Partia Demokratike e Shqipërisë e drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, ka denoncuar sot se qeveria dhe kryeministri Edi Rama po përdor administratën dhe policinë si mashë kundër PD.

Shefja e komunikimit Mirela Karabina, në një deklaratë nga selia, u shpreh se mbështetësit e PD po shantazhohen thuajse në çdo bashki, ndërsa i ka bërë thirrje autoriteteve të veprojnë.

Fjala e plotë:Edhe në këto zgjedhje , si në çdo garë elektorale, ashtu sikurse tashmë e ka kthyer në një praktikë normale nga paranoja për humbjen e pushtetit, Edi Rama ka vënë në jetë instrumentet për të ndikuar në mënyrë te paligjshme në deformimin e zgjedhjeve të së dielës. Pasi ka shantazhuar e përdorur administratën shtetërore, pasi ka angazhuar grupet kriminale, pasi ka nxjerrë nga jugu në veri zyrtarët e tij të korruptuar me çantat e mbushura me para të korrupsionit, Edi Rama po mundohet të përdorë çdo instrument për të frikësuar opozitën. Kur na ndajnë vetëm tre ditë nga zgjedhjet e 14 Majit, Edi Rama po përdor edhe policinë e shtetit si mashe kundër Partisë Demokratike. Kemi të dhëna thuajse në të gjitha bashkitë për përfshirje kriminale të policisë, duke shantazhuar mbështetës të Partisë Demokratike apo përdorim të skemave mafioze për të bërë pis procesin.
Me sa duket, Edi Rama nuk heq dot dorë nga zakoni i tij i vjetër i manipulimit dhe deformimit të procesit zgjedhor.

I Kapur në shumë raste më zë dhe figurë, ai personalisht dhe eksponentë të lartë të Partisë Sociliaste në përpjekje për të blerë vota dhe kërcënuar qytetarë, edhe në këto zgjedhje Edi Rama ka vendosur në funksion të Partisë Sociliste të gjithë makinerinë shtetërore, duke e bërë shtetin njësh me pushtetit.

Të gjitha këto veprime, janë në kundërshtim me ligjet ne fuqi, me kodin zgjedhor dhe parimet kushtetutese të një garë politike të ndershme dhe të barabartë.
Partia Demokratike dënon me forcë çdo akt apo instrument që përdoret me qëllim kërcënimin e votuesve dhe deformimin e zgjedhjeve të 14 Majit.

I bejme thirrje Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të policisë të tërhiqen nga aktet e turpshme të përdorimit të policisë kundër opozitës. U bëjmë thirrje cdo personi që përfshihet në skemën e Edi Ramës së manipulimit të zgjedhjeve se këto veprime përbëjnë vepër penale dhe do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

Partia Demokratike e Shqipërisë i bënë thirrje organeve të drejtësisë të jenë të vëmendshme ndaj këtyre akteve dhe të marrin masat e nevojshme për parandalimin dhe dënimin e veprimeve që cenojnë votën e lirë, që cenojnë garën demokratike elektorale.

Manipulimi i votës, deformimi i vullnetit politik të qytetarëve shqiptar është sëmundja më e madhe e demokracisë shqiptare në 33 vite pluralizëm. Është e turpshme për Shqipërinë që në vitin 2023, vend anëtar i NATOS, vend i cili kërkon të integrohet në Bashkimin Europian, vuan akoma manipulimin e zgjedhjeve dhe deformimin e vullnetit politik të popullit shqiptar.

Ftojmë selitë diplomatike në vendin tonë dhe OSBE-ODHIR, të monitorojnë me vëmendje situatën, duke pasqyruar çdo episod. I bëjmë thirrje që të shtojnë numrin e vëshguesve të tyre, pasi nga të gjitha të dhënat situata është alarmante.
Megjithatë, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe votuesit e saj nuk tremben dhe nuk stepen aspak nga presionet e cfarëdo lloji që pushteti ushtron kundrejt simpatizantëve të saj. Ne i bejmë thirrrje votuesve tanë të votojnë masivisht në zgjedhjet e 14 majit.

Ne i bëjmë thirrje qytetarëve shqiptar të votojnë masivisht Partinë Demokratike të Shqipërisë. Komisionarët tanë, vëzhguesit dhe numëruesit tanë do të jenë aty për të siguruar që çdo votë e juaja do të numërohet dhe vullneti i lirë i gjithsecilit do të respektohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: