Nga: AHMET SHQARRI*
Kënaqësia e ndonjë suksesi si ai i futbollit në miqësoren ndaj Francës, venitet shpejt kur në skenë del përsëri makthi i dopingut tonë sportiv! Pas stuhisë “shfarosëse” që përfshiu para ca kohësh peshëngritjen, që mbahej si krenaria e sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare, tashmë një tjetër goditje prej substancave të ndaluara i vjen edhe boksit tonë gjatë pjesëmarrjes së tij në Lojërat e para Europiane: Baku 2015. I nisur plot bujë për në Azerbajxhan, me flamurin kombëtar të bekuar nga vetë Presidenti i Republikës, delegacioni ynë sportiv e prishi shumë shpejt imazhin e tij, kur në startin e lojërave në fjalë, u njollos njëri prej boksierëve tanë, që ende pa nisur gara për të, për shkak të përdorimit të dopingut u detyrua të kthehet mbrapsht pa mundur që t’i provojë dorezat e tij në ring. Është një fakt që mund të kalojë në heshtje dhe pa u ndjerë prej opinionit, që në këto kohëra të mbushura plot zhurmë dhe berihaji nga partitë tona të bojatisura sa s’ka më prej flamujve të tyre mashtrues të fushatës elektorale, mbirë në çdo cep të këtij vendi me shumë probleme, po  përpiqet të mbledh mendjen se si të veprojë për zgjedhjet që e presin, se sa t’i qajë hallin këtij sporti, mjerimit të të cilit tashmë nuk po i shqitet edhe dopingu! Por, ndërsa ethet e kësaj epidemie ngjitëse dhe të rrezikshme po rrëshqasin si pa u ndjerë nga njeri sport tek tjetri, ato nuk ka se si të anashkalohen prej atyre që kakarisin si gjelat majë plehut sa herë ndonjë sukses kalon këndej anëve tona. Ky sojë famëkeq drejtuesish që mburret pa pikë turpi për pronësinë e ndonjë fitoreje të rrallë, kur vjen puna për ta ç’rrënjosur të keqen që sundon dhe po e bën këtë sport të lëngojë prej sa e sa kohësh, përkundrazi, i kthen kurrizin problemeve që kërkojnë zgjidhje dhe u bën fresk partive që ju ka siguruar pushtetin nëpër zyrat përkatëse. Siç po ndodh edhe këtë herë me rastin e dopingut në boks, që ashtu si peshëngritësit “kampionë pa medalje” të cilët ngritën flamurin e Pavarësisë në Vlorë(!?), do të arkivohen e do të harrohen edhe ata nëpër dosjet e shumta të mashtrimit të të zgjedhurve të përjetshëm.
Fitorja e këtyre ditëve në futboll ndaj Francës edhe pse ndodhte për herë të parë ndaj një ish-kampioneje bote, nuk mund ta zgjaste pafund jehonën e saj, jo vetëm se ishte thjesht një ndeshje miqësore, por edhe ngaqë përkoi me këto ditë zgjedhjesh, kur më shumë se për çdo gjë, këtu brohoritet më tepër e çuditshëm për partitë që vazhdojnë mashtrimin e tyre mbi turmat. Ndërkohë që, veç këtij pazari elektoral, rasti i boksierit tonë të droguar në Lojërat Europiane Baku 2015, e bëri edhe më të infektuar mjedisin tonë sportiv, që për t’u ringjallur disi do të duhet të presë fillimin e shtatorit që vjen, prej ku shpresohet të fitojmë një biletë për në finalet e evropianit të ardhshëm në futboll. Por, ndonjëherë ndeshjet miqësore krijojnë iluzione të gabuara, siç ka ndodhur më parë me Kombëtaren tonë të futbollit kur atë e drejtonte trajneri kroat Kuzhe. Besoj ju kujtohen ato rezultate pozitive që patëm arritur në atë kohë nëpër ndeshje miqësore, ndërkohë që pas tyre vinte ai ngërçi i pikëve që na mungonin për të shkuar atje ku ende vazhdojmë të ëndërrojmë! Në një farë mënyre kjo ka ngjarë edhe me trajnerin e tanishëm, De Biazi, i cili gjithashtu pat ngecur pikërisht atëherë kur duheshin pikët që mund të na çonin tek finalet e Brazilit 14-të. Vetëm dy pengesa “të vogla” duheshin kaluar, ndaj Sllovenisë dhe Islandës dhe një biletë për në Brazil do të ishte e jona, por nuk ndodhi kështu dhe ja ku ndodhemi përsëri gati në të njëjtën situatë. Sidoqoftë, duhet pranuar se këtë herë përfaqësuesja jonë ka shfaqur më tepër besim për të ardhmen e saj, e parë kjo në lojërat e zhvilluara, ndërkohë ekuilibrimi i rezultateve pozitive nëpër ndeshjet miqësore dhe ato për pikë, janë një tjetër meritë e trajnerit De Biazi, i cili duhet të shikojë që ato 7 pikë të fituara duhen shtuar me të tjera, kur dihet se tani duhen kaluar pengesa jo “të vogla” si në edicionin e shkuar, por ndaj superfuqive të tilla, si ndaj danezëve në Kopenhagen dhe ndaj portugezëve këtu në shtëpinë tonë, për të mos shkuar pastaj deri në fund ku dy pengesat e tjera mund të jenë po aq të vështira për t’u kapërcyer. Ndryshe, do të përsëritej rituali i mëparshëm pa asnjë kënaqësi përjetimi, duke na bërë përsëri të krahasueshëm me skuadra të tilla, thuajse të panjohura për botën futbollistike, si Ishujt Faroe që deri tani në këto eliminatore kanë grumbulluar jo pak, por 6 pikë! Një biletë për në finale, veç të tjerave, do të bënte që të harroheshin shumë të këqija mes nesh, përfshi këtu politikën mashtruese, siç po ndodh në këto zgjedhje, si dhe dopingun që së fundmi po na ngatërrohet si shumë nëpër këmbë!  

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: