Nga: FATMIR POPJA*
ELBASAN – Sekretarja e Marrëdhënieve për Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma përjashton çdo mundësi kandidimi për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e 21 qershorit. E pyetur nga “Gazeta Shqiptare” se a do të jetë ajo përfaqësuesja e opozitës në garën për bashkinë e kryeqytetit, Duma u përgjigj prerë: “Jo. Shpresoj se do të kemi shumë kandidate femra në këto zgjedhje”. Këtë qëndrim ajo e shprehu dje gjatë një konference për shtyp në selinë e PD-së së Elbasanit. Qëllimi i kësaj konference të parë me mediat lokale dhe ato qendrore sqaroi Duma është prekja e problematikave në degët e PD në të gjithë vendin, me qëllim që të gjithë krerët e kësaj partie të jenë më afër qytetarit në prag të zgjedhjeve lokale. Në lidhje me strategjinë që do të ndiqet në zgjedhjet lokale si edhe përzgjedhjes së kandidatëve Duma tha se “po marrim informacion në çdo qytet, pasi me këtë hartë territoriale që kemi një gjë del në fokus, gjetja e figurës që të jetë aq e fitueshme. Uroj që t’ia dalim me kandidaturat më të mira që të mos zhgënjejmë pritshmëritë e qytetarëve. Ne duhet që me figurat që do të zgjedhim të ngjallim shpresë tek qytetarët. Kemi arritur në një pikë që qytetarët duan vetëm të shfryjnë dhe zgjedhja e një kandidati është shumë e rrezikshme. Por mendojmë që do të bëjmë më të mirën. Në politikë ka vetëm një rregull, po mendove se nuk ia del, atëherë me të vërtetë nuk ia del. Ne do t’ia dalim sepse jemi pjesë e zgjidhjes. Tashmë është hapur sipari i meritokracisë në PD dhe kushdo që është i aftë është i gatshëm të konkurrojë, pasi është krijuar një frymë konkurencale e hapur”, – sqaroi Sekretarja e Marrëdhënieve për Publikun në Partinë Demokratike. Ajo shtoi se premtimet e radhës së PD-së do të jenë premtime të vërteta dhe jo si ato që dha kjo parti qeverisëse”. Në lidhje me situatën e reshjeve dhe përmbytjeve në disa qytete të vendit Duma tha se “gjendja është shumë emergjente dhe nuk e kuptoj se pse kjo qeveri nuk e cilëson si të tillë. Është absurde mania për të mos u dhënë vërtetësi gjërave. Mendoj se e vetmja taktikë në këtë situatë është të mos tregosh të palarat deri në fund, jam e shokuar se kush ia jep këtë mendje kësaj qeverie”. Sipas Dumës pakënaqësi dhe çudi se çfarë po ndodh me këto përmbytje japin edhe emigrantët që sipas saj “janë duke reaguar ndaj indiferentizmit të kryeministrit në këtë situatë. Kemi dy vjet që përballemi me një realitet të tillë”. Sipas saj ka shumë për të diskutuar rreth emergjencave të kaluara, “por duhet të përballojmë emergjencën e sotme”, – tha Duma. Sipas saj “na duhet t’u drejtohemi qytetarëve me vërtetësi dhe jo me premtime që nuk mbahen dhe problem aktual është që të evitojmë problemet e emergjencës”. Duke ju referuar burgimeve të shumta të kryera për shkak të energjisë elektrike, por edhe drejtuesve të mjeteve pa leje qarkullimi, etj, ajo shtoi se “shteti nuk është represiv, por është shteti i mundësive dhe më pas i kërkesës së llogarive”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb