Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, i ftuar në studion e News 24, është shprehur se problemet me zgjedhjet në Shqipëri nuk lidhen domosdoshmërisht me sistemin elektoral, i cili sipas tij është mjaft i përhapur dhe nuk është i keq në vetvete.
Gjinushi theksoi se ndër vite ka pasur deformime të procesit dhe se sfida qëndron te modeli i zbatimit dhe drejtimi administrativ i procesit. Ai kërkoi komisione sa më neutrale dhe një administrim të saktë të zgjedhjeve, ndërsa nënvizoi se në thelb, vota e qytetarëve është reflektuar në rezultatet elektorale.
Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave: Zgjedhjet kanë qenë gjithmonë një problem në Shqipëri. Më 1996 kishte goditje të rëndë ndaj procesit zgjedhor, më 1997 nisi kriza ekonomike e kishim zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet në esencë kanë reflektuar vullnetin e popullit. Maxhoranca ka pasur mbështetjen e votuesve.
Komisionet të jenë sa më neutrale. Procesi të ketë një drejtim administrativ sa më të saktë. Problem ka qenë deformimi i sistemit zgjedhor. Sistemi elektoral është mjaft i përhapur, nuk është i keq. S’ka qenë faji i sistemit elektoral, por i modelit që ngrihet. Sistem që mos e deformojë votën nuk ka. OSBE tha se vullneti në esencë u shpreh, por kishte disa cene.