Teksa e gjithë vëmendja dhe debati politik është përqendruar te fakti se cili do të jetë presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, sot është afati i fundit për të dorëzuar propozimet për kandidat. Siç është përcaktuar, afati është deri në orën 16:00 dhe gati 2 orë para mbylljes së këtij afati nuk ka asnjë emër që mund t’i nënshtrohet nesër votimit.

Ndërkohë pasditen e nesërme në orën 17:00 është parashikuar nga Konferenca e Kryetarëve që të mbahet, qoftë edhe formalisht, raundi i parë i votimit.  Pavarësisht lakimeve nga politika për një president konsensual, deri më tani mazhoranca dhe opozita ende nuk kanë gjetur një konsensus të përbashkët për emrin e kandidatit.

Gazetari Ergys Gjençaj në një lidhje direkte për News24 nga Kryesia e Kuvendit pohoi se në rastin që ka një kandidaturë, apo disa, ato do të bëhen publike nga Kuvendi dhe më pas emrat do të kalohen në Komisionin e Ligjeve. Gjençaj theksoi se më pas vlerësohet kushtetutshmëria e kandidaturës. Kushtetuta përcakton dy kritere; presidenti i Republikës duhet të jetë mbi 40 vjeç dhe 10 vite që të jetojë në Shqipëri.

Kujtojmë se ditën e premte, pas takimit me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Fatmir Mediu tha se do të ishte e vështirë që të hënën të kishte një emër për të votuar. Të njëjtën gjë pohoi edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb