Nënkryetari demokrat, Edi Paloka, është besimplotë se PD-ja që nesër është gati të hyjë në zgjedhje, madje t’i fitojë ato me një rezultat shumë të thellë. Këtij synimi i ka paraprirë edhe procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, ku për herë të parë një parti politike në Shqipëri vendos që kandidatët për deputetë të zgjidhen nga anëtarësia dhe të mos vendosen nga kryetari. Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, tregon për “Gazeta shqiptare” detaje se si do të bëhet ky proces, që sipas tij, i jep mundësi kujtdo që kërkon të japë një kontribut politik që harmonizohet me filozofinë e kësaj partie. Sipas tij, fjalën e fundit në këtë proces e ka Këshilli Kombëtar, ashtu siç parashikohet te statuti i PD-së. Edi Paloka mbështet përfshirjen në listën e re që nga militantët deri tek intelektualët e shquar, por ai është kundër katapultimeve në PD, pasi sipas tij, nganjëherë mund të jenë të “qëlluara”, por asnjëherë nuk kanë garanci. Funksionari i lartë demokrat flet edhe për ata njerëz që e kanë dëmtuar PD-në, ndërkohë që ish-sigurmisat e shtetit dhe kushdo që ka konflikt interesi nuk kanë vend në PD.

Z.Paloka, duke nisur nga dita e enjte, PD-ja ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme. Kryesia e partisë miratoi udhëzimin për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, të cilët do të përzgjidhen nga anëtarësia dhe jo kryetari. Por pse konsiderohet një vendim të rëndësishëm për shoqërinë dhe politikën shqiptare skema e re e përzgjedhjes së kandidatëve…?

Katër ditë më parë, me udhëzimin e miratuar nga kryesia, Partia Demokratike konkretizoi ndryshimet që bëri në statut tre vjet më parë lidhur me procedurën e përzgjedhjes së përfaqësuesve të saj në pushtetin legjislativ dhe pushtetin lokal. Kjo është jo vetëm një risi në politikën shqiptare, por edhe një hap shumë i guximshëm përpara i Partisë Demokratike! Duhet të kemi parasysh që një procedurë të tillë në përzgjedhjen e kandidatëve e kanë shumë pak parti edhe brenda PPE-së.

Po pse është e rëndësishme kjo risi jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët?

Prej kohësh ne kemi ndjekur kërkesën e një pjese të madhe të njerëzve që kërkojnë të kenë një përfaqësim sa më direkt duke pasur mundësinë të përzgjedhin ata vetë se kush duhet t’i përfaqësojë. Është hapur dhe një debat lidhur me sistemin zgjedhor, për “lista të hapura” apo të mbyllura etj. Unë besoj se sistemi i zgjedhur nga Partia Demokratike është përgjigja më efikase ndaj këtyre kërkesave. Nëse edhe partitë e tjera do adoptonin këtë procedure atëherë do të kishim vërtetë një hap cilësor përpara.

Pse kaq e vështirë të bësh zgjedhje me lista të hapura?

Po përsëris atë që është qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike dhe që është deklaruar me dhjetëra herë, PD është e gatshme të diskutojë e të pranojë çdo sistem që do të kërkohet nga shumica e shqiptarëve, por sot, në këtë moment, problemi imediat nuk është sistemi. Sot ne duhet t’i japim zgjidhje çështjes së shitblerjes dhe manipulimit të votës. Asnjë sistem nuk ka vlerë nëse vota manipulohet. Personalisht, listat e hapura nuk i shoh në fakt si zgjidhje të asnjërit prej problemeve që ngrihen si argumente në favor. Ju kujtoj që ne kemi provuar disa sisteme e formula, duke filluar nga maxhoritari, te maxhoritari me korrektim, proporcional kombëtar dhe proporcional rajonal. Madje, edhe listat e hapura janë provuar nga disa parti dhe rezultati ka qenë për të ardhur, keq sepse personazhet që kanë hyre, kanë qenë lloji më i keq e qesharak i deputetëve që shohim në parlamentin e sotëm. Sidoqoftë, qëndrimi zyrtar i PD-së për këtë çështje mbetet ai që përmenda më lart.

I gjithë procesi parapërgatitor është mbikëqyrur dhe mbështetur deri tani nga zyrtarë të partisë Konservatore Britanike dhe Institutit Ndërkombëtar Republikan. A do të vijojë mbështetja e tyre edhe në funksion të fitores së PD-së në zgjedhjet e ardhshme?

Partia konservatore e Britanisë së Madhe dhe Instituti Republikan Amerikan e kanë asistuar PD-në jo vetëm në përgatitjen e ndryshimeve të fundit, por edhe në një sërë procesesh të tjera. Sigurisht ato që sot janë në mbështetje të PD-së, siç janë dhe partia e kancelares Merkel dhe gjithë Partitë Popullore Evropiane, që sot janë shumicë në PE. Por, po kaq e vërtetë është se pavarësisht që nuk mund të dalin hapur në krah të PD-së, një numër i madh partish, madje edhe qeverish të majta, kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre kundër partisë së Ramës. Votimi i fundit në PE ishte vetëm një nga sinjalet që tanimë janë dhënë haptazi se edhe e majta evropiane është e bindur se Rama duhet të ikë.

Si do të bëhet ky proces dhe cilat janë kriteret për të zgjedhurit që do hyjnë në garë?

Procesi është detajuar në udhëzimin e fundit që miratoi Kryesia e Partisë Demokratike. Anëtarësia e PD-së do të ketë dy herë të drejtën dhe mundësinë për të përzgjedhur kandidatët e preferuar. Së pari, në propozimet që do të bëhen, ku çdo anëtar do të ketë të drejtë të propozojë një kandidat (madje është parashikuar dhe e drejta e vetëpropozimit me dhjetë firma anëtarësh të PD-së). Së dyti, në seleksionimin nëpërmjet votimit “një anëtar, një votë, të kandidaturave që do të rikthehen në degë pas verifikimit të kritereve që do të bëjë Komisioni i Posaçëm që do të ngrihet në bazë të udhëzimit. Kriteret për kandidatët janë publikuar bashkë me udhëzimin dhe kanë të bëjnë kryesisht me parime mbi të cilat qëndron PD-ja. Ndërkohë që përveç dy grupimeve partnere që janë LDG dhe FRPD, me preferencë shihen dhe grupime të tjera që janë pranë PD-së si pronarët dhe të përndjekurit politikë të diktaturës. Pastaj sigurisht që ka edhe kritere që lidhen me arsimin, reputacionin , kontributet e kandidatëve në jetën politike, por jo vetëm të kandidatëve.

Kush përjashtohet nga ky proces dhe cilat janë hapësirat që ofron Partia Demokratike në listat e reja për deputetë?

Për shembull, nuk pranohen ish-funksionarë dhe bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit apo të strukturave të tjera represive të diktaturës. Duke pasur parasysh që në procesin e propozimit të kandidatëve nga anëtarësia mund të ketë një përqendrim të propozimeve tek figurat më aktive në politikën e PD-së dhe kryesisht te militantët, kryesia ka parashikuar që 20% e kandidatëve të propozohen prej saj, duke krijuar mundësinë për figura të reja, intelektuale të shquar që mund të mos jenë pjesë e strukturave apo funksionarë të PD-së, por që kanë një reputacion dhe një ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe shoqërinë shqiptare.

Çfarë do të ndodhë në qoftë se anëtarësia propozon kritikët më të fortë të Lulzim Bashës? A do të merren parasysh emrat e tyre, nëse i propozon baza e partisë?

Ata që ju i quani “kritikët e Bashës” janë dhe sot në forumet më të larta të PD-së. Kritika nuk është një problem për PD-në, përkundrazi. Por, duhet të bëjmë dallim midis kritikëve dhe atyre që e kanë gjuajtur PD-në me gurë. Duhet të bëjmë dallimin midis atyre që kritikojnë për të përmirësuar apo për të zgjidhur një problem brenda PD-së (dhe kur këto zgjidhje janë të ndryshme nga mënyra si i sheh kryetari i partisë) nga ata që nën petkun e kritikëve, në fakt nuk kanë lënë gjë pa bërë për të dëmtuar Partinë Demokratike.

Kush do të miratojë listën përfundimtare për kandidatët për deputetë?

Lista përfundimtare do të shqyrtohet nga kryesia e do të miratohet nga Këshilli Kombëtar.

Kush do të drejtojë Komisionin e Vlerësimit të Mandatave për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, Genc Ruli?

Nuk kemi ende një vendim se kush do të jetë pjesë dhe kush do e drejtojë komisionin, por besoj që figura me kontribute dhe përvojë në PD si ajo e z.Ruli dhe të tjerë, që sot nuk kanë “ambicie” të drejtpërdrejta në politike (ose siç thuhet rëndom, nuk kanë konflikt interesi) por mbeten politikisht të interesuar dhe dashamirës ndaj PD-së, janë vlerë dhe duhet të vazhdojnë të japin kontributin e tyre.

Cili është qëndrimi juaj lidhur me katapultimet në PD? E ekziston mundësia që të ketë sërish katapultime me afrimin e zgjedhjeve të reja?

Unë qëndrimin tim mbi “katapultimet” e kam dhënë. Kudo, por sidomos në politikë, duhet të ketë një karrierë graduale, të bazuar në merita, kontribute dhe vlera, të cilat gjykohen në vite dhe situata të ndryshme. Katapultimet mund të rezultojnë dhe “të qëlluara”, por asnjëherë nuk kanë garanci. Eksperimentet në politikë mund të rezultojnë me pasoja të rënda, se lidhen direkt me jetën e njerëzve.

Çfarë do të ndodhë me aleatët, do të jenë ata në listat e PD-së?

Sot opozita ka koalicionin më të konsoliduar në vite, por ende nuk kemi diskutuar detajet për mënyrën si do përfaqësohet çdo parti, pasi ende nuk është mbyllur as Kodi Zgjedhor. Ne do të gjejmë formulën më optimale që do të diskutohet e miratohet brenda koalicionit!

Intervisten e plotë e lexoni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb