Në studion e emisionit “Pikat mbi I” u fol për rikthimin e Berishës në krye të PD.

Analisti Artur Zheji tha se duhet parë nëse Berisha është më i mirë se ish-kryetari Lulzim Basha, të cilin e ka mbështetur prej vitesh. Nga ana tjetër, analisti Fatos Lubonja tha se fitorja e Berishës i shërben PD, por sipas tij është e pa mjaftueshme për të prodhuar rrotacion politik.

Ai tha më tej se mungojnë alternativat partiake pasi Partia Socialiste ka “mposhtur” rininë.

Zheji: Brenda një viti kemi një kryetar të ri, largimin e egër të Bashës dhe fushatë të re të ngritur për krimin opozitar të Bashës, mbi dëmin opozitar të Bashës. Çfarë ka të keqe historia e opozitës, Basha ishte shpikësi, kultivuesi i këtyre të zezave. Ai u zgjodh me 80% të votave. Kishte kandidatë më seriozë, kishte zotin Shehaj.

Një vit më pas shohim një progres apo regres me zotin Berisha. Kishte përballë zotin Elezi dhe fitoi me 94% të votave. Ne kur shohim që pas një rezultati zgjedhor e pas zgjedhjeve një anëtari një votë, ne nuk e dimë dhe tronditemi që ka ngazëllim, të një fitoreje të parashikuar. Unë them që publiku tanimë ka një lider të ri të opozitës që është Berisha. A mjafton? Mua më duket se nuk mjafton fare. Këto të dhëna të bëra në përshkrimin me një algoritëm ironik flasin qartë. Nuk e dimë është kjo apo jo rezultati i asaj që pritej. Është e trishtueshme për diferencën cilësore për opozitën e re.

Lubonja: Unë them që nuk mjafton për të bërë rotacion. Analizën e bëj pak ndryshe. Duke dëgjuar Zhejin është sikur thotë që ajo që kishim para një viti ishte më mirë se kjo sot. Për çështje numrash na e tregoi 6 marsi. Ajo që nuk mjafton s’diskutohet, por nëse do të ishin ato tjerët ishim më keq akoma. 6 marsi tregoi që Berisha kishte më shumë se sa Basha. Kjo vlen për të menduar përtej opozitës. Kemi thënë shumë gjëra për Berishën. Ajo që unë i bëj analizë më tej kësaj, është kjo, që si ka mundësi që me kalimin e kohës ndërkohë që kushtet ishin maksimale për të dalë forca të reja, e prapë forcën më të madhe brenda opozitarëve arrin ta bëj Sali Berisha. Unë këtë s’e lidh shumë me personat, Berishë, Lulzim Bashën. E lidh me një degradim të Shqipërisë në kuptimin e krijimit të mundësive për të lindur forca të reja. Kur Greqia ishte në krizë, ishte një parti e vogël, që kishte 3.4% e për 2-3 vite për shkak të pakënaqësisë së popullit grek, u bë 40%. Pse në Shqipëri s’del kjo? E ka fajin Berisha, Rama? Jo. Unë gjykoj që Greqia me të gjithë mëkatet që kishte elita, ata s’e kanë vrarë rininë, shoqërinë me dhunë, presione, korruptim. Rinia e atjeshme mbyllte prindërit me çelës që të mos votonte. Ishte një rini e fortë. Te ne prindërit e kanë mbyllur rininë me çelës. Kjo është për analizë, e hodha si tezë.

Zheji: Ajo që thotë Lubonja është e drejtë, por është në makro. Si ka mundësi që e njëjta parti në një vit, ndërroi mendim nga një kryetar në një kryetar tjetër që të gjithë fushatën për kryetarë e bëri duke njollosur ish-kryetarin që ishte propozimi i tij. Ne kemi rikthimin e një partie pronë të një personi. Demokratët thonë që i përkiste, është e vetja. Në të vërtetë e vetja ishte, por a është kjo skema për të mundur Ramën që me rilindjen, që më pëlqen shumë si term, spostoi vjetërsirat, i rehatoi, u la mundësi biznesesh dhe implementoi rilindjen si bërthama e re të PS e ai në krye të saj. Që do të thotë e pronësoi PS-në. Të gjithë pikat strategjike i ka njerëzit e vet, grupin e vet. Edhe Berisha u rikthye me grupin e besnikëve të vet. Pse duhet t’ia jap votën njërës apo tjetrës? Ka shumë shqiptarë të lodhur nga këto alternativa. Kemi 2 parti të simetrizuara që kanë një komandë, një pronësi dhe do të ndeshen për një plaçkë pushteti. Do të krijojë kjo diferencën e dyndjes te PD? Nuk kemi model të ri. Kemi grumbullim pushteti. Kjo do të jetë zhgënjyese, por kjo është Shqipëria.

Lubonja: Kur u zgjodh Basha ishte e gjithë PD, me gjithë Berishën brenda. Askush s’kishte iluzionin që Basha kishte bërë riformim të PD. Një parti që duhet të kishte dënuar sistemin, oligarkët, etj etj. Basha se bëri. Ajo që ndodhte në atë kohë ishte që kjo konsiderohej forcë e madhe për të bërë rrotacion. Unë isha për rrotacionin, sepse duke u hequr nga pushteti një njeri që ka prirjen për ta cuar makinën në humnerë, ne mund ta frenojmë pa bërë veprimin dhe të behej kthesa. Në këtë frenim edhe ne kërkojmë frenim. Ne kërkojmë frenim, jo diçka të re. Basha në vend të rezistencës dhe frenimit. Të demaskonte vjedhjen e votës, fushatë, e sposoti me ndihmën e Ramës te lufta brenda PD duke e shpallur non grata Berishën. Ishte i pa besueshëm si version. U pa qartazi që kjo i interesonte Ramës. Dalja e Berishës kundra nuk është se sjell fuqizimin, por të paktën heq qafe një lloj opozite që i është nënshtruar regjimit. Një opozitë që heq kryetarin se s’ka këllqe, kjo opozitë nuk mund të ndërrojë sisteme në Shqipëri. Sistemi është shumë problem.

Zheji: Unë do të isha i gëzuar të përgënjeshtroheshin dhe të shohim ç’a është kryer, që Berisha u zgjodh kryetar, që Ramën po e zë gjumi, këtë se besoj. I kam parasysh lotët që u derdhën kur Berisha dha dorëheqjen. Opozita e atëhershme mori 1 mln vota. Më 25 prill opozita mori mbi 600 mijë vota. Në një lloj kuptimi kam një merak të madh që në planin personal fitorja e Berishës është krye. Për atë që është votuar për të kryer rrotacion, s’është bërë asgjë. Nuk e ndjej veten afër rrotacionit, përkundrazi mendoj që rrotacioni largohet. Ndaj jam kritik dhe kërkoj nga forcat politike që të dalin forca të tjera mbështetëse që të kenë joshje për pjesën gri. Ne harrojmë që pjesa më e arsimuar e Shqipërisë është refuzuese ndaj këtyre vendimeve. Në njësinë tre, ku është votuar një anëtar një votë, nga 1500 janë votuar mbi 250. Ka pasur pjesëmarrje të ulët. Pak rëndësi ka kjo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb