kafshën e përbindshme, mund të pjellë akoma” (B. Breht). Është fakt se, për fat të keq, këto paralajmërime për rrezikshmërinë e fenomeneve, që çuan drejt shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, i shohim të përsëriten edhe sot para syve tanë, në rezultatet jo të dëshiruara “të përsëritjes së historisë” në rajon dhe në pika të tjera të planetit, me rreziqe e kërcënime serioze për paqen e lirinë, etj. Kuptohet, sigurimi i një shteti është shqetësim i të gjithëve që del nga dijenia e të gjithë qytetarëve, që “vlerat mbi të cilat shteti i tyre është ndërtuar nuk janë një dhuratë për rezultatet e përpjekjeve kolektive dhe e bindjes së ndërgjegjes së cilitdo dhe të gjithëve” (Havel). Historia edhe mbas 70 vitesh të fitores mbi fashizmin, përcjell bindshëm mësimin se idealet njerëzore i paraprijnë një mosbindjeje të përhershme, universale ndaj së keqes. Kjo është saktësisht ajo që ideuan dhe luftuan themeluesit e koalicionit antifashist botëror. Dhe ne shqiptarët kemi çfarë krenohemi me këtë ditë, frytet e së cilës përvijohen në koalicione të tjera moderne, modele të sigurisë bashkëpunuese etj. Ideali i lirisë që frymëzoi ata qindra mijëra të rinj në vitet e Luftës Antifashiste, mbeti i gjallë dhe në dekadat që sollën fillimin e Luftës së Ftohtë dhe përfshirjen e Shqipërisë në kampin socialist. Kjo ishte hallka që mbajti gjallë lidhjet e shqiptarëve me botën demokratike dhe që solli ndryshimin e regjimit. Dekada e parë e këtij fillimshekulli solli përmbushjen e aspiratës gati një shekullore të popullit shqiptar. Kosova me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian fitoi Pavarësinë, ndërsa Shqipëria u anëtarësua në aleancën më të madhe demokratike që ka njohur njerëzimi që nga krijimi i tij. Anëtarësimi në NATO, na jep një mundësi unike, një herë në jetë sot, për të ndërtuar sigurinë tonë mbi themele krahasueshmërie solide. Sot, me vetëdijen e plotë të historisë së tyre të vështirë, por dinjitoze, me vetëdijen për rolin e tyre në ngjarjet e mëdha të përbotshme, siç ishte Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët kudo që jetojnë, në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Malit të Zi, apo në Çamëri e në diasporën e vjetër e të re disa milionëshe, kanë rolin e tyre të rëndësishëm si një faktor paqeje e stabiliteti në rajon, duke kultivuar bashkëjetesën e bashkëpunimin me popujt fqinjë, në rrugën e përbashkët të integrimeve europiane e euroatlantike. Lufta e Dytë Botërore ka ndikuar fuqishëm gjithë Evropën e mbarë botën, por rrallë herë “ka lënë mbresë aq të shtrirë në kohë sa në Shqipëri”(Fisher). Është e vërtetë se krahas punës lavdëruese, nga pena të shpeshta kemi parë shpesh të dalë një “historiografi” e zbukuruar nga paragjykime dhe ideologji partish, e instrumentalizuar nga qëllimet e Luftës së Ftohtë dhe e harlisur gjatë kësaj të çare dramatike të tranzicionit të gjatë, që i vënë kundrejt njëri tjetrit luftëtarët e lirisë dhe pasardhësit e luftës për çlirim. Kuptohet, Lufta e Ftohtë nuk është puna e një kujtimi dhe nuk jemi në “fundin e historisë”. “Në qoftë se, jehona e zërit të tyre (zëri i atyre që u masakruan dhe u vranë nga fashizmi P.R) do të shuhej, ne do të merrnim fund”,- paralajmëron poeti francez Pol Elyar. Ndihmesa e personaliteteve të spikatura, zbulimi i dokumenteve të reja në arkivat e huaja dhe puna e historianëve të rinj e të talentuar, që i kanë hyrë rrugës për rivlerësimin e historisë së Shqipërisë gjatë luftës, po përcjellin bindshëm të vërtetat e mëdha të historisë botërore, etj, se luftën e provokuan fuqitë e bllokut fashist dhe demokracia perëndimore i konsideroi agresionin fashist dhe ideologjinë fashiste si armiqtë më të rrezikshëm që kërcënojnë njerëzimin. Ndihma që u dhanë formacioneve partizane të partive komuniste të vendeve të shtypura të Europës, ishte tejet e motivuar. Me studimet e tyre, njëherazi, ato përherë e më qartë vërtetojnë se antifashizmi botëror është një kulturë e re dhe shumë e lartë e njerëzimit në shekullin XX, se pushtimi gjerman i Shqipërisë ishte një nevojë e diktuar nga lufta dhe pas këtij pushtimi nuk fshiheshin qëllime politike dhe ideologjike nacional-socialiste; se Gjermania, si një shtet me synime agresive botërore, në kuadrin e boshtit Berlin-Romë-Tokio, ndërmori një luftë për jetë a vdekje. Në planet ushtarake të Vermahtit gjerman, Ballkani e sidomos bregdeti Adriatik, kishte një “pozicion kyç”, “është një nevojë jetike për ne, për zhvillimet e ardhshme në të gjithë frontin juglindor”, për vetë pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë, “… atë duhet ta kthejmë në një bërthamë të fortë për konsolidimin e Ballkanit”. Studimet e fundit e testojnë Shqipërinë si “kryeura e parë e gjeostrategjisë së luftës europiane”. Disfata e Gjermanisë në luftë e cila dukej nga fundi i vitit 1943, tregoi se orientimi tek ajo(Gjermania) për zgjidhjen e çështjes kombëtare, ishte i gabuar. Kjo çoi forca të caktuara në rolin e kuislingëve e kolaboracionistëve, të cilët nuk morën në konsideratë as paralajmërimet e aleatëve se… “pas luftës do të dalin para gjyqit si kriminelë lufte”.
Jemi të ndërgjegjshëm se ky rivlerësim do të jetë i gjatë, por me siguri, siç paralajmëron dhe R.Luraghi,- anëtar i rezistencës antifashiste i Luftës së Dytë Botërore, njëri nga personalitetet më të fuqishme të historiografisë botërore dhe mik i Shqipërisë, më në fund do të hartohet një histori e kësaj ngjarjeje epike dhe tragjike, siç qe lufta antifashiste. Vetëm atëherë, e zhveshur nga zbukurimet false të retorikës, nga ekzaltimet hipokrite dhe nga gënjeshtrat e përhapura, që fatkeqësisht ende vijojnë në versionet partiake, por edhe e pastruar nga balta e hedhur, nga ata që donin ta shihnin atë vetëm si “mit” apo të tjerë që kërkojnë të deformojnë karakterin e saj ose ta lenë në harresë, si mallkimi më i madh që mund t`i bëhet kësaj ngjarjeje historike, Lufta Antifashiste do shfaqet te ne, e me siguri më shumë në sytë e brezave të ardhshëm me madhështinë e saj, me dritëhijet e saj, me heronjtë dhe martirët e saj, por edhe me arrivistët dhe ngatërrestarët e saj, me momentet e saj të lavdishme, por edhe mizore.
Vetëm atëherë do ta kuptojmë se sa e madhe ka qenë, “tmerrësisht e madhe, çfarë burrash ka pasur dhe çfarë kontributi të jashtëzakonshëm i ka dhënë atdheut dhe do të përkulen para saj me respekt, gati-gati me frikë, sepse do ta kuptojnë misionin ose mësimin mbinjerëzor…”(Luraghi)
Shumë vite më parë një shkrim i revistës amerikane përshëndeste brezin që luftoi në Luftën e Dytë Botërore e që ishte në pension, mes të tjerave shkruante vargjet e një kënge lufte shumë e njohur në Britaninë e Madhe që thoshte “… dhe do të kthehen pëllumbat në fluturim/ mbi shkëmbinjtë e bardhë të Doverit/ nesër kur bota do të jetë e lirë. Sot bota është çdo çast më e lirë se sa kurrë më parë; dhe merita i përket, në pjesën më të madhe, këtij brezi të mrekullueshëm (luftëtarët e Luftës së Dytë Botërore). Por pëllumbat nuk janë kthyer akoma: luftëtarët nuk kanë mundur t’i sjellin ata. Kjo do të jetë detyrë e fëmijëve të tyre”.
Mesazhi është tejet i qartë. E parë në retrospektivë, jo gjithçka është zgjidhur gjithmonë drejtë. Por ne nuk mund t‘i lejojmë vetes të ishim qortues të gjyshërve e prindërve tanë. Sepse ne nuk jemi veçse gjykatës të dobët të vështirësive dhe përpjekjeve mbinjerëzore që bënë luftëtarët antifashistë, se gjatë vendimeve të tyre ata u ndodhen përballë problemesh e vështirësish për mbarëvajtjen e Kombit, se këto probleme janë ende përpara nesh dhe ende kërkojnë përgjigje.
E nëse njerëzit e atyre kohëve mund të pranojnë se nuk mundën t’i finalizonin objektivat, – brezi ynë dhe më të rinjtë nuk mundet ta kenë këtë luks…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: