Partia Socialiste ka tashmë emrin për kandidat në Bashkinë e Vlorës për zgjedhjet e 14 majit.

Bëhet fjalë për Ermal Dredhën, i cili ka qenë ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se Dredha ka dalë me mbi 200 vota plus nga kandidati tjetër i mundshëm, Fate Velaj.

Ermal Dredha është djali i Neki Dredhës, ish-kryebashkiak i Vlorës në vitin 2000.

Emri i zgjedhur nga PS ka një karrierë të pasur në diplomaci. Ai ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, Itali.

Më pas ka mbajtur postin e kreut të Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, deri në vitin 2016 kur edhe u emërua Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në garë mes socialistëve për Bashkinë e Vlorës ishte dhe Fate Velaj, ish-deputet dhe ish-këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Por Asambleja e PS zgjodhi pikërisht Dredhën, i cili pak kohë më parë ka shpërngulur dhe vendbanimin nga Tirana në Vlorë.

Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se ditën e sotme ka qenë surprizë fleta e votimit me dy emrat për kandidatët e Bashkisë së Vlorës

“Në Vlorë është duke u zhvilluar Asambleja e PS, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka takuar deputetë dhe drejtues të PS-së. Burime nga mbledhja thanë se Rama iu ka tërhequr vëmendje deputetëve, pasi shumë prej tyre kanë dashur të jenë kandidatë për bashkinë e Vlorës. Ditën e sotme ka pasur surprizë një fletë votimi me dy emra për kandidatët e Bashkisë së Vlorës. Në fund të Asamblesë do të zgjidhet dhe emri.
Vlora ka qenë një prej qyteteve që ka pasur më shumë emra të sugjeruar për kandidatë”, raportoi gazetari Mehmeti.

Po sot Rama mbledh kryesinë e PS, ku në fokus do të jenë zgjedhje e 14 majit dhe kandidatët socialistë.

Burime brenda PS bëjnë të ditur se nga 61 bashki shumica e kandidatëve do të jenë rikonfirmime, ndërkohë që deri tani vetëm dy do të jenë deputetë që lënë mandatin dhe garojnë në 14 maj.

Kështu siç është konfirmuar prej kohësh, emri i parë është ai i Benet Becit që do të garojë në Shkodër përballë Bardh Spahisë së koalicionit opozitar. Ndërsa emri i dytë është ai i Besjan Ajazit deputetit që lë mandatin për të garuar për bashkinë e Gramshit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb