TIRANË

Fenomeni i shit-blerjes së votës, i cili zuri një vend të veçantë në raportin për zgjedhjet politike të 2017, do të jetë në fokus të Misionit Vëzhgues të ODIHR. Shefja e Misionit Urszula Gacek, e tha qartë se çdo përpejkeje për ndërhyrje në standardet e zgjedhjeve, do jetë në vëmendjen e vëzhguesve ndërkombëtarë.

“Çdo lloj ndërhyrjeje në vullnetin e zgjedhësve për të hedhur votën në mënyrë të lirë dhe pa presion, si gjithmonë është një fushë ku ne përqendrohemi. Kjo nuk është një situatë unike vetëm në Shqipëri. Siç e thashë, të njëjtat standard, të njëjtat metodologji në vëzhgim aplikohen kudo. Nëse kjo ka qenë problem në të kaluarën, sigurisht që do të jetë diçka që do na ndjekim shumë afër në këto zgjedhje të vitit 2021. Po, sigurisht ne do të ndjekim çdo përpjekje për ndërhyrje të padrejta, sipas standardeve të metodologjisë tonë, bazuar në ligjet e vendit dhe standardet ndërkombëtare dhe të OSBE-së.”

Gacek mbërriti në Shqipëri pak ditë pas përplasjes së militantëve socialistë e demokratë në Elbasan. Ajo nuk e komentoi ngjarjen, por tha se vëzhguesit do të jenë kudo, sigurisht për aq sa e lejon situata shkaktuar nga pandemia.

“Të gjithë vëzhguesit që kanë shumë eksperiencë në raste të ndryshme do të jenë në terren dhe do të merren me të gjitha problematikat. Zonat e nxehta nuk i dimë ende, por do të jemi të vendosur kudo. Do të përpiqemi të mbulojmë zonat dhe të jemi në gjendje të shohim gjithçka, nuk do të jemi vetëm në Tiranë, por kudo që do të jetë e mundur, edhe unë dua të bëj disa hulumtime në kuadër të kësaj”

Çfarë i intereson ODIHR janë standardet në zgjedhje dhe për këtë misioni është apolitik.

“Jemi këtu për të vlerësuar sesa do të përmbushin këto zgjedhje angazhimet që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadrin e OSBE por edhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet. Theksojmë se jemi këtu vetëm si vëzhgues, nuk jemi për të ndërhyrë dhe në asnjë mënyrë nuk jemi policia zgjedhore. Nuk na intereson as rezultati politik i këtyre zgjedhjeve. Na intereson vetëm të shohim që ky proces do të jetë transparent, në përputhje me angazhimet që përmenda, paanësi, fshehtësi, drejtësi, barazi.”

Në konferencën e parë për shtyp për zgjedhjet në Shqipëri, shefja e misionit të ODIHR tha se meqenëse në këto votime do të aplikohet tekonologjia, dhe qytetarëve do t’iu duhet të votojnë si për partitë, ashtu dhe për kandidatët, nevojitet një fushatë edukuese.

Së shpejti ekipit prej 12 ekspertësh që ajo drejton do t’i bashkohen edhe anëtarë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Një raport i ndërmjetëm do publikohet para zgjedhjeve, ndërkohë që një ditë pas zgjedhjeve do ketë një deklaratë për gjetjet paraprake. Raporti përfundimtar i ODIHR me rekomandimet përkatëse pritet të publikohet afërsisht dy muaj pas përfundimit të proçesit zgjedhor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb