MALËSI E MADHE

Kryeministri i vendit, Edi Rama nga Malësia e Madhe në një bashkëbisedim me qytetarët  komentoi vendimin e opozitës, e cila ka deklaruar prerazi se nuk do të hyjë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Ai tha se Partia Socialiste ka dëshirë t’i ketë në garë, pasi sipas tij fitorja me “gola do të ishte më e mirë se ajo në tavolinë 3-0”. Teksa konfirmoi Tonin Marinajn si kandidat për bashkinë e Malësisë së Madhe, kryeministri Rama rikujtoi edhe ligjin e nënshkruar nga PS, PD dhe subjektet e tjera, duke treguar se kush përpiqet t’i dhunojë zgjedhjet e pret burgu.

Shefi i qeverisë nuk kurseu batutat me banorët e zonës, ndërsa ironizoi mbështetësit e Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit duke iu rekujtuar se zgjedhjet do të mbahen në qershor dhe nuk do të ketë qeveri tranzitore.

“Ata kanë vendos të mos hyjnë në zgjedhje. Natyrisht që ne do të donim t’i kishim në garë, sepse fitorja do të ishte më e mirë me gola dhe jo kur e merr 3:0 në tavolinë. Këtë ne nuk e duam.  Unë kam marrë votat nga ju, dhe i kam marrë për të bërë punën dhe jo për të punësuar Lulin. E la edhe atë punë që kishte. Ai kërkon njerëz që t’i bien murit me kokë. Kjo është e pakuptimtë dhe qesharake. Ata që i shkojnë pas Monikës besojnë në filxhan dhe është e vështirë që t’i bindësh. Problemi është me këta që nuk besojnë në filxhan.

Këta mendojnë se do të shtyhen zgjedhjet, që vërtetë do të ndodhë ajo që do të prishen zgjedhjet. Ju them se asgjë nuk do të ndodhë. Puna jonë është që të bëjmë zgjedhjet dhe duhet t’ua kujtojmë njerëzve që kanë të gjithë të drejtën që mos të na duan. Ka një ligj të shkruar nga PD dhe PS  dhe të tjerët , i cili të çon në burg po dhunove qendrat e votimit. Se ku do gjendet budallenjtë që do shkojnë në burg për Lulin, këtë nuk e di, por edhe mund të gjenden. Unë si katunar i Surelit kam shumë respekt për malësorët. Ju do të keni mbështetjen maksimale nga qeveria, e cila ka filluar tashmë”-tha  Rama.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb