Berisha ka prezantuar ditën e sotme Shkëlqim Hoxhën, kandidatin e tij për bashkinë e Rrogozhinës në zgjedhjet e 14 majit.

Berisha u shpreh se me zotin Hoxha në krye, bashkia e Rrogozhinës do të kthehet në një bashki model për bashkitë fqinje dhe jo vetëm.

“Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokrate e demokratë, banorë të bashkisë së Rrogozhinës!
Një përshëndetjet të përzemërt dhe vëllazërore për këtë pritje të zjarrtë.

Vij këtu për të paraqitur para jush kandidatin tonë për qytetar të parë, kryetar bashkie, Shkëlqim Hoxhën. Shkëlqim Hoxha është e theksoj dhe vetë, një demokrat i fillimeve më të para të demokracisë, por është edhe një demokrat, i qëndresës në ditët më të vështira të PD-së, i cili në vitin 1997-98-99, në një kohë kur PD luftonte për mbijetesë bëri gjithçka aty ku ishte në emigracion dhe më vonë erdhi në Shqipëri për të mbështetur atë dhe suksesin e saj.
Në të gjitha detyrat e ngarkuara ai ka treguar aftësi të veçanta, përkushtim të madh në përmbushjen me nder të detyrave që ju ngarkuan gjatë qeverisjes së PD. Unë ju garantoj ju se Shkëlqim Hoxha me aftësitë e tij, përkushtimin e tij, dashurinë dhe respektin që ai ushqen për ju, qytetarët, qytetaret, fermerët, banorët e kësaj bashkie do të bëjë gjithçka që të ua rikthejë ju Bashkinë e Rrogozhinës si shtëpinë tuaj të parë.
Do të bëjë gjithçka që të përmirësojë çdo muaj dhe çdo vit jetën tuaj, infrastrukturën në territorin e kësaj bashkie, suksesin e bizneseve në territorin e kësaj bashkie. Suksesin e bizneseve në territorin e kësaj bashkie, zhvillimin e fermave dhe suksesin e fermerëve të territorit të kësaj bashkie. Zhvillimin e turizmit, një degë për të cilin Rrogozhina ka një potencial të madh për tu zhvilluar edhe më shumë.
Ju garanton se Shkëlqim Hoxha, si njohës i shkëlqyer i ekonomisë dhe biznesit, bashkinë e Rrogozhinës do ta shndërrojë në një bashki model për qytetarët e saj, bashkitë fqinje dhe vendin”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë vetë kandidati Hoxha u shpreh se ndihet përgjegjës për të dalë fitues në mënyrë që të japë kontributin e tij në rikthimin e demokracisë në vend.

Ai premtoi qytetarëve se do t’i kthejë bashkinë qytetarëve, pasi vitet e fundit ajo është kthyer në një çiflig të qeveritarëve lokale aktualë.

“Ndjej përgjegjësinë e madhe për të materializuar fitoren me 14 maj, mbështetjen popullore për t’u bërë nismëtar për t’i dhënë fund regjimit antishqiptar të Ramës dhe për të rikthyer demokracinë.
Sot përulem para jush dhe betohem se së bashku do ti kthejmë bashkinë e Rrogozhinës qytetarëve të saj, e cila në këto vite është kthyer në çiflig të qeveritarëve lokale aktualë.
Jam i gatshëm të marr përgjegjësinë e votës tuaj dhe të betohem se besimi juaj do kthehet në forcë për të zgjidhur çdo problematikë”, tha Hoxha, duke treguar edhe pikat e programit, ku më kryesorja është infrastruktura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb