KOSOVË- Kosova ka votuar sot për drejtuesit lokalë. Mbi 43 % e popullsisë së thirrur në votim, ka marrë pjesë në zgjedhje. Demokracia në Veprim ka publikuar rezultatet paraprake edhe për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Sipas rezultateve të numërimit të 87,7 për qind të votave, kandidati i VV-së, Shpend Ahmeti, ka fituar 44.46 për qind të votave, ndërsa Arban Abrashi i LDK-së, 35.54 për qind të votave.

AKR është e treta me 10.12, pastaj PDK me 5.76 dhe AAK me 3.14 për qind. Lëvizja Vetëvendosje nuk është konfirmuar në asnjë prej komunave të Kosovës si parti e parë, me përjashtim të Prishtinës.

Rezultatet e para tregojnë se Partia e Albin Kurtit është në vend të tretë e edhe në të katërtin në nivel vendi.

Haradinaj: AAK-ja është dyfishuar, 3 komuna i fituam pa balotazh
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij tashmë është dyfishuar. Thotë se tri komuna i kanë fituar pa balotazh.

“Aleanca në 3 komuna që ka qeverisur i ka fitu pa balotazh, Junikun, Deçanin dhe Obiliqin. Në Suharekë, Rahovec, Gjakovë balotazh shkojmë në balotazh, po ashtu edhe në Pejë, në Klinë dhe Istog”, u shpreh Haradinaj.
Ai tha se po presin për rezultatin në Kaçanik. “Aleanca ka dyfishim të numrit të komunave”, përfundoi Haradinaj.

Alternativa e Mimoza Kusarit e para në Gjakovë, AAK-ja e dyta
Alternativa ka dalë fituese në Gjakovë, sipas sondazhit të Klan Kosovës. Alternativa e Mimoza Kusari-Lilës ka marrë 25,8 për qind të votave, ndjekur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 23,3 për qind.

Ndërkohë, sipas të njëjtit Exit Poll, kjo komunë do të shkojë në balotazh ndërmjet Mimoza Kusari-Lilës dhe Ardian Gjinit të AAK-së.

Në Skënderaj fiton kandidati i pavarur
Kandidati i pavarur, Bekim Jashari, ka fituar bindshëm në Skenderaj, në garën për kryetar komunash, sipas rezultateve që i ka bërë të ditur DnV-ja.

Jashari ka marrë 83.7 përqind të votave, sipas këtyre rezultateve preliminare, raporton Gazeta Express.
Pas Jasharit, është radhitur kandidati i AKR-së Musa Dervishaj, me 9.32%. I treti ka dalë kandidati i LDK-së, Isa Fejzullahu. Ndërsa i fundit Hysni Mahani i VV-së.

Balotazh edhe në Malishevë, prin Begaj i Nismës
Nisma për Kosovën ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet lokale në Malishevë, por nuk ka arritur të fitojë që në raundin e parë të votimit.

Kandidati i Nismës për kryetar të Malishevës, njëherësh kryetar i Komunës, Ragip Begaj, ka fituar 39.95 për qind të votave.

Në vend të dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës, me 27.78 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta, me 13.52 për qind. Vendin e katërt e zë Lëvizja Vetëvendosje, me 13.15 për qind.

LDK fiton pa balotazh në Fushë Kosovë
Sipas të dhënave nga Demokracia në Veprim, në Fushë Kosovë ka fituar pa balotazh kandidati i LDK-së, Burim Berisha.

Lipjani pa balotazh: Kandidati i LDK-së merr 56 për qind
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar zgjedhjet në raundin e parë në Lipjan.

Kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës, Imri Ahmeti, ka arritur që të marrë 56 për qind të votave. Ky rezultat është nga Demokracia në Veprim.

Simpatizantët e PDK-së festojnë fitoren në Mitrovicë
Simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë nisur festën në qytetin e Mitrovicës për të festuar fitoren e kandidates për kryetare, Valdete Idrizi.

Ata janë mbledhur para selisë së PDK-së, duke brohoritur për fitore e disa të tjerë edhe me vetura e flamuj duke festuar nëpër rrugët e qytetit.

E kandidatja për kryetare në Komunën e Mitrovicës së Jugut nga Partia Demokratike e Kosovës,Valdete Idrizi në një prononcim për media ka thënë se fitorja është duke u thelluar bindshëm në favor të PDK-së.

Mitrovice PDK

“Rezultatet janë shumë të mira nga terreni, nuk mund të flas me shifra konkrete por ajo që e di me siguri fitorja është duke u thelluar bindshëm që është shumë me rëndësi”, ka thënë Idrizi.
Ajo gjithashtu falënderoi të gjithë ata që me votën e tyre besuan në vizionin e saj për Mitrovicën.

Suma fiton pa balotazh në Han të Elezit
Kandidati i pavarur për kryetar të Hanit të Elezit Rufki Suma ka fituar zgjedhjet në këtë komunë.

Sipas Demokracisë në Veprim, Suma në raundin e parë të zgjedhjeve ka arritur të marrë 58.41 për qind të votave.

Mediat serbe: Fitore bindëse e Rakicit në Mitrovicën e Veriut
Mediat serbe shkruajnë se lideri i Listës Serbe dhe kandidati për kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakic, sipas informacioneve marra nga mediat serbe, ka fituar në zgjedhjet e sotme lokale në këtë komunë.

“Zgjedhjet lokale në Kosovë dhe Metohi u mbajtën dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja ishte rreth 44 për qind. Kandidati për kryetar Goran Rakic fitoi bindshëm në pjesën veriore të Mitrovicës. U regjistruan vetëm disa incidente të vogla”, shkruajnë mediat serbe.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb