Gazetarja e njohur Rudina Xhunga, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se Joe Biden nuk ishte gjetja më e mirë e të majtëve amerikanë.

Xhunga tha se cilido kandidat që fiton këto zgjedhje, beson se politika ndaj Shqipërisë nuk ndryshon.

“Pritej që rezultatet të mos dalin menjëherë, dihej që nata e mbrëmshme të mos ishte vendimtare se cili kandidat do të fitojë. Biden është gjetje jo e mirë e të majtës amerikane, mbase dhe kjo bëri që gjërat të shkojnë në këtë pikë. Ka qenë një fushatë që i ka pasur të gjitha.

E gdhiva duke pritur se çfarë do të ndodhte, nuk isha partizane se kush fiton, sepse mendoj ndaj Shqipërisë, politika nuk ndryshon. Kam qenë e luhatur. Duke parë ndeshjen dje, kam thënë se Trump do të fitojë, gjithçka rreth ndihej besim.  Joe Biden është më shtetar, ndërsa Trump është njeri i biznesit dhe në idenë e amerikanëve rriti ekonominë”, tha Xhunga.

Rudina Xhunga theksoi se e gjithë bota i ka sytë nga Amerika, edhe Shqipëria, për shkak se SHBA sot ka sistemin më të mirë demokratik në glob.

“Kam kuptuar se as Trump dhe as Biden nuk është Amerika, Amerika është Amerika. Sistemi vazhdon në mënyrë normale e situata ishte totalisht e qetë. Shqipëria dhe bota i ka sytë nga Amerika, sepse besojnë tek SHBA-të, tek sistemi amerikan. Ndoshta fiton Biden, nuk besoj se do ketë fishekzjarrë, por njerëzit do qetësohen. Por, duhet të fitojë edhe Trump, ne na takon që të presim”, deklaroi Xhunga.

E pyetur në lidhje me koronavirusin në Shqipëri, Xhunga vlerësoi se të infektuarit me Covid-19 nuk kanë përse të bien në depresion, por ta kalojnë virusin duke respektuar protokollet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë.

“E hoqëm vëmendjen nga koronavirusi, sa duket për pak kohë.  Mbaj distancë, mbaj maskë, shko tek mjeku, bëj çfarë të thotë që të jemi sa më të shëndoshë. Njerëzit po fshehin një pjesë të së vërtetës. Kjo bën që disa të besojnë se nëse ka Covid, hidhen nga kati i katërt. Kjo është gabim.

Nëse infektohemi me koronavirus, duhet të qetësohemi e të respektojmë rregullat, të mbrohemi e të vëmë maska, derisa vaksina të dalë. Kjo është pandemi globale. Shifrat janë më të larta, por mjekët thonë se transmetimi nuk është komunitar. Njerëzit duhet të shkojnë tek psikologu, mos të bien në depresion”, përmbylli Xhunga.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb