Jo vetëm mazhoranca dhe opozita, por këtë herë në proces pritet të përfshihen propozimet e shoqërisë civile dhe të qytetarëve, që janë ftuar të japin emrin që mendojnë përmes platformave elektronike.

Ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka njoftuar se këtë të mërkurë në orën 15:00 do të zhvillojë një takim me përfaqësuesin e grupit parlamentar të Aleancës për Ndryshim, Fatmir Mediu. Ndërsa takimi me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i cili ishte parashikuar në orën 17:00 do të shtyhet për një ditë tjetër, ndërsa mazhoranca do të përfaqësohet nga Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali.

Ky zhvillim vjen një ditë pasi deputetët socialistë, hodhën tre emrat e propozuar në kuti votimi. Nga ky proces sipas kryeministrit Rama do të merret gama e emrave të propozuar, për të dalë më pas në një të vetëm. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se dy orë para mbledhjes mes mazhorancës dhe opozitës do të ketë një mbledhje tjetër mbi këtë çështje, me anëtarët e Shoqërisë Civile.

Pritet sakaq, që gjatë kësaj periudhe, deri më datë 4 maj, ku është caktuar edhe seanca e posaçme plenare në Parlament do të ketë vijimësi konsultimesh nga të gjitha palët. Kërkesa e mazhorancës, edhe e disa prej krerëve të grupeve parlamentare është që Presidenti i ri të jetë mbi palët dhe të përfaqësojë unitetin e popullit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb