Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Tualant Balla, në cilësinë e drejtuesit politik të Qarkut të Fierit, ka zhvilluar një mbledhje asambleje me strukturat atje.

Qëllimi i kësaj asambleje, është ndezja e motorëve për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, në të cilën është pjesë edhe Lushnja. Balla tha gjatë fjalës së tij, se në këto zgjedhje nuk kanë kundërshtar dhe besimi ndaj kandidates Eriselda Sefa duhet dhënë për të çuar përpara projektet e nisura.

Ai po ashtu shtoi se kush mendon që Berisha dhe Basha janë ndarë e kanë shumë gabim. Ndër të tjera, Balla nënvizoi se nuk kanë bërë e do të bëjnë koalicion me asnjë parti, pasi PS sipas tij ka zgjedhur që të ketë aleat qytetarët.

“Natyrshëm që fushata zgjedhore fillon zyrtarisht më 19 shkurt e ne do e respektojmë. Ky është një takim brenda strukturës së PS, natyrshëm për të ndezur motorët e strukturës së PS në çdo organizatë, fshat të qytetit të Lushnjës për të kulmuar më 6 mars, për të marrë besimin për të vijuar qeverisjen e kësaj bashkie. Ishin të mirëseardhura këto zgjedhje të pjesshme vendore, sidomos në Lushnje për të ardhur te zgjedhësit. Do të doja që kjo të kishte ndodhur në korrik apo gusht, por ju e dini ne kemi ende dhe për disa ditë një President Republike që siç zgjohet një ditë nuk zgjohet ditë tjetër. Pas drekave e darkave të Vitit të Ri ai tha që ka ardhur koha për të respektuar Kushtetutën. Koha që Shqipëria ka një president që lexon kushtetutën një ditë po dhe jo, ka përfunduar. Unë mendoj që vendimi i Kushtetueses për ta shkarkuar atë. Dua të komunikoj vendimin e kryesisë së PS, lidhur me mbështetjen e PS për kandidaten tonë Eriselda Sefa në krye të bashkisë së Lushnjës në këtë mandat që plotësohet më 6 mars. Jam i bindur që Eriselda është zgjedhja më e mirë që PS duhet të bënte në kushtet e krijuara. Ato 35 javë që nga momenti që Eriselda mori drejtimin e Bashkisë ka qenë punë intensive e suksseshme, ka qenë rritje e transparencës që shoqërohet me rritjen e besimit të njerëzve. Eksperienca e saj 16-vjeçare në administratën shtetërore ishte argumentimi kryesor tia besojmë drejtimin e bashkisë së Lushnjës, një gruaje, nëne, motre, që ka marrë financimin nga donatorë të huaj. Jam takuar personalisht me një pjesë të tyre dhe kam marrë rekomandime tepër pozitive. PS është partia që qeveris e dot ë qeverisë, ne nuk qeverisim vetëm për vete, por për të gjithë. Kemi konsultuar me sipërmarrjen, me shoqërinë civile dhe natyrshëm përdorëm dhe mekanizmat sociologjikë përmes një sondazhi të hapur ku dua të them që rezultati për mbështetjen e Eriseldës është mbresëlënës.

Jo garanci për të fituar, kjo s’ka diskutim. Do të ta them edhe me 6 mars. Besimi tek ti është i madh për të ndryshuar një faqe të kësaj bashkie e për të hapur një faqe të re. Mos harro kurrë që njerëzit s’kanë kohë të presin. ne kemi filluar një transofrmim të ri et prekshëm në Lushnje. Fokusin e kemi te infrastruktura. Mos harroni që populli vlerëson dhe mban shënim. Jam i sigurt që suksesi në këto zgjedhje do të varet nga mundësia jonë për të trokitur në çdo derë të çdo lushnjari. Mos bëni dallim, në socialistë e demokratë, ka qytetarë të Lushnjës. Ne nuk kemi kundërshtarë në këto zgjedhje? Nuk kemi. Më thoni kë kemi lëvizjen e Saliut dhe Metës? Apo atë që ka mbetur nga partia e Lulit. Të mos merremi me kandidatët e Saliut. Ata janë djem të Lushnjës që e dinë që nuk fitojnë në këto zgjedhje. Ne do të merremi me problematikat dhe hallet e qytetarëve. Eriselda ka mbështetjen e plotë të kryeministrit për të çuar përpara ato projekte që janë gati, një pjesë kanë filluar, një pjesë do të fillojë në ditët në vazhdim. Shumë probleme që nuk janë zgjidhur këto vite, ne kemi 11 muaj kohë për t’i zgjedhur. Ne më pas do të futemi në fushatë zgjedhore për kryetarin e partisë. Kontrata jonë me Lushnjën do të jetë 12 muaj, për të na vlerësuar për performancën. Jam i sigurt që do të jetë e vështirë për ne të plotësojmë atë që nuk është realizuar për 12 vite. Por ajo që po bëjmë do të jetë më e prekshme. Transformimi i Lushnjës ka filluar në momentin që Rama ka ardhur në krye të vendit. E kërkova mbledhjen e asamblesë të zgjeruar, për të bërë gati makinerinë tonë komunikuese me njerëzit, për të shkuar derë më derë. Nuk kemi nevojë për mitingje të mëdhaja. Ne do të shkojmë në grupe banesash, grupe njerëzish, për të folur për gjithçka që ne po bëjmë. Ne nuk bëmë aleancë me asnjë parti, e nuk do të bëjmë më. Aleanca jonë janë njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm. Ata janë bashkë. Kush mendon që Luli e Saliu janë ndarë e kanë gabim, ata janë bashkë sepse edhe pisllëqet i kanë bashkë. 21 janarin e ka bashkë me Lulin. Historinë e detit e ka bashkë me të. Në Gërdec, Luli ishte në qeveri. Janë çështje që duhen përballen dhe ne do të insistojmë. Për të fituar mandatin tonë të katërt duhet të përmirësohemi. Njerëzit nuk janë dakord për mënyrën se si ne kemi administruar pushtetin këto vite, por ne do t’i dëgjojmë.

Jam i qartë se çfarë ka funksionuar mirë dhe fare gjatë fushatës së 25 prillit në Lushnjë. Ajo që është e sigurt është që nuk ka një konkurrent tjetër në Lushnjë, Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë dhe Rrogozhinë që të na konkurrojë. Sot jemi të gjithë së bashku për t’i garantuar Eriseldës mbështetjen e kryeministrit Rama, grupit parlamentar, për të çuar përpara punët e rëndësishme të kësaj partie. Nëse Vlora i dha Pavarësinë Shqipërisë, Lushnja i dha shtetin me të gjithë përbërjen e vet. Ky është qyteti i Kongresit dhe jam i sigurt që populli i nderuar i Lushnjës do të na japë një super motivim për Eriseldën Sefa për të cuar përpara projektet e mëdha”, tha Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb