TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, miratoi dje me 7 vota pro projektvendimin, “Për shpërndarjen e fondeve vjetore partive politike në formën e ndihmës financiare vjetore për vitin 2015”. Siç e parashikon edhe Kodi Zgjedhor, për partinë më të madhe në Parlament ka shkuar edhe fondi më i madh. Konkretisht Partia Socialiste ka përfituar 73.676.617 lekë, kurse demokratët në opozitë,
njëherazi partia e dytë me më shumë ligjvënës në Kuvend janë akorduar
57.179.867 lekë. Partia e tretë në listë është Lëvizjen Socialiste për Integrim, për të cilën KQZ akordoi shumën e 20.575.897 lekëve. Më pas lista vijon me Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet me 7.518.047 lekë, Partinë Republikane të Fatmir Mediut me 6.632.077 lekë, PBDNJ-në e Vangjel Dules, që do të marrë 4.130.537 lekë, Partia
Kristian Demokrate me 4.130.537 lekë dhe atë Demokristiane të Nard
Ndokës me 3.166.667 lekë. Përfitues nga fondi i shpërndarë nga KQZ-janë janë edhe 4 parti të tjera të vogla, të cilat pavarësisht se nuk kanë përfaqësues në Kuvend kanë siguruar numrin e mjaftueshëm
të votave për të përfituar nga ndihma financiare e shtetit. Konkretisht është Fryma e Re Demokratike e ish-Presidentit, Bamir Topi që ka siguruar 3.489.668 lekë si edhe partitë Demokracia Sociale, Socialdemokrate dhe Aleanca Kuq e Zi që kanë përfituar
respektivisht 3.166.667 lekë. Ndërkohë po dje KQZ vendosi shtyrjen e
shqyrtimit për në mbledhjen e ardhshme, të projektvendimit, “Për miratimin raportit vjetor për veprimtarinë e KQZsë për vitin 2014”, që do t’i paraqitet Kuvendit të Shqipërisë.

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: