Erisa Xhixho ka deklaruar se projektligji për shtimin e tatimit 23% mbi të ardhurat për profesionet e lira dhe të vetëpunësuarit, i propozuar nga qeveria, do të rëndojë mbi avokatët, kontabilistët, mjekët e dentistët, të cilët gjenden të papërgatitur për këtë vendimmarrje, në këtë kohë krize të rëndë ekonomike.

Po ashtu Xhixho shprehet se qeveria ka vendosur ta zhvendosë në kurriz të profesionistëve të lirë një pjesë të barrës së borxhit.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë!

Projektligji për shtimin e tatimit 23% mbi të ardhurat për profesionet e lira dhe të vetëpunësuarit, i propozuar nga qeveria, do të rëndojë mbi avokatët, kontabilistët, mjekët e dentistët, të cilët gjenden të papërgatitur për këtë vendimmarrje, në këtë kohë krize të rëndë ekonomike.

Partia e Lirisë shpreh bindjen se ky taksim i pastudiuar është prova e radhës se sa të paqëndrueshme janë politikat e taksimit, të cilat godasin bizneset që pasi kanë bërë një planifikim për ecurinë e tyre u ndryshohet tatimi.

Le të sjellim në vëmendje se kjo qeveri e ka ndryshuar 4 herë mënyrën e deklarimit brenda 4 vitesh.

Shqipëria nuk arrin as standardet e Kosovës për qëndrueshmëri të politikave fiskale dhe të mos flasim për Maqedoninë e Veriut apo më tej.

Varfërisë, mungesës së mbështetjes sociale, papunësisë dhe humbjes së shpresës, si arsyet që po i shtyjnë shqiptarët të largohen, po u shtohet edhe një tjetër.

Partia e Lirisë do të paraqesë në Kuvend amendamentin për mosmiratimin dhe shtyrjen e vendosjes së një mase të tillë deri në kapërcimin e krizës së rëndë ekonomike.

Profesionet e lira me këtë taksim do të detyrohen të paguajnë më shumë se biznesi i vogël dhe se biznesi i madh.

Me këtë ligj, qeveria ka vendosur ta zhvendosë në kurriz të profesionistëve të lirë një pjesë të mirë të barrës së borxhit dhe pagesave të inceneratorëve, pasi përfitimi që do të arrijë nga ky taksim është plot 2 miliard lekë ose 20 milion dollarë.

Ndërkohë që të gjitha organizmat financiare ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë, kërkojnë që të mos rritet barra fiskale në kohë krize për të gjitha shtresat e shoqërisë, por të ndihmohen me paketa reale sociale.

Ky ligj vjen si një vendim arrogant dhe arbitrar i qeverisë, në mungesë totale të diskutimit me grupet e interesit.

Partia e Lirisë ka denoncuar gjithmonë veprimet e qeverisë « Rama”, e cila i shton taksat mbi qytetarët, që të paguajë klientët e saj oligarkë dhe aferat e saj që nga inceneratorët, koncesionet dhe tenderat me dhjetëfishin e cmimit.

Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë sa herë qeverisë nuk i dalin llogaritë dhe i duhen para për të mbyllur aferat e saj.

Partia e Lirisë shpreh bindjen se një sistem i pandershëm, i padrejtë dhe në ndryshim të vazhdueshëm është arsyeja e mungesës së stabilitetit dhe të garancisë për të ardhmen si dhe mungesës së investimeve të huaja.

Partia e Lirisë shpreh edhe një herë qëndrimin e saj të palëkundur se është e domosdoshme shtyrja e vendosjes së taksimit për profesionet e lira deri në kalimin e krizës për të mos rënduar në mënyrë të menjëhershme rritjen e barës fiskale në këtë periudhe dhe për të mbështetur rritjen e kapitalit njerëzor aq të domosdoshëm për zhvillimin e vendit.

Profesionistët e lirë janë shtresa që siguron të ardhurat nga aftësia profesionale dhe të cilët janë po aq të goditur nga kriza e cmimeve e nëse do të goditen duke i rritur barrën fiskale në këtë moment thjesht po u jepet mesazhi që këtu nuk ka qeveri dhe alternativa e vetme u mbetet emigracioni.

Partia e Lirisë i denoncon me force këto vendimmarrje si pjesë të axhendës së qëllimshme të qeverisë, e cila synon shpopullimin të vendit nga të rinjtë, intelektualët dhe profesionistët dhe e cila duhet ndalur një orë e më parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: