Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka konfirmuar se nuk do të garojë për zgjedhjet lokale të 2023-shit për kryebashkiak të Durrësit.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Duka pohoi se do të mbështesë kandidaturën e Igli Carës, kreu i degës së PD për Durrësin.

Duka tha se “si kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, unë jam i detyruar t’i përkushtohem fushatës së PAA-së në të gjithë Shqipërinë. Ndaj dhe e kam të pamundur të jem personalisht pjesë e kësaj gare.”.

REAGIMI I DUKËS
Nuk do të garoj në Durrës, do të mbështes kandidaturën e Igli Carës!
Të dashur qytetarë të Durrësit!
Përmes këtij postimi dua të ndaj me ju një vendim.
Më njoftuan nga dega lokale e PD-së në këtë qytet se në disa njësi, anëtarësia e kësaj partie më ka propozuar si kandidat për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake, për kandidatin për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore, si përfaqësues i opozitës.
Ndjej të falënderoj çdo qytetar durrsak, që është pjesë e Partisë Demokratike, dhe që ka propozuar që unë të jem në këtë garë. E vlerësoj maksimalisht dhe, me zemër do të doja ti përfaqësoja ata dhe shumë të tjerë në këtë garë, me dëshirën e madhe për të bërë më të mirën për qytetin dhe fshatrat e Durrësit.
Por, duke qenë kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, unë jam i detyruar t’i përkushtohem fushatës së PAA-së në të gjithë Shqipërinë. Ndaj dhe e kam të pamundur të jem personalisht pjesë e kësaj gare.
Unë i premtoj çdo demokrati dhe çdo qytetari durrsak, se kontributi im do të jetë, si përherë, për qytetin dhe qytetarët e kësaj bashkie.
Unë përsonalisht dhe PAA me strukturat e saj, do të mbështesim zyrtarisht kandidatin demokrat Igli Cara, me bindjen e plotë se ai është njeriu që i duhet bashkisë së Durrësit dhe qytetarëve të Durrësit.

Edhe njeherë, falendroj ata që më kanë propozuar dhe i siguroj se do të jemi bashkë në të njëjtin front, për të bërë më të mirën për qytetin tonë.
Me respekt
Agron Duka

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb