TIRANË

Analistët Artur Zheji dhe Mentor Nazarko kanë komentuar në emisionin “Pikat mbi i” në News24 zgjedhjet e së dielës, 6 mars në 6 bashki të vendit. Zheji tha se nuk ka dëgjuar platforma për qytetet dhe se praktikisht po votohet se kë kryeopozitar do zgjedhin shqiptarët. Sipas tij, beteja për Shkodeën është shumë e fortë, në Durrës ka një situatë interesante, ndërsa Dibra duket kështjellë e së djathtës.

Për Mentor Nazarkon, zgjedhjet reflektojnë përplasjen e brendshme në PD. Ai deklaroi se kryeministri Edi Rama e ka braktisur kostumin e figurës pajtuese mbi palët dhe i lejon vetes dhe për shkak të përçarjes brenda PD-së që të tallet me ta.

Zheji: Beteja për Shkodrën do jetë një betejë shumë e fortë. PSD ka deklaruar se do i bashkojë votat me PS-në. Në Durrës situatë interesante. Gjithmonë është një qytet, të paktën në zgjedhjet parlamentar, ka shënuar ndërrimin e kursit, ndërrimin e maxhorancave. Dibra duket që është një kështjellë e të djathtës. Të gjitha sondazhet që vijnë nga Dibra tregojnë se çdo gjë që është bërë në 2016 dhe zgjedhjet e 2017, ku ka pasur një dominim të së majtës, e cila përdore aktorë lokalë me influenca të fuqishme personale, bëhet fjalë për një ndërhyrje të panatyrshme në klimën e vullnetit politik të dibranëve. ka një qartësi për fitoren e PD. Mendoj që është një luftë politike që ndodh jashtë vëmendjes së mediave, shpresoj jo jashtë vëmendjes së vëzhguesve, ku luhen të gjitha kartat, sidomos në përplasjen brenda të djathtës dhe synimi i Shtëpisë së Lirisë, Berishës është të demonstrojë që është ai i lideri i vërtetë të PD-së. Synimi është kush do jetë aktori dominant në opozitë. Praktikisht po votohet së kryeopozitar do zgjedhin shqiptarët. Mendoj që kjo është një sfidë brenda sfidës, e dëmton frymën e betejës për qytetet, nuk kemi dëgjuar asnjë platformë për qytetin.

Nazarko: Janë test i pjesshëm në disa zgjedhje të pjesshme lokale. Është me karakter lokal, por mu për shkak të z. Berisha jo vetëm që ky lloj ballafaqimi është duke marrë karakter kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Z. Berisha po përpiqet ta shndërrojë suksesin eventual të tijin këtu, jo thjesht një fitore ndaj Bashës, por edhe ndaj Amerikës.

Ndonëse sondazhet janë kontrastues, ka sondazhe që japin Shtëpinë e Lirisë më përpara, ndërsa i PIPOS jep PD-në përpara, mendoj se PD e zotit Basha duhet të ketë pasur një ndikimi pozitiv për shkak të angazhimit në komision hetimor parlamentar. Raporti i forcave apo ndikimit të këtyre dy subjekteve brenda elektoratit të PD-së nuk është një raport stabil. Është periudha e zierjes së opinionit publik. Mendoj që PD e z. Basha mund të ketë një farë rritje në raport me mënyrën se si ka hyrë në këtë fushatë.

Si ka qenë kjo fushatë elektorale?

Zheji: Rama për të etiketuar Bashën merr hua termin brava nga Berisha. Ka një mungesë të fantazisë politike e cila është në rënie të lirë. Pastaj fut nga xhepi një term tjetër dhe thotë Berishën vareja. Nuk ka simetri në këtë formulim që bën. Duket që është shumë afër me Berishën, do donte të ishte Berisha të fitonte pikët maksimale, se e ka më të lehtë retorikën politike. Ne nuk mund të ndryshojmë Edi Ramën, duhet të zgjidhim situatën e një bashkëjetesë dhe një lloj standardi. Duke hedhur dorashkën e sfidës fyese, nxit këtë lloj kodi etike. Asnjë fjalë nuk u tha për qytetet. Pa diskutim që është e qëllimtë. Rama kërkon ta joshë fushatën në planin politik, jo të bashkive. Nuk është se e vret shumë mendjen për planin rregullues të qyteteve.

Nazarko: Ndaj një pjesë të konsideratave që tha z. Zheji. Rama e ka braktisur kostumin e asaj figurës pajtuese mbi palët që po shfrytëzon, po jetëson një mandat të tretë, diçka të paparë në historinë e Shqipërisë. Në fjalimin e tij në sheshin Skënderbej menjëherë pas fitores së këtij mandati la të kuptonte që do bënte politikë ndryshe. Ai e ka braktisur këtë sjellje, këtë qasje dhe i lejon vetes dhe për shkak të përçarjes brenda PD-së që të tallet me ta, duke marrë hua shprehjet e njëri apo tjetrit. Këto zgjedhje reflektojnë atë që është sfida kryesore, përplasja e brendshme në PD. Dhe unë jam dakord që ai do të preferonte Berishën përballë. Do të njolloste me etiketimin e vet dhe gjithë lëvizjen që drejton. SHBA-të e kanë bërë të qartë që nuk duhet votuar për atë subjekt që është non-grata. Rama ka zgjedhur të mbajë profil të ulët në fushatë. Nuk mund të themi që janë zgjedhje pa interes për të. Vazhdimi i disa projekteve infrastrukturore me natyrë kombëtare ka rëndësi veçanërisht ato në Durrës.

Kush ka qenë më shumë aktiv se tjetri?

Zheji: Kam parë që Berisha ka qenë shumë prezent në terren, duke bërë mitingje dhe duke vazhduar foltoren. Basha e ka ruajtur energjinë elektorale për ditët e fundit, me arsyen që nuk ka dashur të interferojë dimensionin politik kombëtar tek zgjedhja e lirë e qytetarëve të bashkive për të zgjedhur kryeqytetin e tyre dhe jo të dërguarin e PD-së. Kjo më duket një zgjedhje në përputhje me etikën e një zgjedhje bashkiake. Rama ka qenë shumë i angazhuar me çështjet ndërkombëtare, praktikisht në dy ditët e fundit bëri dy goditje me sigurinë që sa të jenë të përçarë ata asgjë s’më gjen mua. Pra, këtu jemi.

Nazarko: Dhe unë mendoj që ka qenë Berisha. Këtu ka një përmasë që është e çuditshme në këtë angazhim të tijin. në pikëpamjen formale kandidatët e Shtëpisë së Lirisë janë kandidatë të koalicionit dhe ndërkohë kjo ka qenë një fushatë e personalizuar dhe e lidhur me figurën e z. Berisha. Nuk është parë znj. Kryemadhi krahë tij, apo dikush tjetër që e bën të çuditshme. Është një fushatë në të cilën janë fshehur të gjitha figurat e rithemelimit. LSI-ja është zhdukur.

Sot jetojmë në një periudhë që ndarjet ideologjike nuk kanë më të njëjtën forcë që kanë pasur në vitet 2000. Kemi parë koalicione. Fakti që një kandidat, siç është Bano i Lushnjës që mund të ketë kandiduar dy herë me LSI-në dhe tani me Berishën, nuk është ndonjë problem për t’u evidentuar. Është një fushatë që gabimisht është impostuar me natyrë kombëtare. Kjo është banale që për hallin e politikanëve të qendrës, të neglizhohen ato që janë probleme me karakter vendor. Pavarësisht se janë zgjedhje me një afat të shkurtër, prapëseprapë problemet lokale janë të mëdha. E kuptoj që të kemi dy sy e veshë ndaj Ukrainës, por nuk duhen lënë problemet e këtyre bashkive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: