TIRANE- Deputetja Elisa Spiropali është zgjedhur në postin e Koordinatorit Kombëtar për Bashkëqeverisjen në Partinë Socialiste, duke zëvendësuar kështu Saimir Tahirin në këtë detyrë. Lajmin e konfirmoi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së partisë.

Kryesia e PS u mblodh pasditen e sotme për të diskutuar mbi lëvizjet e ndodhura ditët e fundit në parti. Në mbledhjen e kaluar të grupit parlamentar, kreu i partisë Edi Rama, njoftoi largimin e deputetit Saimir Tahiri nga grupi, deri në zbardhjen e së vërtetës. Sakaq, atij iu hoqën edhe funksionet e tjera në PS.

Saimir Tahiri ishte kreu i Partisë Socialiste për Tiranën, dhe Koordinator Kombëtar për Bashkëqeverisjen.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Socialiste, u vendos emri që do të zëvendësojë Tahirin në krye të PS për Tiranën. Në këtë detyrë u zgjodh Blerina Gjylameti.

Ndaj deputetit Tahiri, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për implikimit të emrit të tij në dosjen e përgjimit të bandës së Habilajve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: