Avokati Ermal Hamataj ka prezantuar ditën e sotme kandidaturën e tij për Primaret e Partisë Demokratike për zgjedhjet e Bashkisë Fier, ndërsa atij i është bashkuar në garë edhe avokatja Denisa Muça që do kandidojë kundër tij në garën për Primare.

Deklarata e plotë:
Unë jam Ermal Hamataj dhe garoj në Primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë Fier.

Jam 36 vjeç, i martuar dhe kam dy fëmijë, 9 dhe 4 vjeç.

Kam përfunduar Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Tiranës në vitin 2008.

Jurist në formim, prej 11 vitesh Avokat në profesion dhe prej 1 viti jam zgjedhur Kryetar i Dhomës së Avokatëve Fier.

Në vitet 2012-2015 kam qënë pjesë e strukturës drejtuese të Partisë Demokratike Dega Fier dhe përfaqësues ligjor i saj.
Në 2015 -ën jam shkëputur nga jeta aktive partiake, jo sepse doja, jo sepse nuk kisha çfarë të jepja, por si unë dhe shumë të tjerë e pamë se Partia Demokratike dhe Drejtuesit Politik të asaj kohe kishin alergji nga të rinjtë, profesionistët dhe të aftët.

Praktikisht kjo alergji e lidershipit të kaluar e solli në ditët më të zeza Partinë Demokratike në gjithë Shqipërinë.

Ndoshta duhej kapur fundi që t’i jepej jetë një projekti të ri, sfidues, falë të cilit unë e shumë të tjerë jemi sot këtu për të treguar që Partia Demokratike ka dhe di si t’ju japë mundësinë të rinjve, profesionistëve dhe të aftëve për të drejtuar Bashkitë dhe Shqipërinë.

Vendimi për të qënë pjesë e kësaj gare, për mua ishte i thjeshtë: nuk shtirem dot, e të bëj rolin e heroit për qytetin. Por, unë jam hero i fëmijëve të mi, të cilët duke më dëgjuar pafund të ankohem nga divani, nesër do më pyesin “Po ti, çfarë bëre për ta bërë më mirë Fierin ?”

Të paktën do ju them, unë e provova të bëja diçka e nuk ndenja spektator.

– Sot, në Fier ka pedonale por ska rini per te ecur në të, ka teater por ska më art, ka stadium por ska më sport.

– Në Fier ka tendera por ska barazi, ka Det por nuk ka plazhe, ka shkolla por nuk ka më nxënës, ka spitale por ska shëndetësi, ka vende pune por duhet ti blesh!

– Fieri ka Apolloninë, qytetin antik ku ka jetuar Perandori August, por aty s’ka turistë.

– Në Fier prodhohet naftë, por toka punohet me naftë greke, punohet toka por nuk shitet prodhimi…

– Në Fier ka kompani të huaja multimilionere por kane 10 vite që dalin me humbje dhe çuditërisht nuk falimentojnë, ka ligj por ska drejtësi.

– Në Fier ka pensionistë që votojnë Partinë Socialiste pafund por për ta nuk ka nje Qendër Sociale, sepse i gënjejnë prej 10 vitesh në Fier ka gjyshër por s’ka më nipër e mbesa, në Fier ka beton por nuk ka më buzeqeshje!

Këto janë disa nga arsyet pse unë vendosa që të marr pjesë në këtë garë, por bërja drejt e tyre, për mua e këdo, duhet të jetë detyrim karshi fëmijve tanë, familjes tonë. Sepse fëmijët dhe familjet tona janë qyteti ynë!

Unë besoj se kam aftësinë, formimin, bashkëpunëtorët dhe energjinë e duhur për t’i kthyer alternativat qytetit tim dhe për këtë kërkoj sot votën e anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike Dega Fier.

Deklarata e plotë e Muçës:

Jam sot para jush për të shpallur kandidaturën në primaret e Partisë demokratike për zhgjedhjet vendore në Bashkinë Fier.

Futem në këtë garë të brendshme paraprake, në procesin që aq shumë është pritur dhe që po kthen votën dhe zgjedhjen te antari dhe qytetari, pa u kushtëzuar me kandidatura apo alternativa të emëruara apo sjellë rishtaz nga kryetarët e partive.

Quhem Denisa Muçaj, punoj si Avokate në qytetin e Fierit që prej vitit 2020.

Jam diplomuar në Jurisprudencë dhe kam nje Diplome pasuniversitare Ne Marrdhenie Nderkombetare, ndjekur në mënyrë intensive nga trajnime të vazhueshme Brenda dhe jashtë vendit.

Vendi sot më shumë se kurrë ka nevojë për të drejta Demokratike dhe dinjitet personal, ky dinjitet mund të garantohet plotësisht vetëm ne vendin tënd, në shtëpinë dhe tokën tënde.

Ndaj sot të gjithë bashkë duhet bëjmë të pamundurën për të ndaluar këtë largim shkaktuar nga keqqeverisja qendrore dhe vendore e cila ka lënë si zgjidhjen e vetme rrugën e largimit.

Vendimi për të shpallur kandidaturën për primaret, lidhet me një kryefjalë që më shoqëron: Politika dhe vendi duhet të përfaqësohet nga figura të reja publike te pakapura nga pushteti, të pastra, kurajoze dhe me forcën dhe dëshirën e madhe të ndryshojnë këtë realitet qeverisës!
Dua jem para jush si alternativë për të bëre të pamundurën që Fieri të ketë një Bashki ku qytetari kërkon llogari dhe merr shërbimet për te cilat institucioni është krijuar.

Në përmbyllje, shpreh mirënjohje dhe vlerësim për të gjithë kandidatët pjesëmarres në këto primare.

Cilido qoftë i zgjedhuri nga Demokratët dhe simpatizantët, ne jemi të gjithë sëbashku për të bërë më të mirën që Bashkinë e Fierit të mos e lëmë më në dorën e një grupi njerzish që e kanë kthyer në shërbim personal, por tja kthejmë atë qytetarëve.

Faleminderit!

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: