Greqia është sërish, vetëm pak muaj më pas, në ethe elektorale, këtë radhë të pushtetit lokal. Jo më pak të rëndësishme, sidomos pas katastrofës biblike që la pas furtuna “Daniel” në disa nga periferitë më të mëdha të vendit. Faktori më interesant i garës elektorale të radhës, kandidaturat e shumta, po jashtëzakonisht të shumta, të përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Greqi.
Pa ekzagjerim, thuajse në çdo skaj të vendit në listët e gjata do të hasen emra shqiptarësh të brezit të parë apo të dytë, për një vend në këshillat bashkiakë, prefekturat, komunat etj. Çfarë mungon? Do të donim një kandidaturë për kryetar, për drejtuesin e përgjithshëm. Jo se vonon shumë, po mesa duket akoma nuk janë pjekur plotësisht kushtet. Në asnjë zonë të vendit, akoma dhe aty ku numri i shqiptarëve dominon ndjeshëm vendasit, ku mund të thuhet me plot gojë se familjet emigrante mbajnë akoma gjallë vendin, se po të mos ishin fëmijët e tyre shkollat nuk do kishin arsye funksionimi.
Kështu, po mbetemi në sadisfaksionin që ofrojnë çdo ditë e më shumë zërat e larmishëm që zhvillojnë këtë periudhë fushata mjaft interesante, me propozime serioze e impakt real në shoqërinë zonës së vogël apo të madhe ku jetojnë.
Gjithsesi, si kudo, sytë janë të fokusuar në metropolin e vendit. Bashkia më e madhe e Greqisë, ajo e kryeqytetit Athinas, do të ketë patjetër aromë shqiptare. Natyrisht që kryebashkiaku aktual Kostas Bakojanis, një njeri i ri, me aspirata të larta e pikëpamje tepër moderne, nuk do hezitonte aspak të shtonte në fletëvotimin tepër konkurrent të tij një zë shqiptar, sidomos kur shifra e banorëve të mirëintegruar është kaq e lartë. Për më tepër kur zëri i zgjedhur është tepër i njohur e i dashur për komunitetin në tërësi. Bëhet fjalë për një kryefamiljar model, një njeri të ri, dinamik, me një aktivitet shumëvjeçar vullnetar për integrimin e shqiptarëve në shoqërinë vendase. Le të mbështesim realisht sa kemi të drejtën e votës në Athinë përfaqësuesin tonë, Thanas Çarka.
***
Kandidati për këshillin bashkiak të Athinës, Thanas Çarka, në një maratonë të vërtet këto ditë po troket derë më derë, pa përtuar aspak për të diskutuar hapur çështjet aktuale të qeverisjes lokale me të gjithë qytetarët e metrolopit grek, vetëm pak ditë para vijës së finishit. Nuk është i panjohur, përkundrazi, shumica e kanë ndeshur ndër vite në disa role, kudo i suksesshëm, si një sipërmarrës i pavarur, një aktivist i palodhur i shumë projekteve, një vullnetar i rrallë i komunitetit shqiptar apo si kryetar i Bordit Drejtues të institutit “Evolucioni” ku u zgjodh me vota unanime muajt e fundit.
Biografia e Thanas Çarka, në pak fjalë
Thanas Çarka u lind në Zagori të Gjirokastrës, në vitin 1982, është i martuar me Irena Çarka dhe ka dy fëmijë, nxënës në shkollën fillore nr 127 të Athinës. Thanas Çarka ka mbaruar të mesmen profesionale dhe vijon të aktivizohet si sipërmarrës, me një ekip tepër të kualifikuar e pajisje mëse moderne. Gjatë gjithë viteve në emigracion, që kur erdhi në Athinë, ka jetuar në zonën e Athinës qendrore, Sepolia, duke ndjekur nga afër pulsin e rritmin e lagjes së tij.
Për vite me radhë është aktivizuar në çështje të ndryshme të lagjes Sepolia, duke dhënë zgjidhje efikase në mjaft prej tyre. Një djalë i shkathët, i palodhur, i papërtuar kurrë, Thanasi aktivizohet intensivisht me të gjitha aspektet e integrimit të emigrantëve në shoqërinë greke. Nga viti 2006 deri në vitin 2017 ka qenë anëtar i Bordit Drejtues dhe arkëtar i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, ku mbetet anëtar aktiv deri më sot.
Thanas Çarka ka ofruar aktivitet vullnetar përmes Komunitetit të Emigrantëve Shqiptarë në tragjeditë që ndodhën në Mandra, në zjarret e Korinthit dhe të Matit. I pranishëm ishte dhe javët e fundit në zonën e Thesalias, pas përmbytjeve tragjike që shkaktoi furtuna “Daniel”. Paralelisht, ka marrë pjesë në kërkime e fushata për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe emigrantëve si dhe për të drejtat e njeriut dhe pandeminë në Institutin “Liderët e rinj- Evolucioni”. Preokupimi madhor i Thanas Çarkës mbeten çështjet sociale dhe përpjekja e përmirësimt të ndjeshëm i nivelit të jetesës së bashkëqytetarëve të tij.
Kjo eksperiencë shumëvjeçare, përmes aktivizimit e ndërhyrjeve të herëpasherëshme i ofruan mundësinë e një kontakti të vazhdueshëm me bashkëqytetarët e tij, si dhe pjesëmarrjen në inisiativa të përbashkëta në dobi të qytetit, por edhe aftësinë të vështrojë me sy kritik, të gjykojë e të fokusohet gjithmonë në gjetjen e zgjidhjeve për çdo problem.
Në një periudhë kur Athina ndryshon çdo çast është vetëm domosdoshmëri që pjesë e këtij ndryshimi drastik të jetë edhe Thanas Çarka, këtë herë nga roli i Këshilltarit Bashkiak.
Sepse vetëm kështu do të ofrojë më shumë duke paraqitur propozime, por edhe kontrolluar zbatimin e projekteve. Konkretisht:
-Si një sipërmarrës beson totalisht në tregun lokal, për këtë do të punojë për të promovuar krijimin dhe mirëmbajtjen e vendeve të punës si dhe forcimin e fuqisë komerciale të njësive shitëse dhe bizneseve lokale të qytetit.
-Si qytetar grek që kujdeset për mirëqënien e familjes së tij, por edhe të emigrantëve të tjerë beson thellë në faktorin ndërkulturor e dëshiron të inkurajojë evidentimin e këtij tipari kulturor të shoqërisë ndërkulturore të qytetit të Athinës.
-Si kryefamiljar e prind, do të miratojë e adoptojë Hartën bashkiake për Mbrojtjen e Fëmijëve të shoqëruar me aktivitete konkrete.
-Si qytetar i Athinës do të punojë për lançimin e javës së Qytetarit dhe javës së Fqinjit. Kështu, përveç të tjerave, do të promovohet pjesëmarrja e qytetarëve duke rritur ndjenjën e përkatësisë në komunitet si dhe vullneti për angazhim, çfarë ndikon në identifikimin e prioriteteve gjatë punës parapërgatitore për buxhetin vjetor bashkiak.
Thanas Çarka është një njeri i formuar me forcat e veta, kryefamiljar, aktivist, me vullnet e dinamizëm për të ofruar në qytetin ku është rritur vetë e tashmë po rriten dhe fëmijët e tij të mrekullueshëm. Votoni për Thanasin, vendosni një kryq preference në fletëvotimin e tij më 8 tetor, pa asnjë hezitim, me optimizëm për një Athinë më të jetueshme e më të begatë!