Kryeministri Edi Rama ka dhënë parashikimin e tij për zgjedhjet e 6 marsit. Ai ka thënë në një prononcim për gazetarët në Uashington, se Luzlim Basha nuk fiton asnjëherë dhe do të humbë për t’i qëndruar besnik profilit të tij.

“Basha nuk fiton dot asgjë, asnjëherë, në asnjë rast. Siç ka humbur gjithmonë do i qëndrojë besnik profilit të vet dhe do të humbasë gjithmonë. Aleanca mes Berishës dhe LSI është reale e do të intensifikohet sa më shumë që të përkufizohet ngjashmëria e tyre në raport me planetin”, tha Rama.
Ai tregoi më tej se ka një interes të shtuar të amerikanëve për të investuar në Shqipëri.

“Sekretari ka analizuar se rritja e interesit tregtar amerikan për Shqipërinë, lidhet drejtpërdrejt me rritjen e besimit te sistemi shtetëror në Shqipëri dhe drejtësia që është në kantier, por është në proces ndryshimi, patjetër që kjo është avantazh”, u shpreh kryeministri.

Më tej Rama theksoi se shpesh nuk mund të japë opinione në shumë çështje, kjo për shkak të vendit të vogël që përfaqësoj dhe rëndësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

“Unë para se të kem opinione të këtyre përmasave kam 2 fakte. Njëri fakt është që jam kryeministri më i gjatë, por drejtoj një vend të vogël dhe fakti që jam më i gjatë nuk do të thotë që kam kapacitetin që t’i jap mend e të shpreh opinione që janë shumë përtej përmasave të vendit që kam nderin të drejtoj. Me vetëdije të plotë për rolin që kemi, mendoj që këto janë temat që mund të kemi opinione e të flasim në tavolina për qejfin tonë. Natyrisht, unë e thash që kur na kërkohet opinion në tryeza të përbashkëta ne japim opinionin tonë. Kemi dashur që në krye të herës ku kemi ndërtuar skeletin e politikës tonë si qasje, jo si destinacin, që ka qenë i fiksuar që në momentin e parë të ndryshimit demokratik. Kemi pasur qëllimin të sillemi si të barabartë. Për aq kohë sa kemi arritur këtë, nuk duhet të ngatërrojmë rolin që kemi sepse i bëjmë dëm vetes dhe të gjithë punës që kemi ndërtuar me sukses”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb