Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman aktualisht ndodhet në qytetin e Vlorës, ku po monitoron procesin e numërimit atje.

Në një prononcim për mediat, Norman ka theksuar se procesi është duke vijuar dhe nuk ka preferuar të japë një vlerësim.

Ai është shprehur që për momentin e rëndësishme t’i jepet mundësi numëruesve që të bëjnë punën e tyre.

“Është kënaqësi të jem në Vlorë dhe të marr pjesë në procesin e numërimit. Dje udhëtuam në qendër të Shqipërisë, për të parë se si shkonte procesi i votimit. Dhe sot kemi ardhur në Jug për të parë se si shkon procesi i numërimit. Jemi akoma në një proces elektoral, nuk do të ishte me vend që të flisja në këto moment në lidhje me sa kam parë dhe si e gjykoj procesin e votimit.

Jam i bindur që në momentin që do të përfundojë ky proces, do të kemi mundësi të diskutojmë dhe të flasim mbi këtë proces për javë ose kohë të gjatë në vijim. Ajo çka është e rëndësishme është që t’i japim hapësirë numëruesve që të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale. Në momentin që ky proces të ketë përfunduar do të kemi mundësi sërish të flasim së bashku. Ne do të qëndrojmë edhe pak në Vlorë dhe do të ndjekim numërimin në një qytet tjetër. ”, u shpreh Norman.

Ditën e djeshme, e cila përkonte dhe me ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, Duncan Norman ishte në Elbasan, ku monitoroi procesin dhe nxiti njerëzit të dilnin masivisht për të votuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb