13 parti politike i janë bashkuar skuadrës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit. Pritet që ky numër të shkoj në 14 nëse konfirmohet dhe marrëveshja me Partinë Fryma e Re Demokratike, të kryesuar nga ish-presidenti Bamir Topi.

Gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb”, se FRD është duke diskutuar ofertën e propozuar nga Partia Demokratike. Veç Bamir Topit, edhe numri dy i kësaj partie, Sali Shehu, kërkon që të jetë pjesë e emrave të sigurt në listën e kandidatëve për deputet. Ndërkohë Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit, Nisma Thurje, ku bën pjesë dhe deputetja Rudina Hajdari, Lëvizja për Ndryshim e Jozofina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit nuk janë regjistruar si koalicione dhe kanë preferuar të futen si parti të vetme në këto zgjedhje.

Po ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka zgjedhur që të kandidojë si parti e vetme, megjithatë pritet që në disa qarqe të vendit, ku ajo e sheh si të vështirë të sigurojë qoftë një mandat deputeti, mund të futet me lista të përbëra së bashku me Partinë Demokratike.

Ndërsa sa i përket Partisë Socialiste, kryeministri Rama ka thënë se koalicioni i tyre do të jetë me popullin dhe se ata nuk do të bëjnë koalicion me asnjë parti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb