Nga përpjekja për puç në vitin 2016, kthimi i dënimit me vdekje debatohet shpesh në Turqi. Para zgjedhjeve lokale të dielën (31.03) presidenti Erdogan deklaron se do ta rivendosë atë. Taktikë zgjedhore apo qëllim serioz?

Për presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan kjo është temë presidenciale: Kreu i shtetit dhe i partisë qeverisëse, AKP e përsërit pa asnjë ngurrim në daljet e tij në fushatën zgjedhore, përkrahësit e tij bërtasin në mitingje, “ne kërkojmë dënimin me vdekje”. “Heqja e dënimit me vdekje është një gabim i madh!” thekson Devlet Bahçeli, kreu i partisë ultranacionaliste, MHP. “Na lini ta fusim sërish dënimin me vdekje në parlament”, kërkon MHP, që për zgjedhjet lokale ka krijuar një aleancë me partinë AKP. Në Asamblenë e Madhe Kombëtare, AKP dhe MHP kanë shumicën.

Para 15 vitesh Turqia e hoqi dënimin me vdekje. De facto ai nuk ishte zbatuar që prej 35 vjetësh. Por që nga ardhja e Erdoganit në pushtet, dhe partia MHP është partnere e ngushtë e tij, kjo temë rikthehet herë pas herë, sidomos para zgjedhjeve parlamentare e lokale e aq më shumë pas përpjekjes për puç në vitin 2016. Shtrohet pyetja: Vërtet ka përpjekje të aleancës AKP-MHP për të futur dënimin me vdekje apo kjo është më shumë një strategji e presidentit për të mbledhur vota tek elektorati konservator?

Përfaqësues të AKP-së në bisedë me Deutsche Wellen, theksojnë, se fokusi qëndron tek zgjedhjet lokale, dhe nuk shpenzohet energji për të futur dënimin me vdekje. Tema të tjera janë më të rëndësishme aktualisht si gjendja e vështirë ekonomike.

Opozita: Erdogani bën bllof
“Gjithmonë kur AKP i ka punët keq, fiksohet pas një teme. Me këtë ajo e çorienton popullin. Por e gjitha është retorikë e fushatës zgjedhore, ne nuk e marrim seriozisht, kësaj i shtohet që nga ana juridike është e pamundur”, shprehet Murat Emir, anëtar i partisë më të madhe opozitare, CHP lidhur me retorikën e rifutjes së dënimit me vdekje. Sipas tij Erdogan ka vetëm një synim – të mbledhë votat e elektoratit nacionalist. Edhe juristja e partisë opozitare prokurde, HDP, Meral Danış Beştaş ndan të njëjtin qëndrim për sulmet verbale të presidentit. „Ai ngroh sërish kafenë e ftohtë e kërkon të manipulojë krenarinë kombëtare të njerëzve. Por njerëzit e kuptojnë këtë.”

Edhe deputeti Lütfü Türkkan, i partisë po nacionaliste İYİ-shikon në deklaratat e presidentit turk fushatë të pastër zgjedhore dhe parashikon që presidenti pas zgjedhjeve nuk do ta marrë më në gojë këtë fjalë të tmerrshme. Partia İYİ- dhe CHP kanë krijuar aleancë për zgjedhjet lokale të 31 marsit. „Nëse Erdogan do të kishte parë një reagim pozitiv tek zgjedhësit, ai do ta kishte futur prej kohësh dënimin me vdekje. Çdo temë dërgohet në parlament, pra është e qartë, që çdo urdhër i Erdoganit shihet në këtë sallë si ligj dhe për më shumë zbatohet.”,

“E pazbatueshme nga ana kushtetuese”
Po nga ana juridike si shihet dënimi me vdekje? Juristi i së drejtës kushtetuese dhe anëtar i CHP-së, İbrahim Kaboğlu e sheh të pamundur rifutjen e dënimit me vdekje. „Madje edhe në luftë, në rast mobilizimi të forcave të armatosura, në vendosjen e ligjit të luftës apo gjendjes së jashtëzakonshme krimet dhe veprat penale nuk mund të ndiqen me prapaveprim.”, thotë Kaboğlu për DW. Ai kujton qëllimin e Erdoganit, ekzekutimin e organizatorëve të përpjekjes për puç ushtarak. Por këtë ai mund ta bëjë vetëm me ndryshimin e kushtetutës dhe kështu me efekt prapaveprues të dënojë edhe këto vepra me dënim me vdekje. Kaboğlu pohon, se aktualisht nuk po punohet nga ana politike për ndryshimin e kushtetutës. Por ai përmend edhe një temë tjetër: Turqia ka nënshkruar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Një rivendosje e dënimit me vdekje do të ishte shkelje e konventës. Me këtë Turqia do të hidhte në erë të gjitha urat lidhëse me Europën. E kjo është sipas mendimit e pamundur.” /DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb