Presidenti i Partisë Socialiste Europiane Sergei Stanishev i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama me rastin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Ndër të tjera, Stanishev teksa vlerëson se në këto 8 vite PS dhe vetë Rama kanë treguar lidership të jashtëzakonshëm drejt reformave të thella, shpreh lumturinë që për një ekip siç thotë ai plot energji dhe të mbështetur shumë tek gratë dhe të rinjtë.

LETRA E PLOTË
I dashur Kryeministër, i dashur Edi!
Shpresoj që ky mesazh t’ju gjejë shëndoshë e mirë ju dhe familjen tuaj.
Teksa po i afroheni zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, do doja t’ju shprehja ju dhe simotrës sonë, Partisë Socialiste të Shqipërisë, një mesazh të ngrohtë mbështetjeje.
Këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe për rrugën e Shqipërisë drejt Europës, për vijimin e reformave dhe të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë, si dhe për rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
Në këto tetë vite, Partia Socialiste dhe ju personalisht keni treguar lidership të jashtëzakonshëm në drejtimin e një rruge të guximshme drejt reformave të thella e të pakthyeshme, veçanësisht në sistemin e drejtësisë. Reformat po japin fryte: ju keni filluar tashmë të rindërtoni një sistem drejtësie të bazuar në integritet dhe profesionalizëm, duke u bërë kështu shembull për të gjithë rajonin e më gjerë.
U ndjeva shumë i lumtur kur pashë që keni mbledhur një ekip plot energji dhe me një larmi kandidatësh për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke u mbështetur shumë te gratë dhe të rinjtë. Besoj se këto dy forca të fuqishme do të kontribuojnë në fitoren elektorale më 26 prill, si dhe në thellimin e mëtejshëm të reformave dhe zhvillimit ekonomik të vendit në mandatin tuaj të tretë qeverisës.
Duke ju uruar suksese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Sinqerisht i juaji,
Sergei Stanishev
President i Partisë Socialiste Europiane

Letra Pes
Letra Pes

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb