Presidenti Ilir Meta ka thënë gjatë një interviste televizive se ndjen zero shqetësim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për një shkarkim të tijin.

Kreu i Shtetit ka thënë se shkarkimi nga ana e Parlamentit nuk ka ndodhur për shkak të shkeljes së Kushtetutës, por për shkak se ai ka mbrojtur sovranitetin e Shqipërisë ndaj armiqve.

Pjesë nga intervista:

Gazetarja: Ju keni një përballje me Parlamentin në Gjykatën Kushtetuese dhe ne presim që të hënën të vijojë seanca e nisur.

Presidenti META: Ka tri vite me hetime, me procese farsë, që mbështeten me nenin që nuk ekziston më në Kushtetutën e Shqipërisë: “Agjitacion Propaganda”. Kjo është çështje e tyre. Nuk më shqetëson aspak mua si Ilir Meta.
Por sa i takon përgjegjësisë që kam si President i Republikës, kjo është e rëndësishme pasi kuptohet se gjithçka bëhet në funksion të kapjes totale të shtetit, dhe të institucioneve që kjo mazhorancë nuk i ka kontrolluar dot deri më tani.

Gazetarja: Megjithatë, zoti Meta, a i druheni ndonjë vendimi për shkarkim? Ju jeni shprehur dhe është e natyrshme që ky vendim, për vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, do të shërbejë si një precedent, sepse është hera e parë që kemi një situatë të tillë. A besoni se do të matet shumë Gjykata Kushtetuese për të dhënë një vendimmarrje të tillë për shkak të saj apo i druheni se do të ketë një vendim të tillë të shpejtë dhe ai do të jetë shkarkimi juaj?

Presidenti META: As kam pasur dhe as kam ndonjë shqetësim se ç’do të bëjë Gjykata Kushtetuese me këtë çështje!

Sepse nuk mendoj se ka ndonjë qytetar të Republikës së Shqipërisë, që nuk e ka të qartë se ky është një proces, ose që të gjitha proceset që janë nisur nga Parlamenti, janë të bazuara në Nenin “Agjitacion-Propagandë”, që është një nen, që nuk ekziston më në Kushtetutën tonë.

Presidenti gjykohet për aktet e tij. Kushtetuta është shumë e qartë se kur shkarkohet Presidenti. Shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës! Pra, as për shkelje të lehtë dhe as për shkelje të tjera! Për shkelje të rënda! A e dini ju se cila është shkelja e rëndë e Kushtetutës? Është kur Presidenti cenon integritetin e vendit, të nxjerrë ndonjë sekret shtetëror që është në funksion të interesave të armiqve të Shqipërisë! Të cenojë interesin kombëtar fjala vjen, për kufijtë e shtetit të Kosovës apo të interesave të tjerë të shqiptarëve!

Për mua është shumë e qartë se thelbi i gjithë këtij procesi, është pikërisht kjo: Se Ilir Meta duhet ndëshkuar, sepse ka shkatërruar planet e armiqve të Shqipërisë për të cenuar integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë, sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës, që ne e kemi detyrë kombëtare për ta mbrojtur, dhe intereset e tjera kombëtare të shqiptarëve, dhe nuk më shqetëson si qëllim i tyre. Përkundrazi, unë dhe ekipi im bëjmë detyrën tonë në mënyrë që të mbrojmë deri në fund Institucionin e Presidentit të Republikës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb