PRISHTINE– Presionet brenda korpusit politik serb po përsëriten edhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 22 tetor në Kosovë.

Komisioni vëzhgues i zgjedhjeve i Bashkimit Evropian, vërtetoi një gjë të tillë gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Në raportin e tij përfundimtar, është thënë se në kuadër të bashkësisë serbe në Kosovë “fushatën e kanë shkelur kërcënimet e shpeshta dhe rastet e incidenteve të dhunshme brenda bashkësisë, ndaj kandidatëve dhe votuesve, si dhe reagimi i pamjaftueshëm i Policisë dhe organeve tjera të zbatimit të ligjit”.

“Kjo ka përfshirë edhe presionin ndaj kandidatëve të ndryshëm që të tërhiqen, si dhe incidentet e dhunshme të shpeshta në Leposaviq, të cilat janë drejtuar konkretisht mbi partitë politike dhe kandidatët që kontestojnë dominimin e Listës Serbe”, thuhet në raport.

Pikërisht, për shkak të kërcënimeve, në qershor, Partia e Pavarur Liberale e Slobodan Petroviçit, e cila prej 10 vitesh vepron në skenën politike në Kosovë, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, nuk do të ketë kandidat për kryetar të komunës së Graçanicës. Kjo, siç ka thënë Petroviç për Radion Evropa e Lirë, po ndodh për faktin se është e pamundur të mbrohet një kandidat i tillë.

Gjithashtu, ka pasur edhe raste kur kandidatët janë tërhequr nga listat. Katër të tillë janë tërhequr nga lista e iniciativës qytetare SDP së Oliver Ivanoviçit. Ky i fundit thotë për REL se në mesin e këtyre kandidatëve ishte edhe Zoran Spasojeviç nga Mitrovica Veriore, i cili përmes një deklarate për publikun, u kishte bërë thirrje qytetarëve që votat t’ia japin Listës Serbe.

Ivanoviç ka shtuar se personalisht nuk ndjehet i rrezikuar. Por, sipas tij, qytetarët që janë me të, janë të rrezikuar dhe se ata, në momentin e fundit, do të mendojnë nëse do të rrinë në Kosovë apo ta braktisin atë.

Njohësi serb i zhvillimeve në Kosovë, Rangjel Nojkiç, thotë se është krejtësisht e qartë se kush dhe pse po bën presion. Sipas tij, kjo është Lista Serbe, e cila për veprimet e saj e ka mbështetjen e Beogradit, gjë të cilën, kjo listë po e shfrytëzon maksimalisht.

Sipas tij, Lista Serbe ka krijuar pushtet të dyfishtë, që nënkupton se ata që janë në institucionet politike serbe, janë edhe në institucionet politike të Kosovës.

Deputeti i Listës Serbe dhe shefi i zyrës së kësaj liste për bashkëpunim me media dhe sektorin civil, Igor Simiç, ka theksuar se të gjitha këto janë shpifje.

Në një përgjigje me shkrim, Simiç ka sqaruar se Lista Serbe për çdo ditë lufton për avancimin e pozitës së serbëve në Kosovë, gjë e cila, sipas tij, kërkon mjaft punë dhe kohë.

“Prandaj, nuk kam kohë që të komentoj shpifjet dhe nebulozat e tilla, me të cilat dikush po përpiqet që të reklamohet në fushatë, duke e sulmuar Listën Serbe, për shkak se nuk janë në gjendje që qytetarëve tu ofrojnë program për zgjedhjet, por vetëm urrejtje, gënjeshtra dhe mashtrime”, ka shkruar Igor Simiç.

Ndërkohë, shtetet e Quint-it (Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) kanë ftuar të gjitha partitë politike që të angazhohen për fushatë të lirë dhe të qetë, pa frikësime, dhunë dhe presione.

Për zgjedhjet lokale janë lajmëruar 17 subjekte politike serbe, prej të cilave vetëm Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë për të 10 komunave serbe, sa janë gjithsej në Kosovë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: