TIRANE– KQZ ka zhvilluar 8 sesione trajnimi për komisionerët e Qendrave të Votimit në vend. 280 trajnerë të angazhuar nga KQZ do të trajnojnë në të gjithë territorin e vendit anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit, në mënyrë që të garantohet mirëorganizim dhe miradministrim i procesit zgjedhor. Në një deklaratë për mediat, Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha se trajnimi i Komisionerëve të QV do të realizohet në bazë të një programi të mirëstudiuar me datat, oraret dhe vendet përkatëse në të gjithë Shqipërinë.

“Në vlerësim të rëndësisë së trajnimit, i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e profesionalizimit të Komisioneve Zgjedhore të nivelit të tretë, programi i trajnimit do të shtrihet në të gjitha njësitë administrative për të shmangur vështirësitë e pjesëmarrjes së komisionerëve në trajnim.

Ky kalendar, i është vënë në dispozicion partive politike të cilat gëzojnë të drejtën e propozimit të anëtarëve të këtyre Komisioneve, me qëllim bashkërendimin e punës në funksion të trajnimit me efikasitet të të gjithë komisionerëve të emëruar”, tha Hoxhaj.

Programi i trajnimeve do të zhvillohet për një periudhë kohore, nga data 12 qershor deri në datën 18 qershor, për 37 mijë komisionerë.

Materialet që do të përdoren në trajnim, si: Manuali i KQV-së dhe Fletorja e punës e cila përmban të gjithë dokumentacionin që do të përdoret prej tyre gjatë administrimit të procesit, janë hartuar e prodhuar me standarde bashkëkohore, për të qenë të qarta dhe të kuptueshme, me qëllim qartësimin e procedurave ligjore dhe përvetësimin me lehtësi nga ana e komisionerëve.

Metodologjia që do të përdoret në trajnim, është ndarë mes teorisë dhe demonstrimit praktik të veprimeve në QV dhe synon rritjen e kapaciteteve dhe aftësimin praktik të komisionerëve .

“Për herë të parë, për t’i ardhur në ndihmë komisionerëve në përmbushjen e detyrave të tyre, është realizuar një video e cila sjell vizualisht të gjitha procedurat ligjore që komisionerët duhet të zbatojnë gjatë ditës së votimit. Ndërkohë, përmes këtij komunikimi publik, KQZ i bën apel të gjithë administratorëve të objekteve ku janë të vendosura Vendet e Numërimit të Votave, që të krijojnë aksesin dhe lehtësimin e nevojshëm që KZAZ-të të mos pengohen në punën e tyre për përgatitjen e vendeve të numërimit të votave me të gjithë infrastrukturën e nevojshme që mbart me vete ky proces”, tha Hoxhaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb