Muharrem Salihu

Denoncimi që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i bëri pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si “spastrim etnik me mjete administrative” është akti më i lartë i denoncimit që një shtet i prekur mund t’i bëjë shtetit dhunues të normave të së drejtës ndërkombëtare.

Këshilli i Sigurimit, është drejtoria e botës. Gjithnjë nëse shohim botën si një shtet i veçantë. Atje, mirren vendimet më të rëndësishme, më kuptimplote dhe që përkojnë me të drejtën universal: Të drejtat e lirive të njeriut!

Vjosa Osmani, na ngjalli shpresën. Ajo bëri që banorët e Medvegjës por edhe tërë komunave në tërësi, të ketë shpresë se diçka ka filluar të ndryshojë. Të ndryshojë për të mirë.

Duhet përmendur se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po e mbanë lartë bajrakun e denoncimit, i cili, në fakt, përmendet dhe në raportin Komisionit te Helsinkut të Sonja Biserkos për shqiptarët e Serbisë.

Dozën e shpresës se diçka po fillon të ndryshojë, e shtoj edhe këshilltari politik i presidentes Osmani, Artan Murati, se kjo çështje njëmend do të trajtohet, të trajtohet seriozisht në instance të ndryshme.

Kjo na duhej. Flamuri duhet të mbahet lart nga të gjithë krerët e institucioneve tona , Kosovës dhe Shqipërisë, në plan dypalësh.

Kemi humbur kohë, nuk guxojmë të humbim akoma. Znj.Osmani na paralajmëroj se e drejta, herëdokur nuk harron. Na duhen miq në këtë betejë sepse punët e mira duan urtësi. Punët e mira bëhen bashkë.

Nga reagimi i presidentes Osmani, ne jemi shumëfish të motivuar, meqënëse ky reagim , është pasojë e një fushate sensibilizuese që AFEDS ka nisur prej kohësh, duke filluar në kancelari, institucione vendore dhe ndërkombëtare, në organizata me renome si WDC, Bruxel e deri te Komiteti Serb i Helsinkit, ku AFEDS ishte bashkëbiseduesi kryesor i Sonja Biserkos në Raportin e famshëm ku u perdor për herë të parë shprehja-“spastrim etnik me mjete administrative”, duke ju referuar pasivizimit.

Tash e tutje, me vulën e Presidentes, ky togfjalesh, duhet të jetë etiketa e aksionit tonë kombëtar për ta shpetuar Medvegjën si vatër autoktone e shqiptarisë në Ballkan!

Kosova nuk do të bëjë ministri kthimi, as do sjellë ushtrinë në kufi si bëri Serbia duke viktimizuar qytetarët e vet në Kosovë, pa asnjë shkak. Por nuk mund të tolerohet spastrimi etnik më. Jo në kushtet kur, tanimë ne si komb nuk jemi të dobët. Nuk jemi të paktë. Jemi shumë!

Jemi të dëshmuar si kontributorë te paqes; kur populli shqiptar në Serbi ka qytetarë të mirë që respektojnë ligjin në shtetin e vet.

Duhen fjalë, por fjalët nuk mjaftojnë. Duhen dhe veprime konkrete. Veprime të menjëhershme. Vetëm dhe tok.

Flaka shpresës që u lind nga veprimi i znj.Osmani,  nuk duhet të fiket!

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: