Zgjedhjet e pjesshme lokale ishin temë diskutimi në emisionin “Pikat mbi i” “News 24”.

Të ftuar, për të folur për këtë çështje, ishin dy analistët, Fatos Lubonja dhe Artur Zheji. Teksa PS duket se i ka gjërat më të qarta, PD dhe zhvillimet atje duket se përbëjnë interes. Berisha pritet të dalë me kandidatët e tij të pavarur në 6 bashkitë që zhvillohen zgjedhje, por edhe Basha gjithashtu. Sipas Zhejit, nga kjo përballje fitues do të dali Lulzim Basha, duke qenë se historia ka treguar se lidershipi që ka logon e partisë është më i favorizuar.

Po ashtu, nga ana tjetër, Lubonja argumentoi se mund të ketë një marrëveshje mes LSI dhe Berishës, por shoi se mbetet për t’u parë se si do të veprohet. Analisti tha po ashtu, se Rama ka kohë që projekton thërrmimin e opozitës dhe situatën aktuale të PD po e monitoron me qetësi.

Si do të deklarohet Berisha në zgjedhje?

Zheji: Ai nuk pranon të quhet parti tjetër veçse PD. Në pamundësinë juridike që ka për të garuar me logon e PD, do të vendosë kandidatë të pavarur dhe do të vazhdojë të bashkëjetojë me PD. Është një lojë që do të shkojë në favor të Bashës. Në procesin elektoral, dy logo të ngjashme gjithmonë favorizojnë logon e partisë më të madhe. Të pavarurit do të vendosen si kandidat për bashkitë. Në këtë pikëpamje do të jetë Voltana Ademi për Shkodrën. Do të dalë doktori me të në fushatë, do thonë se kjo është kandidatja jonë. Në botë ndodh kjo, kandidatë të pavarur sfidojnë politikanët dhe fitojnë. Kjo kulturë edhe në Shqipëri është vendosur.

Lubonja: Berisha do të ketë një lloj koalicioni me LSI. Por LSI nuk do të shkojë si kamikazë mbas Berishës. Mund të ketë dhe kompromise, p.sh në Durrës mund të ketë ndonjë të LSI e jo të Berishës. Por nëse vendoset një kandidat në Durrës që është i LSI, por mbështetet nga Berisha, si do i numërojë ky i fundit votat e tij ndaj Bashës. Nuk mjafton thjesht një kandidat që mbështet grupi i rithemelimit që të identifikohesh tamam. Berisha thotë nuk ka të drejtë Basha të çojë kandidat. Nuk e di do të vazhdohet me këtë apo do të ketë një strategji më racionale. Unë besoj se ata janë ende të paqartë dhe vetë.

Zheji: Nuk kam informacion që do të ketë një koalicion të LSI me demokratët e Berishës. Kjo është për t’u parë. Mbështetja që Meta i jep publikisht dhe fakti që priti për konsultime paraelektorale vetëm Taulant Ballën dhe asnjë nga opozita, mendoj që ky është një qëndrim i personalizuar i Metës. Ka një dakordësi mes Metës dhe Berishës, por nuk shoh përtej kësaj. Nëse LSI do e bënte këtë koalicion, atëherë nuk e di nëse kjo do të ishte mirë për LSI. Është një elektorat i djathtë që nuk e lexon mirë këtë koalicion. E duan PD ta kenë parti lokomotivë e jo të varur. Sado të ketë Berisha një pjesë të bazës, do të ketë nevojë për kompromise territoriale. Në të gjitha bashkitë LSI ato që ka i ka të saktë dhe shumë të rrënjosur me territorin.

A është i qetë Rama?

Lubonja: Kjo është një strategji e ndërtuar nga Rama prej kohësh thërrmimi i opozitës. Të mos harrojmë se në mënyrë të një paanshme prishi marrëveshjen e 5 qershorit, që donte një guxim të madh. Madje kam disa informacione që njerëz pranë tij e kanë këshilluar të mos e ndërmerrte atë hap. Rama ka hedhur disa hapa të tij e ku hyn edhe kjo shpallja non grata e Berishës. Qetësia e tij është fryt i një pune të gjatë, të suksesshme. Të dy palët akuzojnë njëri-tjetrin për abuzime me kriminelë. Mendoj se Meta thërriti Ballën duke qenë se ata do informohen, sepse ata të dy (Basha-Berisha) po merren me njëri tjetrin. Atyre i intereson këto. Balla ka bërë lojën e partisë të tij. Rama i përqesh të dy. Për mendimin tim Meta ka bërë rolin e tij duke i dhënë dorë Berishën në luftën e tij ndaj Bashës duke i shpallur zgjedhjet kaq afër. Në projektin e Ramës LSI është në shkrirje. Meta duke ndërtuar aleancë me Berishën bën aleancë më të fortë, për mbijetesë.

Zheji: Nëse ka konsultime, ai i bën ato në 360 gradë dhe vendos. Ka një hapësirë negociate. Ju e mbani mend se sa negociata janë bërë për presidentin. Mendoj që loja është në fazën e saj më pa rregulla. Do e kuptojmë se përse u bë kjo gjë. Mendoj që Rama nuk e përjashton në pavetëdijen e vet edhe një tolerim të paqëllimshëm për të vazhduar lojën mes palëve. Ai ka vendosur se në një nga bashkitë do e lëshojë që të ushqejë sa më shumë konfliktin mes palëve në PD. Nuk e përjashtoj që po luan blofin ku ti japi një peshqesh elektoral. Ku merret një kështjellë e vogël periferike do të jetë një ushqim i madhë për Berishën që të vazhdojë urrejtjen ndaj Bashës. Duke i dhënë karburant për konfliktin motori i tyre shtyn përpara anijen e Ramës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb