NGA: DARINA TANUSHI* TIRANE- Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” deklaroi dje, se në zgjedhjet vendore të 21 qershorit partia e tij do të kërkojë mbështetjen e të majtëve të zhgënjyer nga qeverisja e Ramës edhe pse shton se në zona të caktuara do mbështesë kandidatët e PSsë. Gjithashtu Gjinushi pohon se ish-deputeti i LSI-së, Dritan Prifti e mbështet moralisht dhe politikisht PSD-në në këto zgjedhje. Ndërkohë që i kthen edhe një përgjigje Servet Pëllumbit, i cili thotë në librin e fundit se PSD-ja u krijua në zyrat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Sipas Gjinushit, Pëllumbi gabon rëndë sepse këto akuza ndaj tij nuk i ka bërë as Berisha.

Zoti Gjinushi, ju nuk iu bashkuat koalicionit me Partinë Socialiste. Pse?
Tani është e qartë që, pas zgjedhjeve të 2013-ës, PSD-ja, ndonëse ishte një nga kontribuueset kryesore të fitores të së majtës, një nga partitë opozitare më të qarta dhe më e sakrifikuara, përsëri nuk u bë pjesë e bashkëqeverisjes. Pra, ishte një zgjedhje e lidershipit socialist për të fituar me të tjerë dhe për të qeverisur me të tjerë dhe deri në prag të zgjedhjeve lokale. Do mjaftonte kaq që PSD-ja ta shikonte veten ‘de facto’ një opozitë brenda shumicës, sepse faktikisht PSD-ja ka qenë dhe mbetet e majtë, pra nuk bën rrëshqitje djathtas. Në kushte të tilla, çdo parti përgatitet më së pari për taktikat e zgjedhjeve që të dalë si një subjekt më vete. Arsyeja e dytë është që, gjatë kësaj qeverisjeje, patjetër që janë krijuar edhe diferenca. Ne vërejmë që, jo vetëm PSD-ja, por në tërësi militantët, mbështetësit e së majtës nuk e ndiejnë veten të përfaqësuar në qeverisjen qendrore. E ndiejnë veten të anashkaluar, të braktisur, madje socialistë, mbështetës të së majtës, për të gjetur një vend pune duhet t’i luten një drejtori të PD-së, për të mos thënë që janë të detyruar të përdorin edhe mjete të tjera. Atëherë, në këtë situatë duhet një alternativë e së majtës, pikërisht për t’i dhënë mundësi pjesës së papërfaqësuar të përfaqësohet në pushtetin lokal. Pra, qoftë duke mbështetur PSD-në, ata nuk kontribuojnë për humbjen e së majtës, përkundrazi, kontribuojnë për një reflektim të së majtës, veçanërisht lidershipit të PS-së. Ky është edhe një mesazh politik, që: nuk mund të anashkalohen mbështetësit kryesorë, nuk mund të anashkalohen kontribuuesit kryesorë, dhe që e majta nuk është një monopol i një apo dy partive.

Nuk kishit ju mundësi, si zoti Milo, të kërkonit zbatimin e marrëveshjes së 2013-ës dhe të bëheshit pjesë e koalicionit?
Marrëveshja e 2013-ës është për zgjedhjet e 2013-ës dhe nuk u zbatua. Nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet lokale. Ajo marrëveshje thoshte që, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 2013- ës do të përcaktohej edhe shkalla e pjesëmarrjes në qeverisje, gjë që nuk u bë. Por, siç thashë, janë shtuar edhe diferencat, qoftë në kuadër të reformës administrative, qoftë në drejtim të luftës kundër korrupsionit, qoftë në drejtim të qëndrimit ndaj kupolës së PD-së, ku Berisha bën ligjin në Kuvend sot e kësaj dite dhe nuk jep llogari as për shpifjet, as për kallëzimet e rreme dhe as për deklarimet që bën. Por, për më shumë, as që shtrohet që të japë llogari për gjithë çka bëri në gjithë këto vite. Ne kemi kontrastin e madh, ku dënohen për abuzim me energjinë elektrike, individë të caktuar, familjarë apo biznese e me radhë dhe, në të njëjtën kohë, ata që e prodhuan këtë situatë, ata që në mënyrë të organizuar e shkatërruan KESHin, ata që në mënyrë abuzive e shkatërruan KESH-in, që e kthyen në një gropë të zezë dhe që i kushtoi Shqipërisë me miliarda humbje, ata janë deputetë, politikanë, kandidatë për kryeministra e ministra të ardhshëm, madje bëjnë edhe opozicion ndaj reformave të qeverisë.

Pra, edhe ju jeni i zhgënjyer nga Rilindja si zoti Blushi?
Tani, unë jam Skënder Gjinushi. Jam kryetar i PSD-së. Diferencat që ka PSD-ja me PS-në i them vetë dhe nuk i ngatërroj me analizat e tjera. Unë bëj analizën time. PSD-ja ka një gjë që, është konstante në qëndrimet e saj. Nuk i thotë ato as herë pas here, as në momente që i cenohet ndonjë interes. Po t’i shohësh qëndrimet e partisë sonë, PSD-ja vlerëson që të thotë edhe gjithë çka nuk është pozitive në qeverisje, edhe kush janë përpjekjet që duhen bërë, qoftë edhe arritjet. Për shembull, lufta që ka bërë policia për të çinkriminuar zona të tëra nga hashashi është pozitive. Por, të themi edhe të metat dhe diferencat që kemi. Për shembull, një kritikë tjetër që ne kemi është që, nuk mendojmë që një parti e majtë në qeverisje nuk duhet të synojë privatizimin e të gjithë sektorëve kyçë të ekonomisë, sidomos të sektorëve strategjikë. Këtë përpjekje e bëri Berisha si i djathtë dhe për qëllime, për të krijuar kontroll të plotë mbi ekonominë, dhe dështoi. KESH-i është një dështim spektakolar. Edhe privatizimet në naftë deri tani nuk kanë dhënë rezultat pozitiv dhe janë jashtë kontrollit. Edhe kromi është copë-copë, ngaqë ministria ka qenë e detyruar të rishikojë licenca të tëra. Ju e dini sa janë anuluar. Pra, një politikë e majtë nuk synon atë që, shteti të zhvishet totalisht nga kontrolli i sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë.

Kanë qarkulluar zëra se ju keni mbështetje nga zoti Dritan Prifti. Cili është roli i tij në PSD?
Ai e ka shprehur vetë publikisht, që ka një interes për t’u kthyer në politikë. Po si Dritan Prifti ka shumë ish-deputetë të majtë, nga PS apo nga LSI, që hë për hë duan që një alternativë tjetër të forcohet, pra është ajo pjesa që e sheh veten të margjinalizuar e që fillon që nga socialistët e thekur e deri te persona që kanë kontribuar në strukturat e së majtës deri në nivelet e larta. Dhe, në këtë kontekst, ai ka shfaqur dëshirën për të bashkëpunuar edhe me PSD-në. Këto janë zgjedhje lokale. Dhe në tërësi persona të tillë nuk kandidojnë vetë, sepse dilet me kryetarë bashkish. Kështu që, kontributi është moralo-politik.

Në cilat zona e keni fiksuar që do kandidoni për kryetarë?
I gjithë qëllimi i PSD-së nuk është t’i bëjë diversion PS-së. Absolutisht është e kundërta! Pra, qëllimi ynë është të afishohet dhe të dalë më qartë si parti. Nuk mund të ishim në një koalicion ku tani janë bërë të majtë e të djathtë e lloj-lloj, janë mbi 39 parti. Nuk mund të ishim në hije në atë koalicion, nuk mund të ishim edhe për arsyet parimore që unë i përmenda. Por, dalja më vete si subjekt, jo vetëm që nuk e dobëson, përkundrazi, u jep të majtëve një mundësi zgjedhjeje, veçanërisht të majtëve të pakënaqur, atyre të margjinalizuar, të majtëve të harruar, të braktisur. Po të shohësh dy kontribuuesit kryesorë të së majtës në fitoren e 2013-ës, të PSD-së si aleate dhe të strukturave të socialistëve të mbështetësve të majtë, janë më jashtë qeverisjes qendrore. Pra, atëherë ne duhet të bashkohemi, të mbështesim njëri-tjetrin për ta forcuar këtë alternativë. Sa u takon pastaj kandidatëve, se lufta reale në pushtetin lokal është te kandidatët, atëherë PSD-ja përsëri nuk ka zgjedhur rrugën që, hajde të vëmë kandidatë për të prishur punë dhe për ta çuar fitoren në krahun tjetër. Por, në shumicën e njësive nuk do të vërë kandidatë, pikërisht për këtë arsye dhe do mbështesim kandidatët e së majtës. Ky është qëndrimi ynë politik. Degët tona janë të orientuara që lokalisht të bashkëpunojnë aty ku u ofrohet bashkëpunimi, por mbi një marrëveshje solide, që PSD-ja do luftojë për votën e vet në proporcional, për të shtuar këshilltarët në bashki dhe, nga ana tjetër është e gatshme që për votë kandidati të mbështesë atë të së majtës, veçanërisht kur ai e meriton, dhe shumica na rezulton se e meritojnë. Në disa pika ku ne mendojmë që kemi kandidat fitues, ne do luftojmë të fitojmë si PSD. Kjo është taktika bazë.

Ishte një plan për një pol të tretë. A quhet i dështuar ai?
Pol i tretë do të thotë të jetë një alternativë jashtë kampeve. Polin mund ta bëjnë edhe disa parti, edhe një parti. Pra, ne jemi “një pol i tretë” tek e majta. PSD-ja është e mjaftueshme për ta krijuar këtë pol dhe ka një kontribut 20 e ca vjeçar. Ka marrë historikisht nga 40 e ca deri në 100 mijë vota. Në kushtet e krijuara tashmë, një gjë është e qartë, që partia më konsekuente, si në opozitë, edhe kur vjen në pushtet, është PSD-ja. Ne mendojmë që ka nevojë për një pol të tretë, për një alternativë tjetër ka më shumë nevojë tek e majta, sepse shumica e shqiptarëve është majtas dhe zhgënjimi më i madh është tek të majtët për qeverisjen e tyre, sepse shohin që, të tjerë kontribuuan për fitoren dhe të tjerë po përfitojnë. Ju i dini se si janë preferencat midis militantëve të PS-së dhe militantëve të LSI-së. Kështu që, boshllëku është më i madh në të majtët. Në të djathtët ishte mundësia për një pol tjetër. Aty u gabua, që FRD-ja, në vend të grupohej djathtas, sepse ishte momenti për të thithur votat e PD-së, sepse këta e shohin qartë që Luli nuk e mbledh dot. PD me kryetarin e ri të emëruar dhe kryetarin tjetër që nuk shqitet atëherë nuk përfaqëson më shumicën e të djathtët. Dhe atje ka një zhgënjim. E majta kishte nevojë për një pol tjetër ose alternativë tjetër, që jemi ne, dhe e djathta kishte nevojë për një alternativë tjetër që mungon.

Në librin e fundit, Servet Pëllumbi shkruan se PSD dhe PR u krijuan në zyrat e Komitetit Qendror të PPSH…
Nëse e ka thënë këtë, ka gabuar rëndë! Edhe Sali Berisha që më ka sulmuar kaq shumë, nuk ka arritur deri këtu. Këtë s’ka guxuar ta thotë kurrkush, sepse është e vetmja parti që u vetëshpall. Unë kam qenë ministër, u thashë ‘po ikim’ dhe kemi krijuar PSD-në. Pra, nëse është thënë kjo, nuk e di nga e ka nxjerrë. Por këtë nuk mund ta thuash pas 24 vjetësh. Unë mund të di më shumë gjëra se ç’mund të dinë të tjerët se çfarë ka ndodhur atëherë. Edhe Berisha që është përpjekur të sulmojë PSD-në dhe mua personalisht, vetëm këtë alternativë s’e ka thënë ndonjëherë, sepse kam qenë i pari që kam folur për pluralizëm në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk ishte me porosi, siç qenë artikujt me porosi në atë kohë. Për informacion mund të lexoni edhe ditarin me kujtimet e Xhelil Gjonit, që në një pasazh thoshte që, Ismail Lleshi përpiqej t’i mbushte mendjen Gjinushit që të kthehej prapë te PPSH-ja. Do të thotë që s’kisha ikur me porosi. Pra, Xhelil Gjoni thotë të vërtetën. Pra ne kemi ikur. Nuk i pëlqeu PPSH-së, tentoi të bëjë edhe një asamble për të na rithirrur. Na bënë presion, na merrte emrat me lista, por ne nuk u bindëm. Vazhduam rrugën tonë. Është e vetmja parti që është krijuar pa leje. Ka edhe një detaj të rëndësishëm. Ministria e Drejtësisë nuk na ka dekretuar. Ne jemi vetëshpallur. Ajo qe akoma e Partisë së Punës dhe nuk deshi që ne të hyjmë në zgjedhje. Na ka mbajtur të bllokuar dhe ne jemi vetëshpallur, sepse ligji atëherë ishte që, nëse për 30 ditë nuk miratohej leja, quhej e miratuar. Dhe ne jemi vetëshpallur në ditën e 32-të. Pra, na është bërë presioni maksimal që mos të shqiteshim, siç u bë tani presioni maksimal që të mos dilnim më vete.

Biseda e fundit që patët me Ramën për çështjen e koalicionit, si ishte?
Ky pozicion i marrë nga PSD-ja nuk është zgjedhja jonë. Në fillim është zgjedhja e PS-së, që është sjellë në mënyrë denigruese, jovlerësuese ndaj PSD-së dhe, duke filluar që nga taktikat elektorale, ku aleati ynë u përpoq që PSD-ja të mos futej në Kuvend në zgjedhjet e 2013-ës. Pra, çdo gjë flet për këtë, megjithatë ne përsëri mbajtëm një pozicion të kontrolluar. Prapë shprehëm dëshirën ose mundësinë e një bashkëpunimi. Kjo mungoi. Ndërkohë u thellua hendeku edhe në marrëdhënie, veçanërisht në qëndrime, në drejtim të disa reformave. Në kushtet e krijuara, absolutisht nuk kishte zgjidhje tjetër. Sepse edhe “oferta”, sepse nuk ishte ofertë, nuk ishte bashkëpunuese, që, ‘shiko, futu pak këtu’. PR-ja negocioi me PD-në deri për Durrësin, PDK-ja negocioi për Lezhën. PS-PSD as që shtrohej që të negocionin qoftë edhe për një bashki të nivelit të tretë. Flas për numrin e popullsisë, sepse bashkitë janë të gjitha të rëndësishme. Kështu që, kjo ishte një lëvizje e detyruar. Ne s’jemi pishman fare, sepse ka një boshllëk të madh në të majtë dhe absolutisht që duhet mbushur. Dhe PSD-ja ka të gjithë të drejtën morale që ta kërkojë votën e saj.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: