Nga: Prof. Dr. Ago Nezha

Situata e pistë politike, e acaruar, kritike dhe kaotike, që po përjetojmë sot, s’është e papritur e as befasuese, por një ritual me profil të ndërkëmbyeshëm, në vazhdën e kënetës erëkeqe 25-vjeçare, që s’ka për t’u tharë kurrë me këta aktorë që qarkullojnë në skenën politike shqiptare. Tranzicioni ynë i pafund, është trembur, është vrarë, traumatizuar e përçudnuar nga liderët-ujqër, që mbajnë timonin shtrembër të lokomotivës së demokracisë. Shtresës së intelektualëve, që përjetojnë këtë kaos politik, u janë vrarë ëndrrat dhe ndihen të trembur, të deziluzionuar, të fyer, të zhgënjyer, deri edhe të përbuzur e të pazot, për të ndryshuar moralin e politikanëve tanë të pamoralshëm. Në një shoqëri si e jona, ku vesi është shndërruar në virtyt dhe virtyti në ves, është vështirë të kërkosh standarde demokratike. Por fatkeqësisht, pjesën më vitale të intelektualëve, që janë perla në gjirin e shoqërisë, e gjen të strukur, të përhumbur, të përgjumur në strehën e tyre familjare. Zëri i tyre ka perënduar para daulleve të politikanëve tanë “specialistë” dhe një klase tjetër mediatike që quhen analistë; që të dyja palët kanë pushtuar ekranet e televizioneve tonë të panumërta. Orkestra e “opinionistëve” oportunistë na shfaqet çdo natë para ekraneve televizive nën drejtimin e ‘dirigjentit’ të emisionit, që flasin dhe analizojnë të gjitha fenomenet dhe sektorët e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore. Përfytyroni një emision mes debateve të “analistëve”, që zhurmojnë, bërtasin dhe në disa raste fyejnë njëri-tjetrin, sipas tifozërisë së përkatësisë partiake që përfaqësojnë. Nuk ka vështirësi t’i identifikosh, sepse njihen dukshëm se cili klan është në favor të së majtës dhe cili në favor të së djathtës. Rrallë gjen ndonjë analist me integritet të shprehur te e vërteta. Por do ishte e keqja më e vogël po të ndaleshim te emra të veçantë, që kanë hipur në podiumin e opinionistëve mediatikë. Ajo që vërejmë rëndom në çdo emision, që organizohet për probleme politike, ekonomike e shoqërore, është se përballemi me të njëjtët emra, që janë “specialistë profesionistë” dhe bëjnë analiza me “kompetencë” për të gjitha fushat e jetës. Dëgjon rëndom të debatojë mësuesi apo ekonomisti për ekonominë, bujqësinë, artin, kulturën, diplomacinë, astronominë dhe gjithësinë. Zëri i tyre kumbon fuqishëm, mes kolegësh, saqë krijon kakofoni dhe zhurmon si daullja, që bën shumë zhurmë por brenda është bosh. Në të gjitha këto fusha të larmishme jetësore, ka specialistë përkatës, shkencëtarë, intelektualë të shquar, madje dhe profesorë me emër, që kanë botuar me dhjetëra libra me përmbajtje shkencore, dhe për çudi nuk thërriten ata në studio për të përcjellë një mendim të saktë, me kompetencë profesionale, por “analistët”, miqtë e bezdisshëm të ekraneve televizive, që kanë dalë boje me opinionet e tyre klishe. Jeta politiko-shoqërore shqiptare, është pushtuar nga skuadrat e deputetëve dhe opinionistëve. Tashmë kemi dy parlamente që pushtojnë çdo ditë ekranet televizive. Parlamentin politik, që del nga populli, dhe “Parlamentin” e opinionistëve, që e kanë formatuar drejtuesit e mediave sipas preferencave të tyre. Të dyja palët ngjajnë si vëllezërit siamezë. Mediat, që tashmë dihen për elitën e tyre preferenciale, janë në shërbim të pronarëve të tyre, që kanë interesa biznesi, larg fjalës së lirë dhe të vërtetë. Në Shqipëri s’ka liri reale. Ka vetëm liri formale dhe virtuale. Kemi lirinë e fjalës pa kufi, që fluturon në hapësirë pa lënë gjurmë. Liria e ka humbur kuptimin e vërtetë, duke filluar nga piramida e shoqërisë, që nis te legjislativi, ekzekutivi, drejtësia dhe media. Liria te ne, është kthyer në një opsion abstrakt. Kjo situatë dramatike, në trupin e shoqërisë shqiptare ka prekur të gjitha gjymtyrët e demokracisë liberale. Autorët e kësaj tragjedie 25-vjeçare janë liderët e partive-paradë, që kanë parakaluar në truallin e “demokracisë” së deformuar. Ata, e kanë kuptuar thellësisht se pema më pjellore që të bën të pasur, është politika. Kjo filozofi ka funksionuar duke e privatizuar politikën në dorën e liderëve, që ata të mund të rekrutojnë rreth vetes një staf me vese, koniunkturalë, servilë, shërbëtorë të bindur e besnikë në strategjinë e tyre të makutërisë pasurore. Politika shqiptare sot është përfshirë në një vorbull korrupsioni, që vërtitet në një rreth vicioz, duke këmbyer vendet të majtë e të djathtë, saqë nuk është e vështirë të zbulosh aktorët e roleve kryesore në këtë lojë të pistë. A thua se nuk i dinë historitë e shëmtuara që ka përjetuar shoqëria shqiptare pas viteve ’90, kryeministrat, kryetarët e gjykatave dhe prokurorët e radhës, se kush janë autorët e plaçkitjes së pasurisë, të krimit, të korrupsionit dhe prostitucionit, që ka pushtuar çdo qelizë të jetës së vendit?! I dinë fare mirë, por reciprokisht janë përfshirë në afera të pista, ku janë ndotur kush më shumë e kush më pak, dhe s’kanë kurajë që të përballen me të vërtetën. Shumë publicistë të shquar, apo zëra të njerëzve të ndershëm që thërrasin nga thellësia e ndërgjegjes në ekranet e televizioneve, i bëjnë apel popullit të ngrihet në demonstratë, dhe shpesh e bëjnë atë fajtor për këtë situatë të rënduar nga krimi, korrupsioni, prostitucioni dhe varfëria e tejskajshme. Intelektualëve të ndershëm u dhimbset kjo situatë kritike që kalon vendi. Por populli është kthyer në një nocion konvencional. Popullin politika e ka kthyer në një kope pa fre. Partitë politike, krahas segmenteve të tjera demokratike, kanë kompromentuar dhe korruptuar të ashtuquajturat përfaqësuese të popullit, siç janë Sindikatat dhe Konfederatat. Ato janë kthyer në organizma formalë. Politika u ka dobësuar sustat e autoritetit publik, kështu që kanë humbur inercinë e fakteve dhe kanë ulur tensionin e idealeve të shtresave në nevojë. Demagogjia e Sindikatave e ka zhvendosur sovranitetin popullor, nga roli për të ruajtur aftësitë e të gjykuarit dhe arsyetuarit, për një veprim të caktuar, në shpërbërjen e mendimit kolektiv, duke e çarmatosur nga aftësitë dhe forca që ka grupimi në raport me individin. Opinioni publik, po të jetë i strukturuar në organizma efiçentë, siguron suksesin ose dështimin e një politike eklektike. Një popull të paorganizuar si ky i yni, e ke të lehtë për ta sunduar, siç po ndodh në realitetin tonë demokratik. Një popull pa sindikata, është jetim. Proceset e ideve të formimit publik, nuk lindin nga turmat, por nga intelektualë të veçantë, që ia përcjellin popullit dhe e nxisin atë për ndërgjegjësimin e tyre. Në Shqipëri vërehet qartë, se është bërë i gjithëpushtetshëm opinioni politik, duke udhëhequr verbërisht opinionin publik. Në fasadën mashtruese të demokracisë, opinioni publik dhe opinioni intelektual janë nëpërkëmbur nga politika dhe qeverisja “demokratike”. Gjeneza e demokracisë shqiptare është një trashëgimi sundimtarësh, që ka uzurpuar pushtetin për përfitime të pakufishme nëpërmjet klientelizmit, korrupsionit dhe krimit. Këtë filozofi e përligjin me deklarimet e tyre politikanët, parlamentarët dhe pushtetarët tanë, me akuza e kundërakuza publike, që po i përjetojmë si telenovela gjatë këtyre 25 vjetëve në ekranet e medias vizive. Kjo situatë po qarkullon çdo ditë në sfondin mediatik, që kalon si një ëndërr e keqe, për kuriozitetin e publikut, por si gjithmonë, pa u gjykuar e ndëshkuar, për pasojat rrënuese që i ka sjellë popullit. Dëgjojmë të përmenden pa u lodhur nga liderë të ndryshëm tragjedia e Gërdecit, Rruga e Kombit, masakra e 21 janarit dhe së fundi komedia e CEZ-it, dhe vetëm kaq, pa pasur asnjë pasojë apo rrugëzgjidhje institucionale. Politika, në emër të demokracisë, ka luajtur me mjeshtëri për të shmangur opinionin publik dhe për të shuar zërin e intelektualëve ekspertë. Shoqëria shqiptare ka një çerek shekulli që po vërtitet në një rreth vicioz, ku vijnë rrotull veset dhe virtytet, por intelektualët tanë nuk e kanë vështirë të zbulojnë gjithë botën morale të politikanëve, që ka dalë sheshit në tregun mediatik. Por, ajo që vihet re në komunitetin intelektual, është se ka një frenim, indiferentizëm dhe mosbesim në forcën e fjalës së tyre. Ka shumë intelektualë, që individualisht ata e thonë fjalën e tyre kryesisht nëpërmjet medias së shkruar, se atë vizive e kanë pushtuar “ekspertët” opinionistë. Por nuk mjafton me kaq! Fjala individuale, sado e fuqishme që të jetë, i ngjan një piskame në shkretëtirë. Ndërsa po të jetë mendimi intelektual i strukturuar në një forum intelektualësh, nuk do të ngjajë me një fllad veror, por me një cunam që diçka të keqe do shkatërrojë, qoftë dhe pjesërisht. Intelektualit të ndershëm nuk i falet të heshtë para korrupsionit, që ka pushtuar çdo segment të jetës publike. Nuk i falet të heshtë para injorancës që sundon politikën shqiptare. Nuk i falet të heshtë para varfërisë që ka pllakosur pjesën dërmuese të shoqërisë, që e shohim të leckosur, të pangopur dhe lypëse, kur vendi ka pasuri përrallore, që është bërë pronë e politikanëve tanë. Dihet që ka edhe intelektualë të majmur nga politika, por ata janë në minorancë. Një miku im i rinisë, deputet në disa legjislatura, në një takim të rastësishëm më tha: “Mbete idealist tërë jetën”. Sigurisht që, ai e shihte si jashtë mode moralin tim. Në këtë diversion i thashë: “Kam parasysh Zhan Zhak Rusoin, që thotë: ju u pasuruat, e ne mbetëm njerëz'”. Ai, jo vetëm që s’u skuq, por ka thënë me vete, “pse merrem me njerëz anakronikë, jashtë modës së kohës”. Nuk është vendi, që vetëm të mohojmë, por duhet edhe të pohojmë si duhet të dalë shoqëria nga ky batak në të cilin e ka zhytur politika. Intelektualë patriotë, me ndjenja kombëtare, që e kanë të veshur mantelin e virtytit, duhet të shfaqen me më shumë shkëlqim ndaj teprimeve të veseve që kanë pushtuar klasën e politikanëve tanë. Arsyeja dhe kultura intelektuale janë binomi që zhduk çdo paragjykim që ekziston te liderët e forcave politike. Në rast se mungon kultura, fiton anarkia, despotizmi dhe, për rrjedhojë, cenohet liria e individit. Ky parlament e ka konsumuar veten duke u zhytur thellë në botën e korrupsionit. Ndaj është domosdoshmëri, që në këtë situatë kritike që po kalon vendi, komuniteti i intelektualëve duhet të ketë zërin e tij të bashkuar në një forum të vetin. Në një vend si Shqipëria, ku të mençurit, të mirët dhe të ndershmit vegjetojnë, është krejt normale, që të ligjtë, maskarenjtë dhe imoralët të lulëzojnë. Ndaj është koha që intelektualët të reagojnë.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: