TIRANE – Deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka folur për herë të parë lidhur me interpretimet që iu bënë publikimit të fotografisë së saj në profilin zyrtar të kryeministrit Rama në “Facebook”. Shumë njerëz e cilësuan publikimin e fotografisë si një kataputim që kryeministri kërkoi t’i bënte zonjës Kryemadhi, si një kandidate e mundshme për Bashkinë e Tiranës, por deputetja ka hedhur poshtë mundësinë për të kandiduar për Bashkinë e kryeqytetit.
Në një intervistë në emisionin “Wake Up”në “TCH”, Kryemadhi tha: “po përfitoj nga rasti edhe për herë të parë të prononcohem për këtë gjë. Ka shumë djem dhe vajza të tjera, shumë të mirë që mund të kontribuojnë për Bashkinë e Tiranës. Sigurisht që unë jam deputete e Qarkut të Lezhës dhe ajo që duhet të them është që Tirana meriton shumë vajza dhe djem të tjerë. Nuk do kandidoj për Bashkinë e Kryeqytetit absolutisht”.
Sipas Kryemadhit, Tiranës i duhet një administrator i mirë dhe jo një
politikan. “Jo se nuk e marr përsipër por unë mendoj që u duhet dhënë mundësia edhe të tjerëve. Nuk ka nevojë të njihet Monika. Unë mendoj që Tirana ka nevojë për një figurë që të njihet dhe që të jetë një administrator shumë i mirë i Tiranës. Bashkia e Tiranës nuk ka nevojë për politikanë. Bashkia e Tiranës ka nevojë për administrator të mirë, që ta bëjë Tiranën ashtu siç e meriton, ta kthejë në një qendër ballkanike për kulturën, artin dhe shumë gjëra të tjera”,- tha Kryemadhi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: