Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdon numërimi i votave për zgjedhjet e mesme, në të cilat, dy vjet pas fillimit të mandatit të presidentit, të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një e treta e atyre në Senat do të rinovohen. Në lidhje me këto zgjedhje, për të kuptuar më shumë rreth tyre dhe rëndësisë që kanë, gazeta “Liberale.al” ka zhvilluar një bisedë me Preç Zogaj, President i Institutit Liberal “Pashko”.

Zoti Zogaj, dje u zhvilluan zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Tradita dhe sondazhet jepnin  një fitore të thellë  të Partisë Republikane në të dyja dhomat, në Senat dhe në Kongres, për rrjedhim një humbje që paralajmërohej si katastrofike për  Demokratët  e  Presidentit  Biden.  Si e shihni rrezultatin e tyre?

Përgjigje:  Në këtë orë që flasim numërimi  vazhdon në disa shtete. Rezultatin  përfundimtar do ta njohim në orët dhe ditët në vazhdim. Zgjedhjet për senatorin e Gjeorgjias duket se po shkojnë drejt balotazhit që do të mbahet në 6 dhjetor.  Gjeorgjia mund të mos jetë shteti  i vetëm  që shkon në balotazh. Në pritje të verdiktit  final, rezultatet e deritanishme kanë  nxjerrë në pah qartë se ajo që parashikohej si “dallga e kuqe” ( paradoksalisht për ne,  Republikanët e së djathtës konservatore në SHBA identifikohen me ngjyrën e kuqe) nuk ka ndodhur. Republikanët  pritet të kenë shumicën në Kongres, por dukshëm më të holluar se ajo që prisnin. Ndërkohë,  rezultati në Senat  është shumë i ekuilibruar. Nuk  përjashtohet mundësia që demokratët të ruajnë kontrollin ose me një karrige  me shumë, ose me votën e zv/presidentes Harris, në rast barazimi pesëdhjetë me pesëdhjetë, siç ishte këto dy vitet e fundit.

 Cila Parti mund të këndojë fitoren në këto zgjedhje në këto kushte?

Përjgjigje: Shija e rezultatit në zgjedhje përcaktohet  shumë nga kontrasti midis pritshmërive dhe verdiktit që del nga kutitë. Nga kjo pikëpamje, republikanët, siç po e deklarojnë vetë shumë prej tyre, nuk janë të lumtur me rezultatin pavarësisht avantazhit  në dhomën e ulët. Ata ishin përgatitur për një triumf,  duke llogaritur jo vetëm në traditën e zgjedhjeve të mesme që zakonisht  favorizojnë opozitën, por edhe duke kalëruar fort  krizën ekonomike, pasojat e luftës në Ukrainë, rritjen e inflacionit dhe çmimeve me pasoja të drejtpërdrejta në frigoriferin, tryezën dhe xhepat e amerikanëve të thjeshtë. Triumfi nuk ndodhi. Nga ana tjetër, Demokratët në pushtet në Uashington po shënojnë një rezultat të pazakontë për zgjedhjet e mesme, duke përgënjeshtruar sondazhet që deri javët e fundit i jepnin të mposhtur keq. Se cila palë do të këndojë nuk me mbetet mua ta them. Por një gjë e them me plot gojën. Këto zgjedhje po kalojnë si prova e një demokracie që mban fort edhe në ditë të vështira. Siç janë ditët e këtij viti të shënuara nga agresioni i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës, ku SHBA-të janë në ballë të aleancës së vendeve demokratike të botës për mbështetjen e Ukrainës me armë dhe me gjithçka që i nevojitet.

Çfarë efektesh  kanë këto zgjedhje në kontekstin e kësaj lufte dhe përspektivës  së saj.

Përgjigje: Në Kremlin ishin duke pritur disfatën e Presidentit Biden. Jo se republikanët kanë ndonjë qëndrim të kundërt me demokratët sa i takon mbështetjes së Ukrainës dhe izolimit të Rusisë agresore. Por Putin dhe njerëzit e tij, siç e kemi parë, mundohen të gjuajnë nuanca dhe të krijojnë diversion ku të munden. Ata nuk e kanë fshehur preferencën për ish-presidentin Trump dhe  trampizmin, që mishëronin në këto zgjedhje garën e republikanëve. Nga kjo pikëpamje Rusia mbeti me gisht në gojë, siç thotë një shprehje popullore.

Po në rrafshin e politikës së brendshme amerikane?

Përgjigje: Këto zgjedhje kanë dhënë mesazhe atipike në historinë e zgjedhjeve të mesme në SHBA ku zakonisht, siç e cekëm më lart, zgjedhësit amerikanë kanë fuqizuar opozitën edhe kur Presidentët gëzonin kuota të larta popullariteti. Kësaj radhe, edhe pse Presidenti Biden kishte rënie të kuotave të pëlqyeshmërisë dhe efektet e krizës së luftës janë këmbëkryq në vend, pra pritej që humbja e partisë në qeveri të ishte edhe më e madhe se herë të tjera, po ndodh ndryshe. Arsyet janë të shumta. Sipas shumë analistëve vendas, zgjedhjet e mesme i kanë  ridimensionuar ambiciet e shpallura të ish-presidentit Trump për të kandiduar në  Presidencialet e vitit 2024. Mjaft figura politike të Partisë Republikane po e bëjnë atë përgjegjës për rezultatin larg pritshmërive, sjelljen e tij si kryetar i një partie unike, çfarë nuk është në traditën e republikanëve. Ndërkaq, zgjedhjet kanë fuqizuar rivalët e tij brenda partisë siç mund të përmendim dy guvernatorët e rizgjedhur bindshëm, përkatësisht Ron DeSantis në Florida dhe Greg Abbat në Teksas.

A kanë rëndësi këto zgjedhje për Shqipërinë dhe Kosovën?

Përgjigje: Jam prej atyre miliona njerëzve që mendojnë se zgjedhjet në SHBA kanë gjithnjë rëndësi botërore, edhe kur janë të mesme. Zgjedhjet e djeshme janë  shumë të rëndësishme për një arsye të thjeshtë: në këtë periudhë është në interesin e demokracisë në mbarë botën, në interesin e Europës, Ukrainës, rajonit tonë, të Shqipërisë dhe Kosovës që SHBA-të të vijojnë të qeverisen nga një President i fortë, me përvojë të madhe si shtetar, mbështetës i sprovuar i pavarësisë së Kosovës dhe demokracisë në Shqipëri, siç është Presidenti Biden.  Këto zgjedhje nuk e dobësuan atë. Do thosha e forcuan. Dhe ky është lajm shumë i mirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: