TIRANË

Zgjedhjet e 6 marsit kanë qenë një nga temat e diskutuara sot në emisionin “Pikat mbi i” në News24. Analisti Artur Zheji deklaroi se detyra kryesore e Lulzim Bashës duhet të jetë beteja për Shkodrën. Ai theksoi se çarja e votës është dhuratë nga shkodranët për Ramën. Nga ana tjetër, avokati Spartak Ngjela parashikon që Sali Berisha të tërhiqet nga pjesëmarrja në zgjedhje. Duke folur për emrin e Voltana Ademit si kandidate e Berishës, por si e pavarur, Ngjela tha se nëse Berisha merr pjesë me kandidatë të pavarur varroset krejtësisht.

Ngjela: S’ka pasur ndonjëherë arsye politike Saliu vetëm forcë për të shkelur ligji. Menjëherë pas kësaj nëse PD i merr qytetet e mëdha, se ky është testi i cili na çon në zgjedhje të reja, demokratët duhet të dalin në zgjedhje. E bind Uashingtonin që këta janë të fortë, ndërkohë që ne dimë që Basha ka përkrahjen e Uashingtonit, janë këto dy elementë që e bëjnë kohën në favor të Bashës. Ai duhet të dijë të luajë me fjali dhe programe për ta detyruar situatën që brenda 6 muajsh Shqipëria të shkojë në zgjedhje të reja. Është shumë 12 vjet për Shqipërinë.

Zheji: Mendoj se detyra kryesore është beteja për Shkodrën, pa nënvlerësuar bashkitë e tjera. Teza e parë kryesore që duhet të jetë e qartë për votuesit demokratë shkodranë, është se çarja e votës është dhurata që i bëjnë Edi Ramës për të marrë bashkinë e Shkodrës. Grumbullimi i votës tek PD do të bëjë të mundur që në përplasjen me PS kandidati i PD të jetë fitues. Nëse do keni iluzione duke ndarë votën sa tek njëra, sa tek tjetra pjesë, në këtë rast është Voltana Ademi, pasi doktori e ka përcaktuar… mendoj që edhe vetë Rama ka vënë një kandidate jo të një lufte radikale për të marrë Shkodrën… Pra nuk është një zonjë luftarake që ka marrë ultimatumin, o merre o lëre. Nuk është para kësaj alternative. Ndoshta e ka menduar me dinakëri që duke qenë një femër e butë mund të bëjë transportin e votës nga e djathta tek e majta qetë. Çarja e votës është detyra kryesore e Lulzim Bashës që të mos ndodhë. Po të isha unë, shtabin elektoral do e vendosja në Shkodër, mos të isha fare në Tiranë. Shkodra ka emancipuar gjithë Shqipërinë. Jemi rritur me anekdotat e shkodranëve që ishin helmi më acid i komunizmit. Në Shkodër ndiheshe në një tokë më të lirë. Është një kapital i madh për Lulzim Bashën, do ishte mëkat të mos e rikuperonte.

Ngjela: Mos u lodhni kot, nuk fitojnë dot të pavarurit. Me figura që iu kanë rënë aksionet. Pse do votojë me të pavarurit, kur të pavarurit nuk kanë pushtet. Shkodra thoni ju do nxjerrë një kryetar bashkie që nuk ka lidhje fare me forcën e PD. Nuk bëhet. Saliu do tërhiqet nga zgjedhjet, do thotë që ma bënë me hile, do vazhdoj luftën politike për partinë që ma morën. Po të marrë pjesë me të pavarur, do varroset krejtësisht. Nuk fiton dot i pavaruri në Shqipëri, jo të jetë i Saliut, por të jetë i Zotit. nuk ka mbështetje, nuk ka strukturë. Është fushatë elektorale. Përkrahësit e Saliut çfarë do thonë në fushatë elektorale. Çfarë do iu japin atyre, çfarë propozimi, çfarë do sjellin në qytetin e ri, asnjë gjë. Elektorati i Shkodrës do humbasë forcën që të ketë forcë juridike me kryetarin që është ndërkombëtarisht i pranuar, për një të pavarur që nuk dinë kush është. Nuk kam humbur asnjë fushatë elektorale. Kush do ta bëjë fushatën.

Zheji: Mendoj që Berisha nuk do tërhiqet për arsye se nuk ka pikësynim marrjen e bashkisë Shkodër, ka pikësynim shkatërrimin e Lulzim Bashës. Për PD do ishte mirë të tërhiqej që të mos çahej PD, por janë bërë shumë hapa mbrapsht. Mund të ndodhë një gjë e veçantë që në Shkodër të ketë një vetëdijësim për ta deleguar korpusin e votës tek Basha që të fillojë aty. Po ndodhi kjo gjë, sigurisht do jetë një sukses i madh kombëtar sepse do jetë refleksion për të grumbulluar energjitë aty ku prodhojnë sukses dhe jo disfatë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb