TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili tha sot se themeli i asaj që ishte beteja kryesore me Edi Ramën ishte prerja e duarve nga zgjedhjet. Ai deklaroi se opozita nuk i ka hapur rrugë Ramës dhe se ka bërë detyrën në Këshillin Politik. Sa iu përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nga maxhoranca, Vasili tha se mendon se do i bëjnë derman. Sipas tij, Rama ka frikë përballjen.

“5 qershori solli që administrimi i zgjedhjeve ka përgjegjësi të ndara mes maxhorancës dhe opozitës. Njëherazi një tjetër paketë e cila pak vëmendje ka marrë ka qenë një paketë e tërë ndryshimesh ligjore ka qenë më kriminalizmin e shitblerjes së votës etj. Themeli ishte që duhet të jeni të qetë se votën e 5 qershorit nuk e prek njeri. Pra, nuk i kemi hapur rrugë Edi Ramës, kemi bërë detyrën deri në fund në Këshillin Politik. Këto janë ndryshime të njëanshme të sistemit të cilat mendon se do i bëjnë derman. Zero derman. por iu kemi bërë të qartë shqiptarëve një gjë, që ky nuk mban marrëveshje, mashtron nga Shqipëria deri në Bruksel dhe është i gatshëm të thyejë çdo rregull nga frika e humbjes.
Edi Rama ka vetëm një sëmundje, një hall, një patologji, nuk do përballje. Ne kemi për detyrë që më 25 prill ta shpëtojmë nga kjo sëmundje.
Sot ka një bllok opozitar dhe Edi Rama vetëm. Nuk ka qenë kështu në 2017. Nuk ka pasur një faktor ndërkombëtar të tillë në 2017. E keni dëgjuar gjuhën e Gjermanisë sot, gjuhën e BE-së sot”, tha Vasili.
Sa i përket pjesëmarrjes së opozitës në Këshillin Politik, përfaqësuesi i PD-së në këtë organizëm, ish-deputeti Oerd Bylykbashi tha se ishte e vetmja detyrë e opozitës.
“Reforma nisi me marrëveshjen e 14 janarit për të zbatuar rekomandimin nr.1 të ODIHR-it një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale. Pjesëmarrja në këtë këshill ishte i vetmi moment që opozita kishte një detyrë. Këtë detyrë dhe angazhim opozita e kreu 100%, me një kontribut profesional. Nëse prokuroria nuk do të bëjë detyrën do të jetë e qartë që është palë me qeverinë. Ata që kanë kryer krime zgjedhore duhet të përballen me drejtësinë. Detyra jonë ishte reforma zgjedhore konsensuale dhe ne e bëmë këtë. Modeli i koalicionit zgjedhor që ka Shqipëria nuk gjendjet gjëkundi.
Për sa na përket ne, prova për atë që ishte 2017 sot në sytë e publikut, është në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, është në sytë e kujtdo. 2021 nuk do i japë këtë mundësi. Çfarëdo të bëjë nesër Edi Rama nuk do ndryshojë humbjen e tij në zgjedhje”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb